Më 13 shtator, kalendari përkujton shën Gjon Gojartin
Sot më 13 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor
i Kishës. Më 13 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv
e doktor i Kishës, këngëtar i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit. I njohur si një
nga Etërit e mëdhenj të Kishës së Lindjes, Shën Gjon Gojarti vdiq më 14 shtator të
vitit 407 pas Krishtit, duke lënë pas shkrime, që ruajnë ende sot forcën me të cilën
patën tërhequr dikur dëgjuesit. Prandaj në shekullin VI qe thirrur Gojartë. Shën Gjon
Krizostomi, kryeipeshkëv i Kostandinopojës në vitin 398, ia kushtoi apostullimin e
tij nxitjes së besimtarëve për të jetuar ndershmërisht, duke u përpjekur t’i mundnin
ligështitë njerëzore dhe veset. Fliste shpesh për mëkatin, për të rizgjuar ndjenjën
e përgjegjësisë, dëshirën për t’u ngritur përsëri në këmbë edhe pas rënieve, me forcën
që buron nga Sakramentet e Shenjta. Shtyllat e doktrinës së tij morale janë pendesa,
lëmosha e pajtimi. Ajo që të bën për vete në predikimit e Shën Gjonit, është stili
dhe aftësia e rrallë e gojtarit. Predikimet e tij nuk të lodhin, edhe pse nganjëherë
tepër të gjata, sepse janë plot gjallëri, të lidhura ngushte me jetën konkrete, të
pasura me vlera dhe ide të reja të frymëzuara gjithmonë nga Ungjilli. Papa Gjoni
XXIII e zgjodhi Pajtor të Koncilit II të Vatikanit. Gjon Pali II, në enciklikën “Sollecitudo
rei socialis” kujtoi atë që ka shkruar shën Gjon Gojarti, duke komentuar Ungjillin
sipas Mateut për salltanetet e vendeve të kultit: “Kur mendon për të varfërit, nuk
mund të të kënaqin zbukurimet e tepërta të Kishave dhe orenditë e çmuara të kultit
hyjnor; përkundrazi, këto pasuri mund të shiteshin për t’u dhënë bukë, ujë, veshje
e strehë atyre që nuk i kanë”. Po cili është kontributi i posaçëm teologjik
i Gjon Gojartit? Teoria e pranimit, sipas së cilës Hyji vjen tek ne, sepse
ne nuk mund të arrijmë deri tek Ai, është një nga kryeveprat e tij, një ndër pjesët
më të rëndësishme të teologjisë së tij. Ndër homelitë, me përmbajtje të thellë ekzegjetike,
e përqendron predikimin kryesisht tek përdorimi i pasurive në dobi të shoqërisë. E
ç’na mëson Shën Gjon Krizostomi? Na mëson ta shikojmë Kishën si bashkësi, përmes
përdorimit e shpërndarjes vëllazërore të pasurive në shërbim të të gjithë anëtarëve,
përmes ndershmërisë morale e, sidomos, përmes predikimit dhe vënies në jetë të Dhjetë
Urdhërimeve të Tënzot. Po me ç’sy mund t’i lexojmë sot shkrimet e Shën Gjon
Krizostomit? Ashtu si në rastin e të gjithë etërve të Kishës, leximi i veprave
të Shën Gjonit është jashtëzakonisht i dobishëm dhe i nevojshëm për jetën shpirtërore
të të krishterit, por duke pasur parasysh rrethanat shoqërore e fetare në të cilat
jetoi e veproi Shenjti, të cilat ndryshojnë shumë nga ato të ditëve tona. Përveç
kontributit të jashtëzakonshëm teologjikë, Shën Gjon Gojarti ka lënë edhe një ritë
e traditë liturgjike që është e përhapur në Kishën bizantine e që njihet si liturgjia
e Gjon Krizostomit. Kështu Kisha bizantine e ka nderuar kujtimin e Shenjtit duke ua
lënë trashëgim pasardhësve shkrimet e tij, duke ia promovuar kultin e duke ia paraqitur
besimtarëve si shembull përshpirtërie, që meriton të ndiqet. Në një farë mënyre Shën
Gjon Krizostomi është bërë pajtor i liturgjisë që mban emrin e tij, që e përdori,
ndonëse mendohet se nuk është krijuesi i saj. Në katekizmat e tij eukaristike,
Shën Gjon Krizostomi një herë shkroi: “Ç’ thua ashtu, o Moisiu? Gjaku i një qengji
i pastron njerëzit? I shpëton nga vdekja? E si mundet gjaku i një kafshe t’i pastrojë
njerëzit, t’i shpëtojë njerëzit, të ketë pushtet mbi vdekjen?”. Në të vërtetë – vijon
Krizostomi – qengji mund të ishte vetëm një gjest simbolik; simbolizonte pritjen dhe
shpresën në Dikë, i cili do të ishte në gjendje të bënte atë që nuk mund ta bënte
flijimi i qengjit. “Jezusi i kremtoi Pashkët pa qengj e pa tempull e megjithatë
- nuk kremtoi pa qengj e pa tempull. Ishte Ai vetë qengji i pritur, i vërteti, ashtu
si e kishte parafolur Gjon Pagëzuesi në fillim të misionit publik të Jezusit: “Ja
Qengji i Hyjit! Ja Ai që ia shlyen mëkatin botës”. Është Ai tempulli i vërtetë, tempulli
i gjallë, në të cilin banon Zoti e në të cilin mund ta takojmë Hyjin e ta adhurojmë.
Gjaku i tij, dashuria e Atij që është njëherësh Bir e Hyj e njeri i vërtetë, njëri
nga ne, ky gjak mund të shpëtojë”. Dashuria e Tij, dashuria me të cilën ai dhurohet
vullnetarisht për ne, është ajo që shëlbon. Gjesti i përmallshëm, në një farë mënyre
i pafryt, që ishte flijimi i qengjit të pafaj e të panjollë, gjeti përgjigje në Atë
që u bë për ne qengj e tempull njëherësh. “Kështu në qendër të Pashkëve të reja
të Jezusit ishte kryqi! Prej tij vinte dhurata e re që na solli Ai. E kështu Ai mbet
përgjithmonë në Eukaristinë Shenjte, në të cilën mund të kremtojmë me apostujt në
rrjedhë kohe, Pashkët e reja. Tani ai na dhurohet ne”. “T’i lutemi Zotit që ta
kuptojmë gjithnjë më thellë këtë mister të mrekullueshëm, ta duam gjithnjë më shumë
e në të, ta duam gjithë më tepër vetë Krishtin. Të lutemi që kungimi shenjt të na
tërheqë gjithnjë më shumë brenda vetes e të na ndihmojë të mos e mbajmë jetën tonë
për vete, por t’ia dhurojmë Atij, e kështu të veprojmë së bashku me Të, që njerëzit
të gjejnë jetën – jetën e vërtetë, e cila mund të vijë vetëm nga Ai që është vetë
Rruga, e Vërteta, Jeta”.