2012-09-12 14:05:25

Papa: uroj që udhëtimi im në Liban t’i përforcojë të krishterët në fe dhe të favorizojë paqen e vëllazërimin në rajon


Gjatë audiencës së përgjithshme në Sallën Pali VI, Papa Benedikti XVI foli edhe për udhëtimin e tij në Liban, ku do të shkojë pasnesër:
“Do të doja t’i ftoj të gjithë ta shoqërojnë me lutje udhëtimin tim të afërt apostolik në Liban, gjatë të cilit do të dorëzoj Nxitjen post-sinodale për Lindjen e Mesme. Uroj që kjo vizitë t’u japë guxim të krishterëve dhe të favorizojë paqen e vëllazërimin në të gjithë rajonin”.
Më pas, në frëngjisht, Ati i Shenjtë kujtoi se gjatë këtij shtegtimi do të takohet me grupet e ndryshme të shoqërisë libaneze: me përgjegjësit civilë e kishtarë, me besimtarët katolikë të riteve të ndryshme, me të krishterët e tjerë e me myslimanët. “Falenderoj Zotin – tha Papa – për këtë pasuri, që mund të vazhdojë të ekzistojë vetëm nëse jetojnë në paqe e në pajtim të qëndrueshëm”.
Benedikti XVI u kërkoi të krishterëve të Lindjes së Mesme ta përforcojnë fenë e, gjithë Kishës, të tregojë solidaritet me ta, që të vazhdojnë ta dëshmojnë Krishtin në këto toka të bekuara nga Zoti. Papa vlerësoi institucionet dhe personat, që ndihmojnë në këtë drejtim e pohoi:
“Historia e Lindjes së Mesme na tregon rolin e rëndësishëm e shpesh themelor, që kanë luajtur bashkësitë e ndryshme të krishtera në dialogun ndërfetar e ndërkulturor. I lutemi Zotit t’i dhurojë këtij rajoni të botës, paqen aq shumë të dëshiruar, në respektimin e dallimeve të ligjshme. Hyji bekoftë Libanin dhe Lindjen e Mesme!”







All the contents on this site are copyrighted ©.