Më 12 shtator Kisha kremton festën e Emrit të Zojës Mari.
Më 12 shtator kalendari Kishtar kremtoi festën e Emrit të Zojës Mari. Në festën
e sotme kushtuar “Emrit të Marisë” avokate e njerëzve pranë Zotit, urojmë të gjitha
gratë që quhen Mari, duke kujtuar në mënyrë të veçantë, nënat dhe motrat tona, që
mbajnë këtë emër. Kujtojmë se festa kushtuar Emrit të shenjtë të Marisë u kremtua
për herë të parë, me lejen e Romës, në Kuenka të Spanjës në vitin 1513. E ndërprerë
nga Shën Piu V, nisi të kremtohej përsëri nën papninë e Sikstit V e më pas u shtri
edhe në mbretërinë e Napolit e në Milano. Më 12 shtator 1683, kur Gjon Sobieski me
polakët e vet fitoi mbi hordhitë turke që kishin rrethuar Vjenën, duke kërcënuar krishterimin,
i Lumi Inoçenci XI, për t’i shprehur mirënjohjen e thellë Zotit, e shtriu festën në
mbarë Kishën universale dhe e caktoi festimin të dielën para Tetëditshes së Krishtlindjes.
Papa Shën Piu X e shënoi në Kalendar më 12 shtator, kur vijon të kremtohet edhe sot. Në
historinë ekzegjezit ka pasur shumë shpjegime për kuptimin e emrit Mari. Një prej
tyre e shpjegon me fjalën ‘hidhërim’. Këtë shpjegim e japin disa Rabinë, të cilët
e nxjerrin emrin Miryam nga rrënja MRR, që në hebraishte do të thotë “të jesh i hidhur”.
Sipas tyre shpjegohet kështu nga Maria, motra e Moisiut, që u quajt me këtë emër,
sepse kur lindi, Faraoni nisi ta bëjë gjithnjë më të hidhur jetën e hebrenjve. Edhe
ne, të krishterët, mund ta pranojmë këtë shpjegim, duke pasur parasysh hidhërimin
e thellë që përballoi Virgjëra Mari në rrugën e Kryqit për shëlbimin tonë. Shpjegime
të tjera janë: “Mësuese e Zonjë e detit”, nga hebraishtja Moreh (Zonjë) dhe Yam (det),
gjithnjë lidhur me Marinë, motrën e Moisiut, që ishte mësuese e grave hebreje kur
kalonin Detin e Kuq. Virgjëra Mari është Mësuese e Zonjë e detit të këtij shekulli,
të cilin na bën ta kapërcejmë duke na shoqëruar drejt qiellit. “Ndriçuese, Yll
i detit”, nga parashtesa hebraike emërore M + Or (dritë) + Yam (det). “Shi stinor”
– nga hebraishtja Moreh – shiu i parë i stinës. Maria konsiderohet si ajo që resh
nga qielli një shi hiresh. “Lartësi” nga hebraishtja Marom – Lartësi qiellore.
Tek Shën Luka gjejmë shprehjen “Na ka vizituar një diell që lind “nga lart” e kjo
fjalë “Nga lart” është shpjeguar “nga Maria”. Cila është më e drejta nga të gjitha
këto hamendje? Ndoshta Provania hyjnore na la në dyshim, që në emrin e Marisë të gjejmë
njëkohësisht të gjitha kuptimet që na shtjellon analogjia e fesë .