2012-09-12 16:43:40

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: e keqja duket e gjithpushtetshme, por Zoti bën të fitojë e mira


Papa Benedikti XVI vazhdoi sot reflektimin e tij mbi Librin e Zbulesës së Shën Gjonit, në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI në Vatikan. “Zoti nuk është i pandjeshëm ndaj lutjeve tona”, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar premtimin e Ungjillit se “e keqja nuk do të ngadhnjejë mbi të mirën”.
Në botë, vërejti Papa, ka të këqia, që bëhen nga njeriu, si dhuna, e cila lind nga dëshira për të pasur gjithçka, për të qenë mbi të tjerët, aq sa arrijmë ta vrasim njëri-tjetrin; ose si padrejtësia, sepse njerëzit nuk respektojnë ligjet. Këtyre u shtohen sëmundjet, vdekja, uria… por, theksoi Benedikti XVI, para 8 mijë besimtarëve të pranishëm, nuk duhet humbur kurrë shpresa, pasi i Keqi duket i gjithpushtetshëm, por i tillë është vetëm Zoti, që ia ndryshon planet.
Libri i Zbulesës, vazhdoi Ati i Shenjtë, është plot me simbole, ndër të cilat “froni”, ku ulet Hyji, që ndërhyn në histori, në mënyrë të mistershme, por reale; pastaj “libri”, i cili përmban planin e pashqyrtueshëm të Zotit për ngjarjet e për njerëzit; e më tej “Qingji”, Krishti i vdekur e i ringjallur, i aftë të na e zbulojë “planin e Zotit, kuptimin më të thellë të historisë”:
“Kisha jeton në histori, nuk mbyllet në vetvete, por përballon me guxim udhën e vet në mesin e vështirësive e të vuajtjeve, duke pohuar me forcë se e keqja nuk fiton mbi të mirën, se errësira nuk e zbeh shkëlqimin e Hyjit”.
Është një e vërtetë e rëndësishme, vazhdoi Papa, prandaj:
“…si të krishterë nuk mund të jemi kurrë pesimistë; e dimë mirë se në udhën e jetës ndeshemi shpesh me dhunën, gënjeshtrën, urrejtjen, persekutimin, por kjo nuk na çkurajon”.
E është sidomos lutja, nënvizoi Benedikti XVI, që na edukon të shohim shenjat e Zotit, praninë dhe veprimin e Tij; na nxit të jemi ne vetë drita e së mirës, e cila përhap shpresë e dëshmon se fitorja është e Hyjit”:
“Duhet të jemi të sigurtë, pra, se nuk ekzistojnë lutje sa për të thënë, të padobishme; asnjëra prej tyre nuk humbet”.
Të gjitha lutjet tona, i siguroi besimtarët Ati i Shenjtë, pavarësisht nga kufizimet, pavarësisht nga lodhja, varfëria, shterpësia, papërsosmëria, që mund të kenë brenda, arrijnë pa dyshim, në zemrën e Zotit:
“Zoti nuk është i pandjeshëm ndaj lutjeve tona, ndërhyn dhe bën të dëgjohet fuqia dhe zëri i Tij mbi tokë, e bën të dridhet dhe e shkatërron sistemin e të Keqit. Shpesh, para së keqes, ndjejmë se nuk mund të bëjmë asgjë, por është pikërisht lutja, përgjigjia e parë dhe më e frytshme, që mund të japim. Ajo e përforcon impenjimin tonë të përditshëm për të përhapur të mirën. Pushteti i Hyjit e bën të frytshme brishtësinë tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.