2012-09-11 17:40:21

Papa shkon në Liban, por sjell shpresë për krejt Lindjen e Mesme. Atë Lombardi shpjegon programin e vizitës


Papa Benedikti XVI niset për në Liban, të premten, më 14 shtator e do të qëndrojë aty deri të dielën. Është udhëtimi i 24-t apostolik i Atit të Shenjtë, që ka vlerë për gjithë Lindjen e Mesme, siç tha sot paradite, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, gjatë paraqitjes së programit të vizitës. Etapat kryesore të saj janë takimet në Bazilikën greko-melkite të Harisës, në Pallatin presidencial të Baadba-s, në Patriarkatin maronit të Bkèrkè-së dhe në “City Center Waterfront” të Bejrutit, në meshën, gjatë së cilës do të dorëzohet Nxitja Apostolike post-sinodale për Lindjen e Mesme.
Do të jetë nunciatura apostolike e Harisës – në një kodër, rreth 30 kilometra nga Bejruti, ku i Lumi Gjon Pali II u takua me të rinjtë libanezë, në vitin 1997 – vendi, ku do të qëndrojë Benedikti XVI, gjatë tri ditëve në Bejrut. Në aeroport, do të pritet të premten nga tre presidentët, ai i Republikës, ai i Parlamentit dhe ai i Këshillit të Ministrave, që do ta përshëndesin Atin e Shenjtë së bashku me përfaqësuesit e feve. Papa do të vizitojë katër patriarkatet e Libanit, do të takohet me përfaqësuesit e besimeve të krishtera jo katolike e me ata të katër bashkësive myslimane – shiitë, sunitë, druzë, alauitë. Do të flasë, përgjithësisht, në frëngjisht. Priten me interes, sidomos fjalët e Benediktit XVI, të shtunën pasdite, në takimin me botën politike, fetare e kulturore të vendit. Po atë ditë, në mbrëmje, Papa do të përqafojë të rinjtë.
Zëdhënësi i Vatikanit, atë Lombardi theksoi se, pavarësisht nga gjendja e vështirë në rajon, udhëtimi nuk është vënë kurrë në diskutim nga Papa, i cili ka zgjedhur si moto “Pax vobis” (Paqja qoftë me ju), ndërsa në emblemën e vizitës spikat pëllumbi me degën e ullirit, kryqi i Krishtit dhe ngjyrat e Libanit. Të dëgjojmë atë Lombardin:
“Është shenjë e vullnetit të Atit të Shenjtë për të shkuar në atë zonë, pavarësisht nga problemet që ka, është shenjë pjesëmarrjeje, shprese e mesazhi për paqen”.
Papa shkon në Liban si kreu fetar i bashkësive të krishtera, të cilat, përmes impenjimit e dëshmisë, u shërbejnë me besnikëri popujve të tyre. Nuk përjashtohen ndërhyrje politike, ndoshta edhe fjalë për Sirinë, por nuk është ky qëllimi i Benediktit XVI. Atë Lombardi u ndal në atmosferën e këtyre ditëve në Bejrut:
“Pamë takimet e patrikut Raji me druzët, takimin me hezbollahët e të gjithë treguan kënaqësi për ardhjen e Atit të Shenjtë, prandaj ekziston një atmosferë e përzemërt e mikpritëse nga ana e komponenteve të ndryshme. Kjo na bën të shpresojmë për mirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.