2012-09-11 17:40:29

Mesazhi i Benediktit XVI Takimit të parë mbi veprimtarinë e Kishës rrugëve në Afrikë e Madagaskar: të mbrohen dinjiteti e të drejtat e njeriut


Mesazhi i Benediktit XVI Takimit të parë mbi veprimtarinë e Kishës rrugëve në Afrikë: le të mbrohet çdo jetë njerëzore që rrezikohet.
Në Dar-Es-Salaam të Tanzanisë, dje pasdite u hapen punimet e Meetingut të parë mbi veprimtarinë baritore të Kishës kushtuar rrugës në Afrikë e në Madagaskar, organizuar nga Këshilli Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve. Në fillim të punimeve u lexua mesazhi i Papës Benediktit XVI, dërguar kryeipeshkvit të Dar-Es-Salaam, kardinalit Polycarp Pengo nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Bertone.
Benedikti XVI – lexohet në letër – beson se “ nga ky takim do ketë një bashkëpunim më të madh e një koordinim të të gjitha përpjekjeve ndërmjet Kishave, posaçërisht në mbrojtje të çdo jete njerëzore që rrezikohet nëpër rrugët dhe nëpër udhët e Afrikës”.
Papa kërkon t’u kushtohet një vëmendje e veçantë “kërkesave baritore që kanë gratë e fëmijët që gjenden të flakur nëpër rrugë ” për arsye shoqërore, ekonomike e politike apo pse janë viktima të shfrytëzuesve të organizuar në nivelet kombëtare e ndërkombëtare.
Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger ka besim të madh tek ky takim kishtar ku do të shqyrtohen ato “situata që ndikojnë në jetën e atyre njerëzve që udhëtojnë në kërkim të një pune, duke u ballafaquar me shumë rreziqe të mëdha gjatë udhëtimeve të pasigurta”, një kërcënim ky që në Afrikë ekziston për miliona njerëz.
Në tekst të letrës së Papës nënvizohet më tej edhe tema e këtij Meetingu “Jezusi personalisht iu afrua e udhëtonte me ta” që evokon praninë ngushëlluese të Krishtit të Gjallë ndërsa po i shoqëronte dishepujt në udhën e Emausit. Ai iu afrua e eci bashkë me ta. “Edhe sot Krishti Shpëtimtar vazhdon ta shoqërojë Kishën e vet e, përmes saj, mbarë njerëzimin në shtigjet e jetës e të historisë, duke hapur mendjet e zemrat ndaj së vërtetës shpëtimprurëse të Ungjillit e duke u dhënë guxim e paqe të gjithë atyre që ndjehet të vagëlluar, të çorientuar, të përhumbur apo të lënduar gjatë ecjes udhës së tyre tokësore”.
Sipas disa statistikave, që sjell agjencia Fides, në Afrikë mase 50 milion fëmijë janë nëpër rrugë. 40% pa shtëpi, 60% punon rrugëve për të mbajtur familjen. Më shumë se një miliard njerëz të planetit nuk kanë strehim të përshtatshëm. Pasojat janë dramatike.
Sot, afër 50 mijë njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra e fëmijë, vdesin për shkaqe të kushteve të papërshtatshme të strehimit e të banimit. Shkaqet kryesore që i detyrojnë gratë e fëmijët të jetojnë rrugëve janë varfëria, mjerimi, dhuna familjare, konfliktet fisnore e civile dhe kriminaliteti i organizuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.