Imzot Vinçenc Zamjeviç, organizator i Kuvendit të Arbërit, në përvjetorin e vdekjes
Si sot më 11 shtator 1745 u nda nga jeta kryeipeshkvi i Tivarit imzot Vinçenc (Visk)
Zmajeviç, personalitet i shquar kishtar i shekullit të 18, me origjinë kroate që ruajti
rol të rëndësishëm në historinë e Kishës katolike shqiptare e sidomos në organizimin
e Kuvendit Kishtar të Arbërit . Imzot Zmajeviçi u mor me organizimin por edhe me hartimin
e dokumenteve të Kuvendit Kishtar të Arbërit që u botuan më 1703 në latinisht e shqip.
Po kështu imzot Zmajeviçi ndihmoi për përhapjen e shkollave shqipe dhe për botimin
e librave liturgjike e katekistike shqip. Imzot Vinçenc Zmajeviq dhe
Kuvendi i Arbnit i vitit 1703 nga Petrit Nika Historia njerëzore
përgjatë vazhdimësisë ekzistuese të saj, ka provuar se ka njerëz në botë, të cilët
me veprën e tyre dimensionale të gdhendur në kohë, me maturi, me djersë dhe me mund,
e përjetësuan emrin e tyre në librin e madh të gjithëkohësisë, në një ndër faqet e
tij të shumta, në një ndër zërat e tij të shumtë, duke i dhënë kështu dritë një epoke
të caktuar; - pikërisht asaj epoke përgjatë së cilës ata rrojtën. Vitet mandej ikin
e ikin pambarim, brezat ndërrohen mbi dhé, sistemet shoqërore e politike ia lënë vendin
njëri-tjetrit, kulturat njerëzore s’reshtin së kërkuari përsosmërinë, megjithatë shfletimi
i herëpashershëm i librit të madh dhe monumental të dëshmive të së shkuarës, ia qartëson
njeriut pjesëzat e panjohura të identitetit të tij kombëtar, të cilat e ndihmojnë
atë mandej për ta krijuar më lehtë dhe më me themel vizionin e së ardhmes. Një
ndër këta njerëz që e përjetësoi emrin e tij në historinë e kulturologjisë shqiptare
qe edhe Mons. Vinçenc Zmajeviqi; klerik i krishterë me prejardhje sllave; arqipeshkëv
i Tivarit, i cili me 11 shtator të këtij viti mbushte plot 259 vjet që është ndarë
nga jeta. Për opinionin publik shqiptar, deri tani emri i këtij personaliteti njihet
pak ose aspak, - kryesisht në një rreth të ngushtë akademikësh të çështjeve filologjike
dhe teologjike, megjithatë vepra e tij, - e cila përbëhet kryesisht nga disa dokumente
që hedhin dritë mbi gjendjen shoqërore dhe kishtare të katër dioqezave të rëndësishme
të asaj kohe, të cilat administroheshin nga Arqipeshkvia e Tivarit, - përbën një interes
për njohje më të thelluara dhe relativisht më të gjera në masën e publikut kulturëdashës,
sepse, “si i tillë Kuvendi i Arbënit, mbas Kuvendit të Lezhës (1444) dhe mbas luftërave
të gjata të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, ishte ngjarja më e rëndësishme e historisë
shqiptare gjatë gjithë kohës pesëshekullore të sundimit otoman.” 1 Po kush ishte
Vinçenc Zmajeviqi? Çfarë bëri ai për Shqipërinë dhe për shqiptarët? Këtyre dhe të
tjera pyetjeve që kanë të bëjnë me ndriçimin e kësaj figure, më poshtë do të përpiqem
t’ju jap përgjigje, sa më objektivisht që të mundem dhe, natyrisht, duke u mbështetur
në burime (fortlehtë) të verifikueshme. Mons.Vinçenc Zmajeviq u lind në Perast
(Gryka e Kotorrit - sot në Mal të Zi; në kohën e Zmajeviqit administrohej nga Vatikani),
në familjen e Kristoforit dhe Helenës, me 23 dhjetor 1670. Kur erdhi në jetë Vinçenci
i vogël, familja Zmajeviq, ndërkohë, kishte krijuar njëfarë emri të njohur në traditën
kishtare vendase, mbasi I ungji i tij Andrea, ishte prift, madje kishte filluar ngjitjen
në hierarkinë e Kishës (në kohën për të cilën flasim ai ishte abat i Perastit), dhe
do të kryesonte Arqipeshkvinë e Tivarit për 24 vjet, që nga viti 1670 e deri në vitin
1694. 2 Andrea, sipas burimeve të cituara, qe ai që e pagëzoi Vinçencin e vogël dhe,
ndoshta që atëherë bashkë me hirin hyjnor të pagëzimit i dhuroi mrekullisht nipit
të tij edhe hirin hyjnor të devotshmërisë, të humanizmit dhe sakrifikimit të krishterë,
duke bërë kështu që në këmbë të tij të vinte kohë më vonë një tjetër shërbëtor për
shtëpinë e Zotit, po nga dera dhe gjaku i vet. Kur i kishte mbushur të 15 vjetët,
djaloshi Zmajeviq u dërgua në Kolegjin e Propagandës në Romë, për të studiuar filozofi
dhe teologji. Që këtu do të fillonte për të rruga e gjatë dhe e mundimshme e përkushtimit
dhe e sakrificës. Sipas të dhënave që disponojmë, Vinçenci, qysh gjatë kohës së studimit,
falë urtësisë dhe nënshtrimit të plotë ndaj punës, fiton menjëherë respektin e të
gjithëve. “I pajisur me një inteligjencë të shkathët, refleksive dhe përshkuese si
dhe me një vullnet të papërkulur, ai kapte dhe përpinte, si të thuash çdo njohuri.”
3 Mbas përfundimit të studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, ai kthehet në vendlindje
dhe, megjithëse ishte ende në moshë shumë të re për t’iu besuar ndonjë ofiq i lartë
në gjirin e Kishës, atij i besohet atë kohë Abacia e Shën Gjergjit, “në ishullin me
të njëjtin emër pranë Perastit” 4, ku jetoi e veproi midis viteve 1695 - 1701. 5 Duke
pasur parasysh aftësitë e tij të spikatura pastorale, përgatitjen intelektualo-teologjike
të shkëlqyer dhe pastërtinë morale të figurës së tij, pas vdekjes së arqipeshkvit
Marin Gjorga 6, pasardhës (në detyrë) i Andrea Zmajeviqit, Papa Klementi XI, me 18
prill të vitit 1701, e ngarkon atë me detyrën e lartë të arqipeshkëvit të selisë metropolitane
të Tivarit, pavarësisht nga mosha e tij vetëm tridhjetë e një vjeçare, - tepër e re
për këtë detyrë. 7 Megjithë moshën e re dhe vështirësitë e ndryshme, ai jo vetëm që
nuk i zhgënjeu Papa Klementin XI dhe bashkëkohësit e tij, por përkundrazi, fitoi një
reputacion aq të pasur përgjatë epokës së vet, duke u bërë kështu, siç vëren një biograf
i tij, “një ndër njerëzit më të mëdhenj që ka nxjerrë Dalmacia.” 8 Gjithnjë sipas
të dhënave të dokumentuara, për Zmajeviqin thuhet se zotëronte aftësi të thelluara
dhe se kishte mjaft përvojë në teologji, në të drejtën kanonike dhe në artin e të
shkruarit; dihet, gjithashtu se qe një njohës i zoti i gjuhës latine, paleosllave,
kroate e italiane, por për njohjen e gjuhës shqipe nga ana e tij nuk janë gjetur deri
më tani kurrëfarë të dhënash që ta dëshmojnë një gjë të tillë. 9 Veprimtarinë e tij
letrare, thuhet se e filloi që kur ishte adoleshent, me vëllimin “Razgovor Duhovni”,
të cilin e shkruan përpara se të nisej për studime në Kolegjin e Propagandës, për
ta vazhduar më pas me vëllimin poetik “Musarum chorus in laudem Antonii Zeni”, shkruar
gjatë kohës së qëndrimit të tij në Romë dhe botuar po atje, në vitin 1694. 10 Përveç
këtyre, interes përbëjnë edhe “traktatet e tij të mprehtë dhe të shkëlqyer kundër
skizmës së grekërve Servianë në “Ogledalo istine - Specchio della Veritá”, mbi çështje
polemike-dogmatike në formë dialogu.”11 Pas dhjetë vjet shërbese si arqipeshkëv me
seli në Tivar, në maj të vitit 1713, Papa Klementi XI e transferon Zmajeviqin në selinë
metropolitane të Zarës, ku do të shërbente edhe për tridhjetë e dy vjet të tjera me
radhë, - deri në fund të jetës. Për kujdesin e Zmajeviqit, si arqipeshkëv i Zarës,
lidhur me çështjet shqiptare, dëshmojnë relacionet e tij dërguar papës, kardinalëve
dhe personaliteteve të tjera të Kurjes Romake. 12 Natyrisht, një ndër veprat më
të vështira për t’u realizuar, por që ai ia doli mbanë me sukses, qe “Kuvendi i Arbënit”
i vitit 1703, për të cilin ai vetë thotë se, “ishte përtej kufijve të forcës sime”.
13 Në letrën që Zmajeviqi i dërgonte Klementit XI, përshkruhet me nota dhimbjeje të
thellë realiteti mizerabël që kishte parë ai gjatë vizitës së tij apostolike nëpër
Shqipëri, më saktë; në të katër ipeshkvitë kryesore të Arqipeshkvisë së Tivarit. “Ti
më urdhërove o Shenjti Atë Papë, t’i vizitoj e t’i vë re, si vizitor apostolik, kishat
e Shqipërisë, dheut tim. (vini re se ç’dashuri e lidh me Shqipërinë, sa e quan si
dheun e tij, /- shën. P. N.) Unë iu përmbajta urdhërit, iu solla dheut rreth e rreth
(…) dhe pashë pleqtë duke vajtuar, meshtarët, shërbëtorët e Zotit duke qarë e duke
lotuar; barinjtë travajuar, dhentë shpërndarë e tretur nëpër pyll; pashë murtajën
që mbytte gjind e bënte kërdi të madhe nëpër të gjitha vendet. Këto vuajtje i pashë
dhe gjëmova; zemra, bashkuar me mjerimet e popullit tim (vini re këndvështrimin pastoral,
prej nga e quan popullin shqiptar si popullin e tij, /- Shën. P. N.), donte të më
ndahej përgjysmë.” 14 Prej Kurbinit, me 10 dhjetor të vitit 1702, ndërkohë që po i
afrohej fundi vizitës së tij baritore, duke u shkruar ipeshkvijve për t’i mbledhur
në sinod, përshkruan në mënyrë panoramike Shqipërinë e asaj kohe; ” pa pushuar jam
duke kaluar qytetet, katundet, lagjet e gjithë mbarë kopshtin (bashtinën) e Tënzot.
(…) E pashë vreshtin e Tënzot të prishur e të shkatërruar, lënë si një gjë mbetur
shkretë, mbuluar prej ferrmacash, prej ferrash, prej rrozgash.” 15 Mandej, për të
ngacmuar ndërgjegjen e tyre vazhdon më poshtë; “Ndër të gjitha këto ngatërrime e pështjellime
ç’ka të bëjmë, o vëllezër? (…) Të hyjmë, pra, të punojmë vreshtin, që e kemi përpara
syvet, të hyjmë ta dëlirim prej ferrave; e ferrat t’i këpusim në rrënjë që të mos
dalin përsëri; të mos e bjerrim motin, pra rrënjët të mos forcohen e të mos përhapen
nëpër vresht edhe më zi. Kjo punë kaq e mirë dhe e lavdërueshme, edhe e meritueshme,
ka mbetur jo tek unë, por në të mbledhurit e ipeshkvijve në Kuvend.” 16 Ky Kuvendi
u mbajt një muaj më vonë mbas nënshkrimit të kësaj letre, në Mërqi të Arbërisë, Dioqezi
i Lezhës, 301 vjet më parë, me 14 dhe me 15 janar të vitit 1703. 17 Sigurisht, ishte
e shumëpritur kjo ngjarje për krishterimin mbarëshqiptar të asaj kohe, mbasi mbahej
në një moment kritik degradimi shpirtëror e bjerrashprese të gjithmbarshme, kur jo
vetëm masat e gjera të popullsisë se thjeshtë, por edhe pjesa dominante e klerikëve
të krishterë, po kridhej përherë e më tepër në një humbëtirë vdekësore identiteti,
nga formimi i pamjaftueshëm arsimor dhe nga represionet e gjithanshme që u bëheshin
pandërprerë nga turqit për t’i islamizuar. Mons. Zmajeviqi këtë realitet e konstatoi
me dhimbje, siç edhe e pamë, gjatë vizitës së tij apostolike në dioqezat e administruara
prej tij, por në fjalën e hapjes së Kuvendit, në vend që të tregonte autoritetin e
tij suprem duke mbajtur qëndrim të rreptë dhe qortues ndaj shkeljeve të ngadonjëhershme
të shërbëtorëve të Kishës, ai shprehet në mënyrë prekëse dhe të përmallshme, i ngazëllyer
që ata iu përgjigjën njëzëri thirrjes së tij duke marrë pjesë në kuvend, me fjalët;
” Qe, më në fund, o vëllezër fort të ndershëm, mbasi shkuan një tubë vjetësh, mbasi
patëm pritur tash sa mot, në fund qielli u çel e na e fali shiun e toka gufoi e na
dha gazmendin, gazin dhe kënaqësinë. (…) Kjo e mirë njëmend erdhi prej Zotit të mëshirshëm,
që unë të mos ju shoh më të shpërndarë e me frikë, por t’ju shoh këtu mbledhur bashkë.”
18 Kështu Zmajeviqi, në vend që t’i gandonte edhe më zemrat e tyre të pikëlluara,
gjë që jo vetëm do të ishte antihumane, por ndoshta edhe me pasoja të pallogaritshme
në shërbesë, - vepron në të kundërt; me takt dhe me diplomaci i fiton sërish ato zemra,
duke u komunikuar fjalën e ëmbël të njeriut të kulturuar, duke u rikthyer shpresën
e humbur dhe besimin. Me këtë gjë ai tregon edhe njëherë mendjemprehtësinë dhe formimin
e tij të shkëlqyer në shkencat humane, që e karakterizonte, por ndoshta edhe një gëzim,
thjeshtë, të çiltër, të frymëzuar nga besimi në misionin e veprës së tij aq të madhe,
siç ishte ai Kuvend, jehona e të cilit do t’i kapërcente sinoret e largët e vështrimturbull
të shekujve. Duke referuar për këtë Kuvend Mons. Zef Gashi shkruan se, ” Kuvendi i
Arbënit ishte kuvendi i mendjes dhe i shpirtit shqiptar të asaj kohe. Në të u morën
vendime të qenësishme dhe u përcaktuan detyra të pandërmjeme për ringjalljen dhe për
pasurimin e jetës shpirtërore e fetare, por edhe të asaj kombëtare, politike dhe kulturore.”
19 Aktet e këtij Kuvendi u botuan të plota tre vjet më vonë pas mbajtjes së tij,
në tipografinë e Propaganda Fides në Romë, në vitin 1706 nën titullin: “Concilium
Provinciale sive Nationale / ALBANUM / Habitum Anno MDCCIII. / Clemente XI. Pont.
Max. / ALBANO. / SUPERIORUM PERMISU. ” Interesante është se materialet dokumentare
janë botuar që atëherë, në të dy versionet; përkatësisht në gjuhën latine dhe shqipe,
gjë që e bën veprën me vlerë edhe për nga pikëpamja leksikore. Botimi i dytë i librit
të Kuvendit u bë 162 vjet më vonë, në vitin 1868, i përkthyer dhe i përshtatur me
shënime sqaruese gjuhësore nga P. Rajmond Gallani dhe P. Egidio Quinto d’Armeno, ky
i fundit prefekt i misionarëve të Shqipërisë, - persona këta që e shoqëruan vizitatorin
gjatë vizitës së tij apostolike në secilën dioqezë. 20 Kurse për përkthimin shqip
të këtyre akteve, përsa i përket botimit të 1706 - ës, nuk gjenden të dhëna konkrete.
Për herë të tretë “Kuvendi i Arbënit” u botua më 1872, si gjithmonë, në Romë, në tipografinë
e Propagandës me titullin: “Konçilli / i Dheut Shqypnis / Bamun n’ vjet 1703 / N’koh
t’paps shqyptarit / Klementit t’njimdhetit / disa EMERNAME / dalun prej Romet mas
Konçillit qi perkasin / Kishave t’Arbnis / I ka qit Shqyp / Don ENJELL RADOJA / Prift’
i Djoqezit Shkoder / n’ Rom. / .me shtamp t’Kuvendit S. T’Propagands / 1872.” Në
këtë botim, përveçse është përdorur një sistem garfik fonematik më i kuptueshëm, janë
futur shtesë edhe dy materiale të tjera prej këtij prifti shkodran që u kujdes për
botimin. Në njërin nga tekstet e shtuara prej tij ai i drejtohet lexuesit, ku i bën
me dije se Karlo Pooten, kryeipeshkëv i Tivarit dhe i Shkodrës, i ka ngarkuar detyrë
“me i nkthy n’ghiuh ton Conci in” 21, kurse në dokumentin tjetër; “Do habere permi
Sckodr”, - siç duket edhe për nga titulli, - jepen disa të dhëna mbi qytetin e Shkodrës,
ku ai i kujton lexuesit se; “Gjithë shqiptarët e dinë fort mirë që Shkodra është kryet
e Arbërisë dhe që për shumë sende ka lanë namë.” 22 Një studim i gjatë dhe me nivel
të lartë informacioni e erudicioni është kryer nga P. Vinçenc Malaj me titull; “Kuvendi
i Arbënit 1703″, - Concilio Nazionale Albanese del 1703. Inquadramento storico, testo
Albanese e glosario”, i cili ishte një disertacion që u mbrojt nga autori me 28 mars
të vitit 1973, përpara një komisioni akademikësh në përbërjen e udhëheqjes së të cilit
ndodhej edhe Prof. dr. Ernest Koliqi. Pavarësisht vlerave të tij unikale, edhe si
temë, edhe si realizim me nivel të mirëfilltë shkencor, ky disertacion e pa dritën
e botimit për herë të parë vetëm në vitin 1998, i shtypur në një sasi të vogël ekzemplarësh
(vetëm 300 kopje) nga Instituti i Filozofisë dhe Sociologjisë në Prishtinë. Ndërsa
botimi i plotë, ku janë përfshirë edhe dy botimet e mëparshme të Kuvendit, ai i vitit
1706 dhe ai i 1872 - it, u bë nga Konferenca Ipeshkvore Shqiptare - Tiranë / Prishtinë
2003, me rastin e 300 vjetorit të mbajtjes së Kuvendit të Arbënit, nën kujdesin e
Kyeipeshkëvit të Tivarit Mons. Zef Gashi dhe me një përshtatje në gjuhën e sotme nga
Anton Nikë Berisha, profesor në Universitetin e Kozencës. E rëndësishme është që
ta kuptojmë dhe ta pranojmë se Vinçenc Zmajeviq me “Kuvendin e Arbënit” dritësojnë
humnerën e thellë të viteve të para të njëmijë e shtatëqindëshit, kohë që rezulton
të jetë tepër e varfër në dëshmi dokumentare. Mandej kjo vepër përbën një visar më
vete në lëmin e historisë dhe kulturologjisë shqiptare mbasi u mbrujt për Shqipërinë
dhe shqiptarët me aq përkushtim e dashuri nga një vehtje e një kombësie sllave, por
që gjithësesi, s’themi dot - “i huaj”, - sepse, siç e pamë, ai e quante Shqipërinë
sa herë si dheun e tij dhe popullin shqiptar si popullin e vet. Si i tillë për nga
vlerat e gjithanshme që paraqet, “Kuvendit të Arbënit të vitit 1703″, i takon padyshim
një vend i rëndësishëm në historinë e kombit tonë si një ngjarje e veçantë historike,
e cila përbënte për të, - në periudhën ndoshta më të errët të tij, - një moment shprese
dhe kthimi përkah ringjallja e vetëdijës shpirtërore e nacionale. Shpresoj të mos
e kem tepruar, por të gjej mbështetje nga studiuesit dhe kulturologët, nëse shprehem
këtu se: - ai qe hapi i parë drejt Rilindjes Kombëtare. ________ Shënime bibliografike 1.
Mons. Zef Gashi, Kuvendi i Arbënit 1703, Prishtinë 2003/ Fjalë paraprake, fq. VII
- VIII. 2. Arch. Parrochiale di Perasto, Libro dei balttezzati, Vëll. I, fleta
319 (olim fq. 25), n. 43./ cit. sipas P. Vinçenc Malaj; Kuvendi i Arbënit 1703, Instituti
i Filozofisë dhe Sociologjisë, Prishtinë 1998, fq. 43 - 44. 3. Bassich, Notizie
della vita e degli scritti di tre illustri Perastini, Ragusa 1833, fq. 2 - 3 / cit.
sipas P.V. Malaj. Vep. Cit., fq. 44. 4. P. V. Malaj, Vep. cit., fq 44. 5. A.
Bassich, Notizie, fq. 4; P. Butorac, Zmajevici (Ogledi), Ekst. Nga Hrvatska Prosvjeta,
Zagreb 1928, fq 16. Mbi jetën dhe veprimtarinë e arqipeshkvit V. Zmajeviq, shih edhe
P. Bartl, Erzbischaf Vinzenz Zmajevic als “visitator Apostolicus albaniae”, në SH.
P, L, Roma 1972, fq. 205 - 224 /cit. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 44. 6. D. Farlati,
Illyricum Sacrum, Tom. VII, fq. 140 - 141; EUBEL - RITZER - SEFRIN, Hierarchia catholica,
Vell. V, fq 88/ cit, P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 45. 7. D. Farlati. Illyricum Sacrum…
fq. 141 e në vazhdim. / cit. P. V. Malaj, Vep. Cit, po aty. 8. F. M. Appendini,
Memorie spettanti ad alcuni uomini illustri di Cattaro, Ragusa, Martecchini, 1811,
fq. 53 / cit, P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 48 9. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 48. 10.
P. Butorac, Zmajeviæ, fq. 24 /cit. P. V. Malaj, Vep. Cit. fq, 51 11. P. V. Malaj,
Vep. Cit. fq. 51 - 52 12. Ark. Sek., Fondi Albani, Vëll. 222, T. III e në vazhdim.
/ cit. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 52 13. Kuvendi i Arbënit 1703, Prishtinë 2003,
Letra e V. Zmajeviqit dërguar Papës me 10 korrik 1703, fq. 378. 14. Mons. V. Zmajeviq,
Letra…, Vep. Cit., fq. 377 - 378 15. Po aty, fq. 380 16. Po aty, fq. 380 - 381 17.
Mons. Zef Gashi, Kuvendi i Arbënit 1703, / Fjalë paraprake, fq. VII. 18. Kuvendi
i Arbënit 1703, Prishtinë 2003, fq. 383 19. Mons. Zef Gashi. Kuvendi i Arbënit
1703, / Fjalë…, fq. XIII 20. P. V. Malaj, Vep. Cit., fq. 98 21. Kuvendi i Arbënit
1703, Prishtinë 2003, fq. 253 22. Po aty, fq. 375