2012-09-11 15:39:22

Imzot Lahham: vizita e Papës në Liban, nën flamurin e fesë e të paqes


Dy vjet pas Sinodit për Lindjen e Mesme, Papa Benedikti XVI do të shkojë në Liban, nga 14 deri më 16 shtator, për t’u dorëzuar Patrikëve dhe ipeshkvijve të rajonit, Nxitjen Apostolike post-sinodale “Kisha në Lindjen e Mesme”. Vizita e Atit të Shenjtë merr kështu rëndësi të veçantë për të gjithë zonën e jo vetëm për Libanin. Këtë përmasë thekson në mikrofonin tonë, vikari i Patrikut të Jeruzalemit të Latinëve për Jordaninë, imzot Maroun Lahham:
Është vizitë për gjithë Lindjen e Mesme e jemi të gëzuar e krenarë për këtë. Pikërisht në këtë çast të vështirë për vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës Veriore, mjafton prania e Atit të Shenjtë, fjalët e tij – sido që të jenë – për t’u bërë shenjë inkurajimi e solidariteti me Kishën Katolike të zonës, ku vuajnë si myslimanët, ashtu edhe të krishterët.
Arsyeja e parë e udhëtimit apostolik është publikimi dhe dorëzimi i Nxitjes post-sinodale për Lindjen e Mesme. Cilat janë frytet, që prisni nga ky dokument?
Presim që Ati i Shenjtë të na përmendë gjithnjë detyrën tonë ndaj kësaj grigje të vogël, që ndodhet këtu prej shekujve të parë dhe dëshmon përherë vdekjen e Ringjalljen e Krishtit. Përveç kësaj, duam që Nxitja Apostolike ta përforcojë misionin tonë si “rojtarë të fesë” në këto vende, t’i inkurajojë të krishterët – katolikë e jo – të mbeten përgjithmonë dëshmitarë të Krishtit në këto troje. Vërtet, përpiqemi të bëjmë sa mundemi për ta penguar eksodin e të krishterëve, që Toka Shenjte dhe vendet e tjera, ku prania e krishterë datohet që në shekujt e parë, të mos kthehen në “muze arkeologjik”.
Lindja e Mesme ka etje për paqe, por ajo është akoma larg. Mjafton të shohim ç’po ndodh në Siri, me refugjatët, që derdhen në vendet fiqnjë, sidomos në Jordani. Cilat janë shpresat për paqen, që mund të zgjojë vizita e Benediktit XVI?
Presim nga Ati i Shenjtë tri fjalë. E para, për ata, që nuk kryejnë kurrë akte dhune, sepse nuk mund t’i përgjigjemi dhunës me dhunë. Deri tani, 30 mijë vetë kanë vdekur në Siri e ky është sakrilegj! Fjala e dytë është fjala e inkurajimit për këta popuj të vuajtur, për këta të rinj, që dalin në sheshe, në kërkim të një jete më të denjë, më të lirë e më demokratike. Fjala e tretë, për fuqitë ndërkombëtare, që të mos ndërhyjnë vetëm për interesat e tyre ekonomike, pa pyetur për vuajtjet e vendeve tona. SHBA-të, Evropa, Rusia… nëse duan të ndihmojnë, ta bëjnë këtë pa interes!
Libani, ashtu si edhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, ka një popullsi të re. Cili do të jetë mesazhi i Papës për të rinjtë?
Këta të rinj presin fjalë inkurajimi: kërkojnë vërtet një jetë më të lirë, më pak të ndrydhur, më të denjë, por nuk duhet të tundohen kurrë nga dhuna. Papa duhet t’u thotë: “Të dashur të rinj, jemi me ju, i kuptojmë aspiratat tuaja, por për dashuri të Zotit, mos dirdhni gjak!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.