2012-09-10 16:01:57

Videomesazh i Papës për nismën “Dhjetë sheshe për dhjetë Urdhërimet e Tënzot”


Ati i Shenjtë, Benedikti XVI përshëndeti të shtunën, me një videomesazh, pjesëmarrësit e nismës “Dhjetë sheshe për dhjetë Urdhërimet e Tënzot”, organizuar nga Lëvizja “Përtëritja në Shpirtin Shenjt”. Nisma, e cila ka patronazhin e Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, filloi në Romë, në “Piazza del Popolo” e do të vazhdojë në dhjetë qytete italiane, gjatë gjithë Vitit të Fesë.
Dhjetë Urdhërimet e Tënzot, tha Benedikti XVI në videomesazh, janë një lloj “kodi etik” për të ndërtuar një shoqëri, në të cilën marrëdhëniet me Zotin e Shenjtë e të Drejtë të shndrisin e të udhëheqin marrëdhëniet ndërmjet njerëzve:
“Ç’kuptim kanë këto dhjetë fjalë për ne, në kontekstin aktual kulturor, në të cilin shekullarizmi dhe relativizmi ka rrezik të bëhen kritere për çdo vendim e ku shoqëria duket se jeton sikur Zoti të mos ekzistonte? Ne përgjigjemi se Zoti na i ka dhuruar Urdhërimet për të na edukuar me lirinë e vërtetë e me dashurinë autentike, që të mund të jemi me gjithë mend të lumtur”.
Urdhërimet e Tënzot, vazhdoi Papa, janë shenjë e dashurisë së Atit Qiellor, e dëshirës së Tij për të na mësuar si të dallojmë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra, të drejtën nga e padrejta. Nëse njeriu nuk i ndjek Urdhërimet, dalëngadalë, bëhet më pak i lumtur në jetë:
“Njeriu, që mendon vetëm për vetveten, indiferent ndaj Zotit, krenar për autonominë e vet absolute, arrin të ndjekë vetëm idhujt e egoizmit, të pushtetit, të mbizotërimit, duke i prishur marrëdhëniet me vetveten e me të tjerët e duke ecur, jo në shtigjet e jetës, por në ato të vdekjes”.
Benedikti XVI kujtoi historinë e trishtuar të shekullit XX, që me diktaturat e përhapura në gjysmën e botës, ia nxiu jetën të ashtuquajturit “njeri të ri”. Është vetëm Jezusi, theksoi Papa, që me Kryqin e me Ringjalljen e Vet, na bën të rinj, pasi plotëson udhën, që na tregojnë Urdhërimet e Tënzot dhe na bën ta kapërcejmë egoizmin e mëkatit e të vdekjes:
“Vetëm pranimi i dashurisë së pafundme të Zotit, besimi në Të, ndjekja e udhës që Hyji na tregon, i jep jetës kuptim të thellë dhe hap një të ardhme plot shpresë”.
Udha e dashurisë, që na përvijojnë Urdhërimet e Tënzot, e përsosur nga Krishti, përfundoi Ati i Shenjtë, është e vetmja që e bën jetën tonë e atë të bashkësive tona më të plotë, më të mirë e më të lumtur. Benedikti XVI uroi që nisma “Dhjetë sheshe për dhjetë Urdhërime” të nxisë impenjimin për ta dëshmuar këtë udhë.







All the contents on this site are copyrighted ©.