2012-09-10 18:04:25

Papa ipeshkvijve kolumbianë: të nxitet paqja e të shpallet krejt e vërteta mbi familjen


Ndërmjet persekutimeve të botës dhe ngushëllimeve të Zotit: kjo është shprehja, që përdori Papa Benedikti XVI, duke folur sot me ipeshkvijtë kolumbianë, në vizitë “ad Limina” në Vatikan. Gjendja në vendet e Amerikës Latine, theksoi Ati i Shenjtë, është akoma e karakterizuar nga dhuna e dhimbja, pavarësisht nga sinjalet inkurajuese. Më pas, Papa i nxiti ipeshkvijtë të mbrojnë familjen, të luftojnë kundër shekullarizimit të shoqërive e t’i ndihmojnë të rinjtë të zbulojnë kuptimin e vërtetë të jetës.
“A pesar de algunos signos esperanzadores, la violencia continúa…”
“Pavarësisht nga disa sinjale inkurajuese, dhuna vazhdon të sjellë dhimbje, vetmi, vdekje e padrejtësi për shumë vëllezër në Kolumbi”. Ipeshkvijtë, vazhdoi Papa, punojnë mes vështirësish e rreziqesh, por duhet të vazhdojnë të kontribuojnë në mbrojtjen e jetës dhe në promovimin e kulturës së paqes, duke përhapur Ungjillin e pajtimit, që mund ta shndërrojë urrejtjen dhe rivalitetin në vëllazërim.
“Junto a esto, ustedes mismos han constatado también los efectos devastadores…”
“Përveç kësaj - vazhdoi Benedikti XVI, duke folur për gjendjen në Kolumbi - dalin në pah edhe pasojat shkatërruese të shekullarizimit”, që ndikojnë fuqimisht në mënyrën e jetesës, në vlerat, duke minuar themelet e vetë fesë katolike, martesën, familjen dhe moralin e krishterë. Papa përcaktoi përparësinë e ipeshkvijve: mbrojtjen e palodhur të institutit familjar. Ata duhet të shpallin të vërtetën e plotë mbi familjen e themeluar mbi martesën, duke e bërë të qartë se ajo është Kishë shtëpiake e shenjtërore e jetës.
Ungjillëzimin e ri në Kolumbi, Papa e sheh në thirrjet për meshtari e për jetën e shuguruar, në lindjen e lëvizjeve të ndryshme kishtare dhe në jetën e famullive. Benedikti XVI u ndal në formimin e meshtarëve e të rregulltarëve të rinj. “Nëse është e nevojshme – tha Ati i Shenjtë – edhe korregjimi i qartë, bërë me dashuri” mund të ndihmojë në procesin formues, i cili duhet rishikuar vazhdimisht, për t’iu përgjigjur si duhet sfidave të kohës dhe kërkesave të Popullit të Zotit.
“Igualmente, es importante el fomento de una acertada pastoral juvenil…”
Më pas, Benedikti XVI u tërhoqi vëmendjen ipeshkvijve mbi baritorinë për të rinjtë. Brezat e rinj, theksoi Papa, duhet ta perceptojnë qartë se Krishti i kërkon e dëshiron të jetë mik me to. Mos i lini të rinjtë, këshilloi Ati i Shenjtë, të tërhiqen nga mediokriteti i disa propozimeve të jetës, që lënë pas veç “boshllëk e trishtim”. Është Krishti, Ai, që mund t’i ndihmojë të rinjtë, të cilët e kanë të ardhmen përpara, të ndjekin synimet e tyre më fisnike.







All the contents on this site are copyrighted ©.