2012-09-10 16:02:19

Mesazhi i Papës hapi në Sarajevë, takimin botëror të feve, organizuar nga bashkësia e Shën Egjidit


Mashtrimit të kulturës së konfliktit t’i përgjigjet vlera e dialogut, që bazohet në binarët e qëndrueshëm të së vërtetës, nga e cila lind paqja. Kështu shkruhet në mesazhin e Papës, që mban firmën e kardinalit Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Vatikanit e që i drejtohet kryeipeshkvit të Sarajevës, kardinalit Vinko Puljiç, për hapjen e takimit ndërmjet feve, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, pikërisht në qytetin boshnjak. Takimi i përvitshëm “Njerëz dhe fe”, që këtë vit ka për temë “Bashkëjetesa është e ardhmja”, filloi dje e do të përfundojë nesër. Në të marrin pjesë përfaqësues të të gjithë feve nga zona e Ballkanit, por edhe më gjerë. Janë mbledhur në Sarajevë, 20 vjet pas rrethimit të njohur të qytetit nga forcat serbe, që shkaktoi mëse 12 mijë viktima, nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurt 1996.
Instrumentalizimi i fesë për të justifikuar dhunën dhe mospranimi i Zotit, në emër të një botëkuptimi krejtësisht të shekullarizuar mbi njeriun, vë në rrezik paqen, thekson Papa në mesazh. Benedikti XVI vë në dukje se prova për ç’mund të bëjnë këto dy forca negative gjendet pikërisht në Sarajevë, ku lufta e 20 vjetëve më parë solli veç vdekje e shkatërrim. Paqja, vazhdon Ati i Shenjtë, “ka nevojë të mbështetet nga mendje e zemra, që e kërkojnë të vërtetën, që e lejojnë Zotin të veprojë në to dhe u shtrijnë dorën të tjerëve”. Kërcënimi i terrorizmit vazhdon e po kështu, edhe luftrat, që përgjakin botën, e cila ka gjithnjë e më shumë nevojë për paqe. Papa flet për Lindjen e Mesme, për gjendjen dramatike në Siri e për udhëtimin e tij në Liban, duke uruar pajtim e qetësi për këto troje.
Bashkëjetesa ndërmjet personave të ndryshëm nuk është e lehtë, vërejti themeluesi i bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Riccardi, në hapje të takimit. Sarajeva është emblematike për këtë. Sot, qyteti është simbol i kujtesës së dhimbshme e i mungesës së pajtimit, rruga drejt të cilit, akoma nuk është gjetur. Prandaj përfaqësuesit e feve janë mbledhur këto tri ditë pikërisht në këtë qytet boshnjak, pasi nga fetë duhet të dalë mesazhi i paqes, pasi fetë nuk duhet ta shenjtërojnë luftën, siç kanë bërë në të kaluarën. Vetëm paqja është e shenjtë, jo lufta, theksoi Andrea Riccardi.
Për Ballkanin, paqja e qëndrueshme kalon nga Bashkimi Evropian. Ky ishte mesazhi i presidentit të Këshillit Evropian, Van Rompuy. Ai u kërkoi qytetarëve të Sarajevës të mos hakmerren për të rënët e luftës, të cilët duhen nderuar vetëm duke e kthyer qytetin në fanar të tolerancës e të përshpirtërisë, për të cilat dallohej dikur. Siç thotë edhe kryetari i Bashkësisë së Shën Egjidit, Marco Impagliazzo, në mikrofonin tonë:
Sarajeva është qyteti, që hapi dhe mbylli shekullin XX: Lufta I Botërore filloi me pretekstin e atentatit në Sarajevë, ndërsa shekulli përfundoi me Luftën e Ballkanit e, Sarajeva ishte një nga qytetet simbol të kësaj lufte. Atëherë, u instrumentalizuan të gjitha fetë për të nxitur ndeshjen ndërmjet popullsive të shumta, që përbëjnë mozaikun e Ballkanit. Sot, të jesh në Sarajevë do të thotë të thuash se në shekullin e ri, fetë s’mund të jenë tjetër, veçse mjeti i paqes dhe shembulli më i mirë për ndërtimin e një shoqërie të bashkëjetesës paqësore.







All the contents on this site are copyrighted ©.