2012-09-10 18:42:36

Kosova ka tani sovranitetin e plotë


Me mbledhjen e fundit të Grupit ndërkombëtar të kontrollit, përfundoi sot me 10 shtator 2012, pas katër vjetësh, mbikqyrja e pavarësisë së Kosovës. Lajmi u dha nga diplomati holandez Piter Feith, kryetar i Zyrës Civile Ndërkombëtare, i cili foli edhe para Parlamentit të Prishtinës. Kosova ka tani kontrollin e plotë mbi sovranitetin e saj, për herë të parë pas 17 shkurtit të vitit 2008, ditë në të cilën shpalli Pavarësinë, e njohur deri tani, nga 89 vende të tjera.
“Është arritje historike”, komentoi presidenti amerikan Barak Obama. “Me optimizmin, energjinë dhe vendosmërinë e popullit të vet, Kosova ka bërë përparime të mëdha në konsolidimin e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve të një Shteti modern, shumëetnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik”. Në emër të popullit amerikan, uroj qeverinë, parlamentin dhe popullin e Kosovës për këtë arritje historike, me të cilën Kosova ndërmerr edhe një hap të rëndësishëm drejt vendit që i takon, në një Evropë të lirë, të tërësishme dhe paqësore, thuhet në fund të komunikatës së presidentit amerikan, Barak Obama.
Së bashku me SHBA-të, edhe Gjermania komentoi pozitivisht fundin e periudhës së mbikqyrjes mbi Kosovën. Zbatimi i reformave, tha nga Berlini, zëdhënësi i qeverisë, Stefen Saibert, tregon se vendi ka arritur aftësinë për të vetëadministruar, jo vetëm përsa i përket sferës së sigurisë dhe luftës kundër kriminalitetit e korrupsionit, por edhe përsa i përket planit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo e fundit shfrytëzoi rastin për të përsëritur edhe një herë se Beogradi nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, si me, si pa mbikqyrje ndërkombëtare. Deklarata u bë nga kryeministri serb Ivica Daçiç para se të mblidhej parlamenti i Prishtinës.
Në të vërtetë, çfarë do të ndryshojë për Shtetin më të ri të Ballkanit? Shumë pak. Paqeruajtësit e NATO-s do të vazhdojnë të jenë përgjegjës për sigurinë dhe misioni i Bashkimit Evropian do të ketë fjalën e fundit në çështjet ligjore.Tensionet me Serbinë mbeten e, po kështu, edhe ushtria e të papunëve, të cilët akoma presin të ardhmen e ndritur, që u qe premtuar.
Gjithashtu, Kosova ka himnin dhe flamurin e vet, por ai nuk mund të ngrihet para selive të OKB-së, pasi Prishtina nuk është anëtare e saj. Atletët kosovarë nuk mundën të marrin pjesë në Lojërat Olimpike e përpjekja e fundit për të ndërruar prefiksin e telefonave, i njëjtë me Serbinë, dështoi, pasi vetëm një vend i OKB-së mund të ketë kodin e vet.
Bashkimi Evropian shpreson që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin problemet ndërmjet tyre, në perspektivën e integrimit evropian. Janë bërë hapa përpara në këtë drejtim. Qytetarët kosovarë mund të udhëtojnë në Serbi me letërnjoftimin e tyre, por jo me makina me targë të Kosovës. Serbia i pranon diplomat kosovare të universitetit, nëse ato autentikohen nga një palë e tretë, por nuk ulet afër delegacionit të Kosovës në mbledhjet rajonale, me përjashtim të rastit kur emri i saj paraqitet me një notë, që i referohet pozicionit ndërkombëtar të Prishtinës.
Siç tha kryeministri Hashim Thaçi, “mbetet shumë për të bërë, por gjendja e Kosovës konsolidohet dhe forcohet përditë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.