2012-09-09 19:32:02

Papa: në Liban për të përkrahur dialogun, pajtimin e paqen


Nuk mund t’i nënshtrohemi dhunës e acarimit të tensioneve: me këto fjalë dje në mesditë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Kastel Gandolfo, Papa Benedikti XVI foli për udhëtimin e tij të afërt në Liban.
“Do të kem rastin fatlum për të takuar popullin libanez e autoritetet e tij, përveçse të krishterët e këtij vendi të dashur e ata të vendeve të afërta. Nuk e injoroj situatën shpesh dramatike që po përjetojnë popullsitë e këtij rajoni, që tash shumë, madje tepër kohë, janë sfilitur nga konfliktet e parreshtura”. Kështu u shpreh Papa Benedikti XVI në përshëndetjen drejtuar në gjuhën franceze besimtarëve të pranishëm për lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke njoftuar për udhëtimin e tij të afërt në Liban, me të cilin rast do të nënshkruajë Këshillimin apostolik pas-sinodal, fryt i Asamblesë së veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, që u mbajt në tetor të vitit 2010 në Vatikan. Benedikti XVI kujtoi me fjalë të forta edhe ankthin e shumë njerëzve:
“E kuptoj – tha – angështimin e shumë njerëzve të Lindjes së Mesme, që për ditë janë të zhytur në vuajtje të çdo lloji, shkaktuar nga fatkeqësi e ngjarje të trishtueshme që çdo ditë sulmojnë jetën e tyre të përditshëm personale e familjare, e shpesh me sulme edhe vdekjeprurëse”. Në mënyrë të veçantë i “kujtoi me shqetësim” ata që, “për të kërkuar një hapësirë të qetë, braktisin jetën e tyre familjare e profesionale dhe përjetojnë pasigurinë e mërgimit”. E duke iu referuar situatës aktuale, Papa Ratcinger konstaton se “gjetja e një zgjidhjeje të krizë duket shumë e vështirë”, por ripohon me forcë se “nuk mund t’i nënshtrohemi dhunës e acarimit të tensioneve”. E Benedikti XVI rekomandon: “Angazhimin për dialog dhe pajtim që duhet të jenë prioritet për të gjitha palët e përfshira, e duhet të mbështeten nga bashkësia ndërkombëtare, duke qenë të ndërgjegjshëm përherë më tepër për rëndësinë që ka paqja e qëndrueshme për mbarë rajonin dhe botën”. “Udhëtimi im apostolik në Liban, që në saje të përmbajtjes së përmendur i referohet edhe Lindjes së Mesme, bëhet në shenjë të paqes”, theksoi Papa e duke iu referuar fjalëve të Krishtit tha: “Ju jap paqen time”.







All the contents on this site are copyrighted ©.