2012-09-09 18:17:00

66 vjetori i kryengritjes antikomuniste të Postribës


Më 9 shtator përkujtojmë kryengritjen Antikomuniste organizuar në Postribë, 66 vjet më parë. Ishte pra 9 shtatori i vitit 1946, që në Shqipëri shënoi revoltën e parë antikomuniste e me përmasa të mëdha, pasi në të u përfshinë me armë në dorë burra të Postribës, Shkodrës, Gurit të Zi, Rrethinave, Oblikës e më gjerë, e kështu u shtri në një kryengritje të vendosur shqiptare antikomuniste, e cilësuar e para e këtij në Shqipëri. Një pjesë e protagonistëve të kësaj ngjarje historike për Shqipërinë dhanë jetën, të tjerë u burgosën, u internuan dhe u persekutuan përgjatë viteve errëta e mizore të diktaturës komuniste.
Kryengritja e Postribës e 9 shtatorit 1946 qe e motivuar dhe e organizuar. Që në fillim postribasit dhe jo vetëm ata ishin të vetëdijshëm se e ardhmja e tyre nuk ishte komunizmi. Ata e dinin se prona nuk do te ishte më e tyre, e dinin se komunistët nuk e pranonin besimin fetar në Zotin, i cili u vërtetua me një përndjekje e tortura të pashembullta, e kështu sakrifikuan jetën e tyre dhe atë të familjeve.
Në kryengritje nuk morën pjesë vetëm një grusht njerëzish, as vetëm ata që u prekën nga komunizmi, por gjithë populli i zonës, duke shënjuar kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri
Kur përkujtojmë këtë ngjarje, vlerësojmë faktin se shqiptarët qenë gjithmonë njerëz e kërkuan lirinë, qenë të parët që flijuan jetën për liri dhe qenë vërtet sakrificë e madhe e paguar me gjak, me jetë, me sulme e përndjekje që regjimi komunist i bëri Postribës, Shkodrës, pastaj për ta mbajtur nën hijen e frikës dhe burgut të gjithë shoqërinë shqiptare, gjithë shqiptarët, që kaluan një kalvar të tmerrshëm, një periudhë nën errësirë të plotë vlerash antinjerëzore, antishpirtërore, antimorale e antishqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.