2012-09-08 15:27:22

Shenjtorët e Javës 9-16 shtator


E diel 9 shtator, Kisha katolike kremton të Dielën 23-të të kohës liturgjike sipas vitit kishtar. E po sot kalendari kishtar përkujton edhe shën Pjetërin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar.
Të hënën me 10 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar agostinian. Në Hyjin është shpëtimi im e lëvdimi im, pohon Psalmi i ditës. Duke sfiduar çdo akuzë, Jezusi pikërisht ditën e shtunë, që për hebrenjtë është ditë e shenjtë e nuk punohet fare, e shëron njeriun nga sëmundja e paralizimit të dorës. Sipas Biblës festa e vërtetë është vetëm atëherë kur i kushtojmë kohë lavdërimit të Zotit e veprave të bamirësisë në dobi të atij që ka nevojë për ndihmë.
Të martën me 11 shtator , sipas kalendarit kishtar përkujtohen shenjtorët Proto e Gjaçinto, martirë dhe i lumi Bonaventura nga Barcelona, rregulltar françeskan. Festa e tyre na kujton se nganjëherë, për të bërë vepra të mira, duhet shumë guxim: ka njerëz që nuk kanë guxim të pendohen dhe u krijojnë pengesa atyre që bëjnë vepra të mira. Shenjtorët, duke u përpjekur t’i ngjasin Krishtit, kanë qenë gjithnjë njerëz të guximshëm.
Të mërkurën me 12 shtator kremtohet festa e Emrit të Shenjtë të Virgjërës Mari, si dhe përkujtohet shën Guido nga Brabanti e Shën Silvani i Veronës. Emri i Zojës Mari na kujton se nuk mund të quhemi ndjekës të Krishtit, në se nuk jemi edhe njerëz të uratës. Jezusi kalonte net të tëra në lutje, duke na mësuar të vërtetën se bota kthehet në rrugën e Zotit ‘me gjunjë’.
Të enjten me 13 shtator kalendari përkujton shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i Kishës, këndues i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit. Liturgjia e ditës na kujton se revolucionari më i madh që njeh historia është Jezusi: duke shpallur Ungjillin, në mënyrë të veçantë ‘Lumnitë’, Krishti revolucionarizoi mendësinë e mbarë popujve dhe vuri në jetë një ligj të ri
Të premten më 14 shtator, kalendari kishtar kremton festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë, siç njihet tek popullit shqiptar, festën e Shëna Kryqit, e po në këtë datë përkujton edhe shën Albertin, patrik të Jerusalemit.
Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe njerëzimin. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit të gjithëve na është dhuruar jeta e amshuar.
Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Kostandinit e nënës së tij Helenes, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jerusalem, Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jerusalemit.
Të shtunën më 15 shtator, kalendari kishtar do të kremtojë një nga festat më prekëse që ka për zemër populli besimtar katolikë, atë të Zojës së Dhimbshme.
Në dhimbje, më ndihmo, o Zot. Martire megjithëse pa vdekur është Maria nën kryqin e të Birit. Nga shkatërrimi e dhimbja do të vijë ngjallja; në vend të Birit të humbur, do të ketë një mori e madhe besimtarësh në Krishtin.
Të dielën e ardhshme më 16 shtator Kisha do të kremtojë të dielën e 24-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 16 shtator kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Korneli papë e Çipriani ipeshkëv, martirë, Eufemia martire e Vitori, papë. Jeta shenjtorëve na kujton se ta jetosh e ta kumtosh Ungjillin, shpesh herë do të thotë t’i kundërvihesh kulturës në të cilën jeton. Na shtyn të mos pranojmë atë që duket se e pranojnë të gjithë e na kujton se, ndryshe nga të tjerët, ne nuk i pranojmë kënaqësitë dhe pushtetin e kësaj bote, në të cilën jemi shtegtarë që ecin drejt një bote më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.