2012-09-08 16:42:31

Benedikti XVI: në Virgjërën Mari Kisha e ka shembullin e thirrjes e të misionit.


Papa Benedikti XVI u takua sot, në Kastel Gandolfo, me pjesëmarrësit e Kongresit të 23-të Mariologjik Ndërkombëtar, që u zhvillua në Romë nga data 4 shtator e deri më sot, 9 shtator. “Kisha – u tha Papa të pranishmëve – në Marinë e sheh dhe gjen identitetin, thirrjen dhe misionin e vet, pik referimi për bashkësinë e besimtarëve”. Kongresi u mbajt në Universitetin Papnor Antonianum të Romës dhe sivjet, pati si temë: “Mariologjia, duke u nisur nga Koncili II i Vatikanit”. Pjesëmarrësit u lutën së bashku me Atin e Shenjtë Jozef Ratcinger, që Zoja e Bekuar ta ndihmojë botën dhe Kishën, në këtë çast të vështirë. Gjatë punimeve u diskutua mbi aspekte të ndryshme mariologjike, sidomos rreth propozimit të Koncilit të II të Vatikanit, i cili e sheh Marinë në një këndvështrim trinitar, duke e quajtur “Nënë e Birit të Zotit, bijë e zgjedhur e Atit dhe tempull i Shpirtit Shenjt”.
Reflektimi i Benediktit XVI u nis nga festa e sotme e lindjes së Marisë Virgjër, për të kaluar pastaj te konteksti i 50-të vjetorit të Koncilit II të Vatikanit që bie në tetor të ardhshëm, gjatë të cilit muaj Papa Ratcinger do të përurojë Vitin e Fesë.
Ishte Gjoni XXIII, tha Benedikti XVI, ai i cili deshti që Koncili II i Vatikanit të fillonte punimet më 11 tetor, “në të njëjtën ditë në të cilën, në vitin 431, Koncili Kishtar i Efezit pat shpallur Marinë ‘Theotokos’, ‘Nënë të Hyjit’. E që në letrën ‘Motu proprio’ me të cilën shpalli Vitin e Fesë, Benedikti XVI duke u lutur për një “mbrojtje të veçantë gjatë udhës së Kishës, ia besoi Zojës së Bekuar, shembull i fesë, këtë kohë hiri e bekimi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.