2012-09-07 15:45:42

Uashington: Konferencë ndërkombëtare mbi lirinë fetare


Më 12 shtator në Uashington do të hapet Internatiobal Religious Freedom Conference, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore katolike e SHBA-së, nga Catholic University of America e nga Chatolic Relief Services. Qëllimi i konferencës është të shqyrtohen e të nënvizohen “pasojat humanitare të shkeljes së lirisë fetare” e “të ndërkombëtarizohen çështjet publike”. Ndër personalitete, do të marrë pjesë edhe kardinali Timothy Dolan, president i ipeshkvijve amerikanë, i cili do të mbajë fjalimin e përurimit të punimeve të këtij takimi. Gjatë kësaj konference do të flitet për atë çka Kisha mund të bëjë për të mbrojtur lirinë fetare në nivelin ndërkombëtar dhe për rolin politik të jashtëm të SHBA-së në promovimin e kësaj lirie jashtë kufijve të veta. Organizatorët, gjatë paraqitjes së konferencës cituan mesazhin e Atit të Shenjtë Benediktit XVI me rastin e Ditës së Paqes të vitit 2011, që lidhet pikërisht me lirinë fetare. Në këtë mesazh Papa vuri në pah se mungesa e lirisë fetare është “një kërcënim edhe për sigurinë e për paqen, është një pengesë për zhvillimin e përparimit të vërtetë e të plotë të njeriut”.
Konferenca do të vë theksin mbi temën e lirisë fetare, sepse në botë vërehen forma të ndryshme të kufizimit ose të mohimit të kësaj lirie, të diskriminimit e të mënjanimit, bazuar mbi përkatësinë fetare, që arrijnë deri në persekutim e dhunë kundër pakicave fetare. E Papa Benedikti XVI kujtoi se “ të dhunosh lirinë fetare, do të thotë të shkelësh mbi të gjitha liritë, sepse ajo, është ‘liria e lirive’”. Është pishtar në dorë të njeriut që kërkon jo vetëm të vërtetat relative, por sidomos, të vërtetën absolute, Zotin. Atë Zot, i cili, siç na mëson Koncili II i Vatikanit, e bën njeriun pjesëtar të ligjit të hyjnor në mënyrë që, i udhëhequr prej Tij, t’i njohë gjithnjë më thellë të vërtetat e pandryshueshme.
Por ky kërkim nuk është rravgim jashtë kornizës së jetës së përditshme: e në këtë kornizë sot, vërehen diskriminime të papranueshme të pakicave fetare, që arrijnë deri në atë pikë, sa t’i detyrojnë besimtarët të mohojnë pjesën më të rëndësishme të vetvetes, fenë, në se duan të jenë qytetarë aktivë. Tre vjet më parë, para tribunës së OKB-së, Benedikti XVI pohoi: “Njeriu nuk duhet vënë kurrë në kushte të tilla, që e detyrojnë të mohojë Zotin, për të gëzuar të drejtat njerëzore”. E, në ditën e parë të vitit 2011, i kujtoi botës se “Liria fetare është udhë për paqen”. Një vëmendje e posaçme gjatë kësaj konference do t’i kushtohet “bashkësive kristiane më të rrezikuara” për të denoncuar situatat e vështira dhe për të “përforcuar aftësinë tonë për t’u përballuar me këtë temë teje të rëndësishme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.