2012-09-07 14:29:38

Papa: mbështetuni në forcën përtëritëse të Ungjillit, Zoti është ai që e udhëheq Kishën


“Në zemrën tuaj le të jetë gjithmonë i patundur besimi në Zotin; Kisha është e Tij, e është pikërisht Ai që e udhëheq si në çaste të vështira, po kështu edhe në çaste të qeta”: kështu tha mes tjerash Papa Benedikti XVI gjatë takimit të sotëm në Kastel Gandolfo me ipeshkvijtë e emëruar kohëve të fundit , të cilët këtyre ditëve janë duke marrë pjesë në një kurs të organizuar në Romë nga Kongregata e Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.
Papa Jozef Ratcinger kujtoi se “Kisha lind nga misioni dhe rritet bashkë me misionin”, e shpjegoi se “një inkulturim i drejtë i fesë” do të thotë “mishërim i Ungjillit në kulturat e popujve dhe përvetësim i asaj të mire që jeton në to. Bëhet fjalë për një proces të gjatë e të vështirë që në asnjë mënyrë nuk duhet të komprometon veçorinë specifike e integritetin e fesë kristiane”. “Botën e sotme duhet ta vështroni në dritën e fesë – i qortoi Papa ipeshkvijtë – për ta kuptuar në thellësi, e duhet të keni një zemër bujare, të gatshme për të arritur thellësisht deri në përkimi e bashkim shpirtëror me burra dhe gra të kohës sonë”.
Benedikti XVI foli pastaj për emergjencat ushqimore, shëndetësore dhe edukative në botë, që presin përgjigjen e bashkësive kishtare “dhe i përfshinë ato në mënyrë të drejtpërdrejtë. Madje, vëmendja e tyre dhe veprat e tyre vlerësohen e lavdërohen. Fatkeqësive natyrore i shtohen diskriminimi kulturor e fetar, intoleranca, manipulimi e intrigat, fryt i fundamentalizmave që po tregojnë vizione antropologjike të gabuara, që çojnë deri te zhvlerësimi, e madje edhe deri refuzimi i të drejtës së lirisë fetare, i respektit për më të ligshtët, sidomos të fëmijëve, të grave e të personave me të meta fizike. Rëndojnë, së fundi, kundërshtimet ndërmjet etnive e kastave, që shkaktojnë dhunë të paarsyeshme. Pra, mbështetuni në fuqinë e Ungjillit, në forcën përtëritëse të tij, në aftësinë e tij të zgjimit të ndërgjegjes së njerëzve, të çlirimit të njerëzve e të krijimit të një vëllazërimi të ri. Përhapja e Fjalës së Zotit vërtetë është gurrë që ndihmon lulëzimin e dhuratës së pajtimit dhe favorizon bashkimin e popujve”, tha Papa Benedikti XVI e shtoi "mos harroni se Zoti është pranë Kishës në çaste të vështira e të qeta, Ai e udhëheq Kishën".







All the contents on this site are copyrighted ©.