2012-09-07 11:28:06

Më 7 shtator kujtojmë 21 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Selisë së Shenjtë e Shqipërisë


Sot më 7 shtator bie 21 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë. Është fjala për marrëdhëniet diplomatike të vendosura më datën 7 shtator të vitit 1991 në rangun e Nunciaturës Apostolike për Vatikanin e të Ambasadës për Shqipërinë.
Në të vërtet marrëdhënie diplomatike mes Selisë së Shenjtë e Shqipërisë kanë një histori shumë më të hershme që para periudhës së komunizmit, po ishte pikërisht qeveria e diktaturës komuniste e Tiranës ajo që ndërpreu marrëdhëniet me Vatikanin me dëbimin si person të “padëshirueshëm” të Delegatit Apostolik imzot Leone Nigris më 24 maj të vitit 1945. Kujtojmë se Delegati Apostolik i Vatikanit imzot Nigris ishte në Shqipëri si Përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë episkopatit shqiptar që nga viti 1938.
Po t’i kthehemi këtij përvjetori të periudhës pas komunizmit, periudhës së rifitimit të lirës e të vendosjes së demokracisë në Shqipëri, për të thënë se marrëdhëniet diplomatike mes Vatikanit e Republikës së Shqipërisë janë jashtëzakonisht të mira e të frytshme, për të dy palët.
23 mars 2002 u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë e Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve reciproke. Në 11 nenet e kësaj Marrëveshje ndërmjet dy Shteteve, Republika e Shqipërisë garanton lirinë për të shpallur e për të praktikuar në publik fenë katolike, të drejtën e Kishës katolike për t’u organizuar dhe për të kryer misionin e saj, njohjen e zotësisë juridike të personave ligjor për entitete të tilla të Kishës katolike të cilët janë parashikuar në të drejtën kanonike, etj.
E kështu 21vjetori i marrëdhënieve diplomatike rrëfen për një lidhje historike e të pazgjidhshme, që përshkon thuajse një gjysmë shekulli nën papninë e Gjon Palit II e vijon të forcohet nën papninë e Benediktit XVI. Këta dy Papë, ashtu edhe paraardhësit e tyre gjatë shekujsh, gjithnjë kanë treguar kujdes e vëmendje të veçantë ndaj popullit shqiptar e ndaj Kishës në trevat shqiptare, duke ndërmjetësuar e ndihmuar vazhdimisht për përparimin e Vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës e të viseve tjera. E kjo gatishmëri e Selisë së Shenjtë u vërejt e madje është rritur edhe në kohën e papnisë së Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.