Një ndër legjendat thotë se prej aty doli gjuha, në këtë lagje në zemër të Shkodrës,
e për këtë e quajnë Gjuhadol. Gjuha është shtëpia e qenies thoshte Heidegger-i e Gjuhadoli
është shtëpia e gjuhës. E gjuha në fakt hyri ndër ato qela fretnish si në punishten
e një mjeshtri, u punua me kujdes e me dashuri prej Patër Justinit e të tjerëve, fillojë
të rritej e të hidhte shtat, por u degdis ndër burgje e u dhunua ndër vendime politike.
Ka diçka të “magjishme” në ato rrugica e sidomos kur duke ecur nëpërmjet tyre të del
përballë kisha e fretënve dhe kuvendi i Gjuhadolit që, sikurse e përshkruan Lazër
Shantoja, kishte një oborr “…plot erë marshalloje e diell Shqipnije”. Si në cdo tempull
që është i tillë edhe në këtë vend bashkohet e përtejmja me të këtushmen, Hyji dhe
njeriu, feja dhe atdheu, mendimi dhe gjuha. Por në Gjuhadol kjo është disi më e veçantë.
Aty flitej “…pak si mirë shqip”. Ndër ato rrugica ende ndjehen hapat e Patër Fishtës,
Harapit, Gjeçovit etj., njerëz që punuan deri në vdekje për t’u rritur me integritet
shpirtëror e për një integritet kombëtar. Por kohët kanë ndryshuar, vitet kanë kaluar
e po ashtu edhe personat kanë ndryshuar shumë. Megjithatë Patër Kostantini 96 vjeçar
është hallka që lidh të vjetrën me të renë. Si një patriark tashmë i vjetër e i lodhur
qëndron ulur e shikon teksa kalojnë si në një sfilatë para tij fretnit e rinj e sytë
i ka të ngulitur drejt misterit, pothuajse i përhumbur. Për një si unë i rritur në
një ambient krejt tjetër tërheqja bëhet edhe më e madhe. Etërit françeskanë sot
kanë festë! Tre fretën të ri sot marrin kushtet, përkthyer në një gjuhë më të kuptueshme,
betohen për gjithë jetën deri në vdekje se do të jetojnë në varfëri, bindje
dhe dlirësi duke ndjekur një ideal. Sot ata bëjnë këtë betim ndërkohë që një shoqërie
të etur për karrierë, që rend drejt pasurisë dhe kënaqjes së çdo dëshire, sigurisht
i lenë shijen e marrëzisë. Po! Këta të rinj sot janë elozhi i marrëzisë. Janë të rinj
sikurse të rinj e modernë tingëllojnë edhe emrat e tyre: Valentin, Etjen, Vilson.
Nën tingujt e këngës së hyrjes procesioni fillon përmes njerëzve të cilët me devocion
drejtojnë sytë kah një kryq që iu prin të gjithëve: ai është ideali për të cilin këta
djelmosha betohen për të gjithë jetën. Hapat janë të ngadaltë, por të peshuar me vetëdijen
se nuk kthehen më mbrapsht. Çastet janë solemne! Duket sikur një zë jehon prej thellësive
të misterit e thotë: “kë të dërgoj”? Tre zëra dëgjohen një e nga një: më dërgo mua,
ja ku jam! Sot françeskanet kanë festë! Tre djelmosha sot bëjnë një betim.
Edhe ata vetë janë fryt i një betimi po aq i madh, i bukur dhe i shenjtë. Ata sot
janë betimi i dashurisë së prindërve të tyre. Edhe ata dikur janë betuar për të gjithë
jetën. Por ata sot janë mbi të gjitha fryt i betimit të Hyjit i cili kurrë nuk pendohet
pse kanë ardhur në jetë njerëz. Formulat janë të vjetra sa vetë krishterimi ose të
paktën sa vetë Françesku i Asizit që para 800 vjetësh shkundi një kishë të vjetruar
e plot me korrupsion, që mendonte më shumë për gjërat e tokës se sa të qiellit, më
shumë për lavdinë e saj se sa për lavdinë e Hyjit. Sot ata betohen se deri në vdekje
do t’i shkojnë nga pas një ideali, një personi në gjurmët e Françeskut. Po të atij
Françesku që takoi edhe sulltanin në Egjipt dhe u bë mik i tij edhe pse ai kishte
një besim tjetër. Kjo ndodh kur njeriu dashuron Hyjin, pasi kjo dashuri hap të gjitha
dyert edhe ato të zemrave më të ngurta. Vetëm dashuria i takon njerëzit, urrejtja
i ndan! Sot fretnit kanë festë! Kjo nuk është një festë vetëm religjioze. Është
një festë njerëzore, ashtu sikurse duhet të jetë çdo festë, një festë e njeriut në
takim me Hyjin dhe me njëri - tjetrin. Gjithnjë e më shumë sot ka më pak njerëz që
duan të marrin vendime përfundimtare. Ndoshta frikë, ndoshta sepse duket se vendimet
përfundimtare të heqin lirinë, ndoshta sepse shembujt nga më të mëdhenjtë nuk janë
aq të mirë sa të tërheqin ata që janë më të rinj. Megjithatë i lejohet secilit prej
tyre sot që duke shqiptuar betimin e tyre, në shqipen e bukur të Gjuhadolit, të ndjejnë
në zemrën e tyre një lloj drithërime e të mendojnë shumë gjëra, ndoshta edhe frikë,
pasiguri. Sot gjithashtu u lejohen pak lot nga sytë atyre tre nënave që në këto çaste
mendojnë muajt kur fëmijët e tyre lëviznin në kraharorin e tyre, kur kanë dëgjuar
tingujt e parë të qarjes së tyre, kur i kanë shoqëruar në hapat e parë, kur i kanë
çuar në shkollë apo kur kanë jetuar me to në çdo moment të jetës së tyre dhe kanë
ëndërruar për to. Sot atyre u lejohen pak emocione, madje shumë emocione. Si është
e mundur që sot të rinj, shumë të rinj, vendosin të jetojnë gjithë jetën, deri në
vdekje një betim. A ia vlen? Sa ia vlen? Po dëshira për të qenë dikushi sot a mbaron
përgjithmonë? Po dëshira për të dëshiruar, shikuar e shijuar një buzëqeshje, një përqafim,
një histori dashurie, prej sotit a është më e lejueshme? “Duaj e bëj çka të duash”
– thoshte Agustini i Iponës. E sot Gjuhadoli bëhet shtëpia e gjuhës së dashurisë.
Po, sepse dashuria është rruga e vetme drejt kuptimit të jetës, “më e shkëlqyeshmja
udhë”. Kjo sot për fretërit e rinj është vetëm fillimi i një historie dashurie që
kurrë nuk do të mbarojë, nëse i besojnë atij premtimi të jetës së pasosur që sot iu
dha nga goja e eprorit të tyre. Sot Fretërit kanë festë! E bashkë me ta engjëjt
në qiell. Sot është festa e një Besnikërie, e vetmja besnikëri e mundshme në të cilën
themelohen të gjitha besnikëritë e tjera: ajo e një burri ndaj një gruaje dhe anasjelltas,
ajo e prindërve ndaj jetës që ngjizet, ajo e një njeriu çfarëdo ndaj familjes së tij,
të afërmve të tij, atdheut të tij. Sot është festa e besnikërisë së Zotit! Gjërat
e bukura ndodhin me të vërtetë! Nga dom Gjergj Meta