2012-09-05 12:15:06

“Një lule mbi Varr”!


15. Leksionet e Nënë Terezës: “Një lule mbi Varr”.
Leksionin e 15-të e të fundmë nga Nënë Tereza e marrim tek një vend, që tashmë është kthyer në cak shtegtimesh: një varr, ku 15 vjet më parë zbriste për të pushuar në paqe, trupi i Gruas më të përvuajtur, e njëkohësisht, më të njohur në mbarë botën. Gruas, që e bëri kombin e vet aq të njohur sa, po të pohosh se je shqiptar në çdo skaj të humbur të botës, do të pasthirmojnë: “Ah! Bashkatdhetar i Nënë Terezës”. Gruas, që identifikoi vetveten me Kombin e vet! Duke e nderuar! Ashtu si pak kush ka ditur ta bëjë deri më sot!
Varri i thjeshtë, që jemi nisur ta vizitojmë, na kujton se figura e Nënë Terezës është ndër më të nderuarat, por edhe ndër më të diskutuarat, ndërmjet shenjtorëve të kohëve moderne; e po aq, edhe ndërmjet atyre, që merituan Çmimin Nobel për Paqen.
Arrijmë jo pa vështirësi tek Varri, që ndodhet në selinë numër 54/A, në një nga rrugicat në zemër të një lagjeje jashtëzakonisht të ndërlikuar të Kalkutës.
Këtu vizitojmë një muze të vogël e më pas, duke kaluar në sallën aty pranë, gjunjëzohemi pranë varrit të Nënë Terezës.
Mund ta filmojmë e ta fotografojmë varrin, por jo motrat, në sa flasin, e as dhomëzën e Nënës, që ruhet ashtu siç ishte, kur Ajo jetonte e punonte këtu.
Ashtu si shumica e shtegtarëve dhe e turistëve, lëmë një lule mbi atë varr të vogël, që të kujton punë aq të mëdha.
Gjest i domosdoshëm, për të shprehur admirimin për Gruan, që shkriu gjithë jetën duke mjekuar Krishtin e gërbulur, të flakur në rrugët e botës, të braktisur, të harruar, të mbuluar me plagë e me krimba, në agoni! E që, megjithatë, nuk mundi t’u shpëtojë polemikave.
Një lule, për Nënën e të mjerëve më të mjerë.
Një lule për Nënën e njerëzve të mohuar.
Një lule Nënës, që diti të shuajë etjen e Krishtit për dashuri.
Një lule për Nënën e të gjithë shqiptarëve!
Një lule për murgeshën katolike, që u bë nënë e mijëra fëmijëve pa nëna, të cilët diti si moskush t’i rrokë e t’i përkëdhelë.
Një lule për atë, që shkeli në shtigje tejet të thepisura, me sarin e thjeshtë e sandalet simbolike, gjysmë të shkatërruara nga udha e gjatë.
Një lule për Nënën, që u akuzua deri se gaboi shpesh e edhe se mblodhi miliona.
Një lule për atë, që sigurisht milionat nuk i mori me vete në varr.
Një lule mbi rrasën e mermertë të Asaj, së cilës i pëlqente të përsëriste shpesh:
“S’ka pikë rëndësie nëse të shajnë:
pranoji sharjet
duke vënë paksa buzën në gaz
e shko e vijo punën tënde!”.
E ky është edhe leksioni, që na jep Nënë Tereza ditën kur përkujtojmë fundin e shtegtimit të saj mbi tokë.
Ky leksion na kujton se kur vdes ndonjë personalitet i shquar shekullar, në vend të tij ulet menjëherë një tjetër.
Madje edhe kur vdes një papë, në fronin e Shën Pjetrit ulet një tjetër.
E dimë se Zoti do të thërrasë vazhdimisht njerëz të tjerë, që shuajnë etjen e Tij për dashuri!
Por, ndoshta, një Nënë Terezë tjetër nuk do të lindë kurrë më?!
Një lule shqiptare, mbi varrin e Kalkutës, njëherësh me lutjen: “Pushoftë në paqe!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.