2012-09-05 15:49:21

Pranoni Krishtin, jo mendësinë e errët të relativizmit: kështu Papa, laikëve katolikë të Afrikës


Pranoni në zemrat tuaja Krishtin e jo mendësinë e errët të relativizmit e të nihilizmit: kjo është këshilla e Papës, në mesazhin e tij për Kongresin panafrikan të laikëve katolikë, që filloi dje në Jaundé të Kamerunit, me temë “Dëshmitarë të Jezu Krishtit në Afrikën e sotme. Kripa e tokës… drita e botës (Mt 5,13-14)”.
Benedikti XVI kritikon mendësinë e përhapur në botën perëndimore, duke u kërkuar afrikanëve, të mos lejojnë që ajo të bëhet pjesë e kulturës së tyre. Ati i Shenjtë ndalet në rëndësinë e besimtarëve laikë si ambasadorë të Krishtit në të gjitha fushat e jetës, në zemrën e botës. Papa përmend shembullin e shenjtes afrikane, Jozefina Bakita, skllave sudaneze kthyer në fenë e krishterë, që nuk mund ta mbante për vete gëzimin e madh, që ndjente në zemër, sepse Jezu Krishti e kishte çliruar nga vargonjtë e skllavërisë. Kështu, besimtarët bëhen kripa e botës, nënvizon Benedikti XVI, i cili thekson se kur feja nuk u kumtohet të tjerëve, kësaj kripe i ikën shija. “Feja – shkruan Papa – rritet kur jetohet si përvojë e dashurisë së dhuruar e kur komunikohet si hir e si gëzim”. Siç thoshte i Lumi Gjon Pali II: “Feja forcohet kur dhurohet”.
Ati i Shenjtë e quan Afrikën “kontinenti i shpresës”, pavarësisht nga problemet e rënda e jo të lehta për t’u zgjidhur, të cilat sjellin si vështirësi materiale, ashtu edhe pengesa shpirtërore e morale, që prekin edhe Kishën. Vlerat tradicionale të kulturës afrikane kërcënohen sot nga shekullarizimi, që shkakton çorientim, shkatërrim të indit shoqëror, ekzagjerimin e tribalizmit, dhunë, korrupsion në jetën publike, shfrytëzim të grave e fëmijëve, rritje të mjerimit e të urisë. Kësaj, denoncon Benedikti XVI, i shtohet edhe hija e terrorizmit fondamentalist, që kohët e fundit, ka vënë në shënjestër bashkësitë e krishtera të disa vendeve afrikane. Por, nëse shohim më thellë, në zemrën e popujve afrikanë, shkruan Papa, zbulojmë pasurinë e madhe shpirtërore, shumë të çmuar për kohën tonë. “Dashuria për jetën e për familjen, ndjenja e gëzimit dhe e bashkëndarjes, entuziazmi i fesë në Hyjin, që munda të shoh në udhëtimet e mia afrikane, akoma më kanë mbetur të ngulitura në zemër”, nënvizon Benedikti XVI.
Të marrësh pjesë në misionin ungjillëzues të Kishës, vazhdon më pas mesazhi, do të thotë t’u çosh Lajmin e Mirë të Ungjillit të gjithëve, në mënyrë që njerëzimi të shndërrohet e të rinohet nga brenda. Ky është roli i besimtarëve laikë të Afrikës: të jenë veprimtarë të paqes e lajmëtarë të shpresës së vërtetë, përfundon Papa.
Sot paradite, në Jaundé, foli kryetari i Këshillit Papnor për Laikët, kardinali Stanislau Rilko. Duke përmendur format e reja të fondamentalizmit në Afrikë, kardinali theksoi se në kontinent janë kthyer “martirët e fesë”. Kisha e Afrikës është e re. Në disa vende, Ungjilli i Krishtit njihet prej jo më shumë se 200 vjetësh. Por është edhe Kishë, që rritet e shtohet shpejt. Në vitin 1900, katolikët e kontinentit numëronin 1 milion e 900 mijë vetë, në vitin 2000, 139 milion, sot, 185 milion, pra, 18,3% e popullsisë së Afrikës. Janë vërtet pakicë, por pakicë me krijimtari të theksuar, e vetëdijshme për rolin që ka në ndërtimin e së ardhmes.







All the contents on this site are copyrighted ©.