Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup në një familje shqiptare thellësisht fetare,
ku mbretëronte dashuria, bujaria, ndera, besa e atdhedashuria. Më e vogla ndër fëmijët
e Kolë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeza. E ëma, Dranja,
e mbetur vetëm, me tre fëmijë në ngarkim pas vdekjes së t' et, kishte një karakter
të ëmbël, por të vendosur, që influencoi shumë në personalitetin dhe orientimin e
ardhshëm të Nënë Terezës. Në moshën 18 –vjeçare, me dëshirën për t’u bërë misionare,
ajo e la shtëpinë për të shkuar në Institutin e Zojës së Bekuar, i njohur si Motrat
e Loretos, në Irlandë. I dhanë emrin motër Mari Tereza. Në dhjetor u nis për në Indi
dhe arriti në Kalkutë më 6 janar 1929. Motër Tereza mori kushtet e para rregulltare
në maj 1931 dhe kushtet e përjetshme më 24 maj 1937. Që nga ajo kohë ajo u quajt Nënë
Tereza. Pasi mori kushtet e para, dha mësim në Shkollën e Shën Marisë në Entali të
Kalkutës dhe, më 1944 u bë drejtoreshë e shkollës. Ishte e njohur për bamirësi, altruizëm,
guxim, aftësi për punë të rënda, talent natyror për organizim, dhe besnikëri e gëzim
për jetën e shuguruar. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren nga Kalkuta
në Darjeling për ushtrimet shpirtërore të përvitshme, Nënë Tereza mori nga Zoti atë
që është quajtur “frymëzimi” “thirrja brenda thirrjes”. Që nga ajo ditë, etja e Jezusit
për dashuri dhe shpirtra zuri rrënjë në zemrën e saj, dhe dëshira për ta shuar këtë
etje për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër, u bë forca tërheqëse
e jetës së saj. Pasi mori lejet e nevojshme, më 17 gusht 1948 ajo la kuvendin
e Loretos dhe hyri në botën e të varfërve. Me të u bashkuan nxënëset e dikurshme të
shkollës së Shën Marisë dhe më 7 tetor, Kongregata e re e Misionareve të Bamirësisë
u vendos zyrtarisht në Kryedioqezën e Kalkutës. Brenda një kohe të shkurtër, Nënë
Tereza hapi shkollat e para të mjerimit dhe qendrat shëndetësore në shumë vende të
qytetit. Dekreti i Papës Pali VI më 1 shkurt 1965 e inkurajoi Nënë Terezën që
ta zgjerojë misionin për të varfërit e çdo kontinenti, ndërsa thirrjet shtoheshin
vazhdimisht. Me qëllim që t’u përgjigjej më mirë nevojave fizike dhe shpirtërore
të të varfërve, Nënë Tereza themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë, më 1963;
më 1976 degën kundruese të motrave, më 1979 Vëllezërit Kundrues dhe më 1984 Etërit
Misionarë të Bamirësisë. Duke ndarë me të përshpirtërinë, shumë laikë u bënë Bashkëpunëtorë
për të Sëmurët dhe të Vuajturit, Bashkëpunëtorë, Misionarë laikë të Bamirësisë. Më
1981 ajo filloi Lëvizjen Corpus Christi për Meshtarët. Në vitin 1997, Motrat e
Nënë Terezës numëronin rreth 4 mijë anëtare të shpërndara në 610 degë në 123 vende
të botës. Në mars 1997 ajo bekoi pasardhësen e saj të sapozgjedhur si Eprore të Përgjithshme
të Misionareve të Bamirësisë. Më 5 shtator 1997, jeta tokësore e Nënë Terezës
mori fund dhe ajo “shkoi në shtëpinë e Zotit”. Varri i saj në Shtëpinë Mëmë shpejt
u bë një vend shtegtimi dhe lutjeje për njerëz nga të gjitha fetë, për të varfër e
të pasur. Në përgjigje të kërkesave të panumërta si nga hierarkia, ashtu edhe
nga besimtarët e mbarë botës, Kongregata për Ceshtjet e Shenjtërve lejoi fillimin
e Kauzës së Lumnimit dhe të Kanonizimit të Nënë Terezës në Kryedioqezën e Kalkutës,
në më pak se dy vjet pas vdekjes. Procesi dioqezan vazhdoi nga 26 qershori 1999 deri
më 15 gusht 2001. Dekreti për njohjen e virtyteve heroike të Nënë Terezës u miratua
nga Papa Gjon Pali II më 20 dhjetor 2002.
Nënë Tereza"Me gjak jam shqiptare;
me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes,
i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit". Nënë
Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte
dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të
varfër. "Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua për t'u shprehur të
varfërve dashurinë dhe mëshirën eTij". Në shpirtin
e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë
të vetme : "Të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzore". Kjo
lajmëtare e ndritur e dashurisë së Zotit, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup,
qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, askokohe ne perandorinë Osmane.
Më e vogla e pesë fëmijëve të Nikollë dhe Drane Bojaxhiut, u pagëzua me emrin Gonxhe
Anjeze, mori Kungimin e parë në moshën pesë vjeç e gjysëm e u krezmua në nëntor të
vitit 1916. Që ditën e Kungimit të parë, ndjeu në zemër një dashuri të thellë për
shpirtrat njerëzore. Me vdekjen e papritur të babait, në sa Anjezja nuk i kishte
mbushur endè 8 vjetët, për familjen filluan vështirësitë ekonomike. Dranja, grua
burrneshë, i rriti fëmijët plot dashuri, duke ndikuar shumë në karakterin dhe rrugën
e jetës që do të zgjidhte e bija. Më pas formimi fetar i Gonxhes u thellua në famullinë
Zemrës së Krishtit, nën drejtimin e jezuitëve, në sa merrte pjesë gjallërisht ndër
të gjitha veprimtaritë. Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për
t'u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë
atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, që njihej ndryshe me emrin
"Motrat e Loretos", në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën
Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Në Kalkutë arriti më
6 Janar të vitit 1929. Pasi bëri kushtet e përkohshme, në maj të vitit 1931, Motër
Tereza u dërgua në bashkësinë e Loretos, në Entali, ku dha mësim në shkollën St.Mary
për vajza. Më 24 maj të 1937-ës, motër Tereza paraqiti kushtet e përjetshme
duke u bërë, siç tha ajo vetë: "Vashë e Jezusit" për
"amshim". Që nga ajo ditë e tutje u quajt Nënë Tereza. Vazhdoi të jepte mësim
në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar
jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur
në Loreto për njëzet vjet me radhë. E njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi
të posaçme në kryerjen e punëve më të rënda dhe për talent të natyrshëm organizativ,
ajo e jetoi përkushtimin e saj ndaj Jezusit, ndërmjet motrave, me besnikëri dhe gëzim. Më
10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për
ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu "frymëzimin"
e ri, "thirrjen brenda thirrjes". Atë ditë, si e qysh ajo nuk e tregoi
kurrë, etja e Krishtit për dashuri e për shpirtra njerëzore e pushtoi zemrën e saj
dhe dëshira e flaktë për ta shuar etjen e Zotit u bë qëllimi kryesor i jetës. Në
javët dhe muajt e mëpasëm, ajo nisi të dëgjonte një zë që i fliste shpirtit të saj
e të shihte vegime. Krishti i zbulonte kështu dëshirën e zemrës së Tij ndaj "njerëzve,
që duke u flijuar për dashurinë", "do të rrezatonin dashurinë e tij
ndër shpirtra". "Eja, të jesh drita ime"- iu lut - "nuk
mund të shkoj vetëm". E i tregoi sa vuante duke parë mospërfilljen ndaj të
varfërve, sa i dhimbte, kur mendonte se ata nuk e njihnin e sa dashuri të zjarrtë
kishte për ta. Jezusi i kërkoi Nënë Terezës të themelonte një bashkësi rregulltare,
Misionaret e Bamirësisë, që do t'i kushtoheshin shërbimit ndaj më të varfërve ndërmjet
të varfërve. Kaluan rreth dy vjet arsyetimesh e verifikimesh, para se Nënë Tereza
të merrte lejen për fillimin e misionit të saj të ri. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi
për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe la pas shpine kangjellat e kuvendit
të Loretos, të cilin e donte aq shumë, për të hyrë në botën e të varfërve. Pas
një kursi të shkurtër pranë Motrave Mjeke Misionare në Patna, Nënë Tereza u kthye
rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme pranë Motrave të Vogla të të
Varfërve. Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve: vizitoi familje,
u lau plagët disa fëmijëve, u kujdesua për një plak që dergjej në rrugë të madhe dhe
për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi. E niste ditën me Jezusin në
Eukaristi; pastaj, me rruzaren në duar, dilte për t'i gjetur dhe për t'u shërbyer
atyre që janë: "të braktisur, të padashur, të papërkujdesur". Disa muaj
më vonë, me të u bashkuan, njëra pas tjetrës, disa nga ish-nxënëset e saj. Më
7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e
re të Misionareve të Bamirësisë. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza
filloi t'i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. E Drejta Papnore, lëshuar
Kongregatës nga Papa Pali VI në shkurt të 1965-ës, i dha zemër të hapte një shtëpi
misionare në Venezuelë. Menjëherë pas saj u themeluan shtëpi të tjera në Romë e në
Tanzani dhe, pak më vonë, në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri
më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste,
duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën. Për t'iu përgjigjur
sa më mirë si nevojave fizike, ashtu dhe atyre shpirtërore të të varfërve, Nënë Tereza
më 1963 themeloi Vëllezërit Misionarë të Bamirësisë; më 1976, degën
kundruese të motrave; më 1979, Vëllezërit kundrues dhe më 1984,
Etërit Misionarë të Bamirësisë. Gjithsesi frymëzimi i saj nuk u kufizua
vetëm në njerëzit e thirrur për jetë rregulltare. Organizoi Bashkëpunëtorët
e Nënë Terezës dhe Bashkëpunëtorët e Sëmurë dhe të Munduar, njerëz të feve
e të kombësive të ndryshme, me të cilët u bë një në lutje, thjeshtësi, flijim dhe
në apostullimin e saj që shprehej me vepra të përvuajtura bamirësie. Kjo frymë e
shtyu të themelonte më pas Misionarët Shekullarë të Bamirësisë. Duke
iu përgjigjur kërkesës së shumë meshtarëve, më 1991 Nënë Tereza themeloi edhe Lëvizjen
e Korpit të Krishtit për Meshtarë, si "rrugë e vogël që i çon në shenjtërim"
ata, të cilët ishin një mendje me karizmën dhe me shpirtin e saj. Gjatë këtyre
viteve, në sa misioni i saj përhapej me të shpejtë, bota filloi t'ia ngulte sytë Nënë
Terezës dhe veprës që ajo kishte nisur. Meritoi shumë çmime për veprën e saj, duke
filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin
e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa mjetet e komunikimit filluan t'i
ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e më të madh. Si çmimet, ashtu edhe
gjithçka që e vinte në qëndër të vëmendjes, i pranoi "për lavdinë e Zotit e
në emër të të varfërve". Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi
e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës
së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme
të miqësisë me Zotin. Por duhet theksuar edhe një virtyt tjetër heroik i kësaj gruaje
të madhe, i cili u bë i njohur vetëm pas vdekjes së saj. E fshehur nga sytë e të
gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan më pranë, jeta e saj e brendshme u
vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të vazhdueshme se ishte ndarë nga Zoti,
madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt i rritej gjithnjë e më tepër dëshira
për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti "errësirë". "Nata e
dhimbshme" e shpirtit të saj, e cila nisi në kohën kur sapo kishte filluar apostullimin
mes të varfërve e që vijoi gjatë gjithë jetës, e çoi Nënë Terezën në një bashkim edhe
më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori pjesë mistikisht në etjen e Krishtit,
në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë për dashuri, duke u njësuar me mjerimin
e të varfërve. Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e
shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t'i printe Kongregatës së saj dhe
t'u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Sot Kongregata 4000 motra, të
pranishme në mase 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars
të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve
të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali
II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke
pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997
jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me
funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë
të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje
për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi.
Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë
së jashtzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit "Eja, të jesh drita
ime!", u bë Misionare e bamirësisë, "Nënë e të varfërve", simbol i mëshirës
për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit. Më pak se
dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të
nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit.
Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me
ndërmjetësinë e saj.
Mrekullia: Më 5 shtator 1998, në Kalkutë,
me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, ndodhi shërimi i mrekullueshëm i Monika Besrës, indiane
30 vjeçare, që vuante nga një tumor vdekjeprurës në bark. Ajo dëshmon: "Kur më
filloi dhimbja m'u desh të marr ilaçet. Ma pushonin dhimbjen për njëfarë kohe, pastaj
fillonte prapë. Kështu, vendosa që të mos merrja më ilaçe. Por e keqja rritej e atëherë
mendova të shkoj në Daril al Pur, ku ka një spital më të madh. Desha një mjek të mirë.
Më vonë shkova në Balorgat. Më morën gjak, më bënë ekografinë dhe analiza të tjera.
Më pas vendosa ta lë spitalin e të shkoj në Daril al Pur, tek një mjek tjetër. Ai,
sapo i pa analizat, më çoi sërish në Balorgat. Kaluan ditë. Prapë ilaçe, por asnjë
përmirësim. Vendosa të kthehem në shtëpi. Im shoq bleu ilaçe për 16 rupí. Kështu vazhdova
për një farë kohe. U keqësova shumë dhe fqinjët vendosën të thërrisnin motrën,
që më çoi në spitalin ku punon vetë. Qëndrova atje 1 muaj. Kur pija ilaçet, dhimbja
pakësohej. Pastaj arriti llogaria, gati 6 mijë rupí. U ktheva në shtëpi, sepse nuk
mund të shpenzonim para të tjera. Një muaj më vonë u shtrova përsëri në spital, në
Malda. Pak ditë e, sërish në shtëpi. Mjekimet m'i largonin dhimbjet, por ato ktheheshin
sapo mbaroja ilaçet. Shpenzuam gjithçka kishim. Im shoq u kthye në shtëpi për të kërkuar
para borxh, duke vënë peng tokën. Na dhanë 5 mijë rupí. Në shtëpi dhimbja shtohej.
Kisha dhimbje të forta në bark. Nuk mund të ngrihesha më nga shtrati. Motra më çoi
në shtëpi tek nëna, ku ndenja një muaj. Asnjë përmirësim, e atëherë më tha: “Do të
të çoj në Patiram”. Por murgeshat atje më këshilluan të kthehesha në Balorgat, ku
ndenja pak ditë. Mjekët i thanë motrës: “Merreni në shtëpi, nuk mund të shërohet”.
Motra u përgjigj: “Nesër vjen murgesha dhe do ta çojmë në Patiram”. Mjekët donin
të më operonin, nuk kishte zgjidhje tjetër. Më kanë vizituar edhe mjekë të tjerë.
Të gjithë konfirmonin diagnozën, por askush nuk donte të më operonte për shkak të
kushteve të mia fizike. Isha tepër e dobët për të përballuar operacionin. Prandaj
i thanë motrës të më merrte me vete e të ktheheshim pas 3 muajsh. U ktheva në Patiram.
Atë ditë të gjithë shkonin në kishë. Isha tepër e dobët për të ecur. Më pyetën nëse
doja të shkoja në kishë e unë u thashë “po”. “S’mund as të ecësh” – më tha murgesha
– “por mund të rrish ulur”. Kështu dy vetë më mbajtën hopa deri tek kapela, te elteri,
ku ishte dhe një fotografi të madhe të Nënë Terezës. Nga ajo fotografi pashë sikur
doli një dritë e fortë e bardhë. Ula kokën. Isha e shqetësuar e nuk kuptoja se ç’po
ndodhte. Doja të ikja, sepse ndihesha keq, ishte e pamundur të qëndroja edhe ulur.
Një murgeshë më shoqëroi në shtrat e erdhi të më shihte disa herë. Isha shtrirë e
nuk lëvizja dot. Murgesha, duke më parë në atë gjendje, më dha një medalje të Nënë
Terezës. E mbështeti mbi pjesën e fryrë, që më dhimbte dhe me dorë, bëri mbi të shenjën
e kryqit. Motër Bartolomea dhe motër Ana luteshin tek kryet e shtratit. Më dhanë të
ha pak oriz e më thanë të flija. “Nuk mundem”, u thashë. Pastaj hëngra pak oriz dhe
më mori gjumi. Kishte kaq kohë që nuk flija. Kur u zgjova ndihesha e lehtë. Nuk e
di sa fjeta, por kur u zgjova vura re se nuk isha më e fryrë, e as kisha më dhimbje.
Sikur kishin fluturuar, unë ndihesha e lehtë pupël. Më parë kisha nevojë për dy vetë
që të më shoqëronin, ndërsa atë ditë, për herë të parë, lëviza vetë. E që nga ajo
ditë jam mirë, e jam mirë edhe tani. Të gjithë më kanë parë kur vuaja e kur u shërova.
Të gjithë e dinin, megjithëse askush s’erdhi të më shihte". Shtypi botëror ka botuar
vazhdimisht me hollësi diagnozat e mjekëve para e mbas shërimit, çudinë e tyre për
shërimin e mrekullueshëm, vërtetimin se një shërim i tillë nuk mund të arrihej me
rrugë mjekësore e sidomos tumori, tepër i madh, nuk mund të zhdukej kurrsesi brënda
një nate pa ndërhyrje kirurgjikale, ndërhyrje të cilën gruaja e re nuk mund ta bënte,
për shkak të gjendjes tepër të rëndë, në prag të vdekjes. Tani Monika, e shëruar
krejtësisht, me pamjen e një gruaje të re plot jetë, është në qëndër të vëmendjes
sot, kur Nënë Tereza, që ia ktheu rishtas fëmijëve e burrit të saj, po ngjitet në
nderimet e elterit. Ajo jo vetëm është shëruar, por ka ndryshuar krejtësisht mënyrën
e jetesës. "Mrekullia e bërë për mua me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, nuk është vetëm
ajo e 5 shtatorit 1998 - thotë gruaja e shèruar mrekullisht- Çdo ditë ndjej se familja
ime është nën mbrojtjen e përhershme të Nënë Terezës e ndërmjet nesh mbretëron gëzimi.
Për më tepër, kam zbuluar në shpirtin tim dhuratën për të ndihmuar të tjerët: shumë
njerëz më kërkojnë të lutem për ta, për shëndetin e ndonjë miku a të afërmi, për paqen
në familjet që kalojnë çaste të vështira. E unë i drejtohem gjithnjë Nënë Terezës
e Zonjës së Bekuar: e gjithnjë më shpesh më vijnë lajme që tregojnë se hiri hyjnor
nuk mungon!
Po kujtojmë, në vijim, etapat kryesore të procesit të beatifikimit,
deri te kjo ditë historike për të gjithë shqiptarët: më 12 dhjetor 1998
Papa Gjon Pali II i dha Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve lejën për hapjen e
procesit dioqezan i cili, sipas rregullave, mund të fillonte vetëm pas shtatorit të
vitit 2002; më 9 mars 1999 u caktua si postulator i çështjes, Atë Brian
Kolodiejchuk, rregulltar i Misionarëve të Bamirësisë; më 26 korrik 1999 në
Kalkutë u hap faza dioqezane e procesit me 15 kërkesa gjyqësore e me dëgjimin e 113
dëshmitarëve; më 15 gusht 2001 në Kishën e Shën Mërisë në Kalkutë përfundoi
procesi dioqezan: u mblodhën 80 vëllime me 35. 000 faqe; në shtator 2001 Kongregata
përkatëse miratoi dekretin mbi vlefshmërinë e procesit; në nëntor 2001 Kongregata
emëroi si relator, Imzot Josë Luis Gutierrez; më 26 prill 2002 në Vatikan
u dorëzuan katër vëllimet e asaj që njihet si "positio" nga ana e postulatorit të
çështjes së beatifikimit. Më 20 dhjetor 2002, në Sallën Klementine,
në Vatikan, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve shpalli 18 dekrete, që kanë të bëjnë
me lumnimin ose shenjtërimin e 9 Shërbëtoreve e 8 Shërbëtorëve të Zotit. Shumica punuan
në vreshtën e Zotit në Evropë, të tjerët, në Afrikë e Azi. Për Nënë Terezën
- Gonxha Bojaxhiu, shkruhet: (Motivacioni) "Murgesha imcake shqiptare, Nënë
Tereza e Kalkutës - Gonxha Bojaxhiu (1910 - 1997) në shekullin e kaluar qe simbol
botëror i dashurisë së krishterë. Pa i mbushur mirë 18 vjetët, duke iu përgjegjur
thirrjes për veprimtari misionare, hyri ndër motrat e Loretos, që e dërguan si mësuese
në Indí. Në Kalkutë zbuloi fytyrën e Krishtit të vuajtur në fytyrën e të varfërve
më të braktisur. Këtu në jetën e saj filloi kthesa e madhe. Themeloi për të varfrit
Misionaret e Misionarët e Bamirësisë. Sipas shembullit të saj, lindi një lëvizje e
gjërë impenjimi bamirës e shoqëror në dobí të njerëzve më të lënë mbas dore, më të
mjerë, më të harruar". Për Nënë Terezën e Kalkutës - Gonxha Bojaxhiun, veç asaj
që u tha më sipër, shtohet edhe se gëzon famë shenjtërie në shkallë botërore. Radhitet
kështu ndër shenjtorët, të cilët u lartuan në elter në një kohë rekord. Kujtojmë
se i lumturi i parë, shpallur vetëm 6 vjet pas vdekjes, është Serafino da Montegranaro;
vjen pastaj Shën Luigj Gonzaga, shpallur i lumtur më 1605, 14 vjet pas vdekjes; Josemaria
Escrivà - më 1992 - 17 vjet pas vdekjes; Maria Maddalena de' Pazzi - më 1626 -
19 vjet pas vdekjes; Anuarite Nengapeta, martire - më 1985 - 50 vjet pas vdekjes;
Francesca Cabrini - më 1938 - 21 vjet pas vdekjes dhe Shën Tereza e Krishtit
Fëmijë - më 1923 - 25 vjet pas vdekjes. Shembulli i tyre është i gjallë e aktual.
Propozon rishtas vënien e Krishtit në qëndër të jetës së Kishës e të besimtarit të
krishterë. 20 dhjetori 2002 do të mbetet datë historike për kombit shqiptarë:
këtë ditë u shpall dekreti që i njeh përfundimisht Nënë Terezës virtytet heroike dhe
një mrekullí, kryer me ndërmjetësinë e saj E tani - lumnimi, ndonëse pak kohë ka
kaluar nga 5 shtatori i vitit 1997, kur Themeluesja e Motrave dhe Vëllezërve të Bamirësisë
u nis drejt shtëpisë së Atit. Edhe salikimet e saj, që bashkuan rreth trupit të një
gruaje të vdekur përfaqësues të të gjitha feve, të varfër e të pasur nga mbarë planeti,
qenë një dëshmi e gjallë e admirimit që gëzonte rregulltarja e bamirësisë, e cila
u përcoll për në banesën e fundme me një kremtim që la gjurmë në historinë e shekullit.
Planeti mbarë nderonte atë grua, që ia kishte mjekuar plagët, duke shkelur personalisht
në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares e me moton e pamort
të Krishtit: "Në se i jepni një pikë ujë njërit prej këtyre të vegjëlve të mi, ma
keni dhënë mua!" Kudo shkoi, aju u përpoq të shuante pikërisht etjen e Krishtit, etjen
për Krishtin! Ishte datë e jashtzakonshme edhe 20 dhjetori 2002, historike
për Shqipërinë, prej nga buruan mesazhe ngamë entuziastet, duke filluar nga mesazhi
i Kryeipeshkvit Metropolit të Shkodrës, Imzot Angelo Massafrës: "Morëm vesh me
kënaqësí të thellë se Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve, në prani të Papës Gjon
Pali II vendosi që edhe Nënë Tereza të jetë në listën e të lumëve të rinj. Lajm i
pritur prej kohësh. Me padurim. Prandaj edhe të gjithë shqiptarët kënaqen për një
dhuratë kaq të madhe, që Zoti i bëri Shqipërisë e botës. Shqiptarja e madhe, duke
dashur t'i shërbente Zotit, e vuri jetën në shërbim të të të varfërve. Kështu nisi
atë rrugë, që e çoi në nderimet e elterit, duke na nderuar edhe ne, si shqiptarë e
duke u bërë shembull për të gjithë bashkatdhetarët, kudo që jetojnë. Prandaj mund
të themi se është ditë gëzimi të pakufishëm për të gjithë shqiptarët, Përmes saj,
Shqipëria do të njihet në botë jo vetëm për persekutimin nga regjimi komunist, i cili
ia mbylli dyert Nënë Terezës, por edhe për këtë grua të madhe, të shenjtë. Si kryeipeshkëv
i Shkodrës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, falënderoj Zotin,
që zgjodhi pikërisht një shqiptare për një mision kaq të rëndësishëm për ne e për
botën dhe i hapi rrugën drejt lumnimit pa i mbushur mirë pesë vjet nga dita kur kreu
shtegtimin e saj ndërmjet të varfërve të kësajë toke. Bëj thirrje që të gjithë shqiptarët
të gëzojnë e, sidomos, të ecin në gjurmët e saj dhe ta imitojnë dashurinë e saj për
Zotin e për njeriun. E ndërkaq Nënë Tereza i lutet Zotit për të gjithë shqiptarët,
pa kurrfarë dallimi". Ndërsa dom Lush Gjergjit, biografi i njohur i Nënë Terezës,
që ia ka kushtuar një pjesë të mirë të jetës përhapjes së mesazhit të saj në botë
shprehet kështu: "Pas afër 30 vjetësh njohje, shoqërimi dhe komunikimi të fenomenit
të dashurisë së saj dhe pas viteve të kalimit të saj në amshim, mund të them këtë:
"Nënë Tereza, mbi të gjitha, ishte dëshmi e gjallë dhe bindëse e tri virtyteve teologale
të krishtera: Fesë, Shpresës e dashurisë. Për të feja ishte shqetësim dhe kërkim i
vazhdueshëm i Zotit. Që në moshë 12 vjeçe nisi ta kërkonte vullnesën e Zotit. E
vijoi këtë kërkim edhe më pas, rreth të njëzetave, si motër e Loretos dhe gjatë tërë
jetës, deri në kthimin te shtëpia e Atit. E kërkoi dhe e gjeti Zotin tek njeriu,
në të cilin pau vëllaun e motrën në Atin qiellor. Për të, shpresa nuk ishte pritje
e kotë e pasive. Nuk ndenji kurrë duarkryq. Ishte gjithnjë në veprim, pa shqetësuar
njeri, përkundrazi, duke i nxitur e duke i frymëzuar të gjithë të bëjnë diçka të mirë
e të bukur për Zotin për njeiun. Feja e saj ishte kërkim e shpresa- veprim. Prej
tyre lindte dashuria e prej dashurisë - flijimi me gëzim. Nënë Teeza është dëshmitare
e rrallë e Fesë, Shpresës e Dashurisë. Ajo vërtetoi se kush beson e don, vepron e
jeton. Ajo na la trashëgim dëshminë se pa fe, dashuri e flijim, nuk ia vlen fare
të jetosh". Papa Gjon Pali II, që e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e ka quajtur
"dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve supermacinë
e dashurisë ungjillore, posaçërisht kur kjo dashuri gjen shprehjen e vet në shërbimin
që i bëhet më të poshtruarit ndërmjet vëllezërve e motrave tona. Po kujtojmë vetëm
disa nga vlerësimet e Atit të Shenjtë për Bijën e Madhe të shqiptarëve: "Nënë
Tereza e Kalkutës është shembull i jashtzakonshëm i misionit të heshur të bamirësisë,
që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e
dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve
më të varfër e më të braktisur. Në fytyrat e të mjerëve, pa fytyrën e Jezu Krishtit
i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të dihasë: "Kam etje!". E ajo iu përgjigj
kësaj dihame, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Zotit, duke ia dhuruar
vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që
vdisnin rrugash. Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza
la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjthnjë e kudo,
me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; u dha atyre, që shtypeshin nën
barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijën se nuk ishin të tepërt,
se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjthëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për
të gjitha krijesat e veta. Dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin
pa asnjë kusht të vetvetes - deri në grahmën e fundit. Kështu do ta kujtojmë gjithmonë,
duke u lutur që ta marrë shpërblimin e merituar në mbretërinë e Hyjit. Uroj që
shembulli shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës të jetë burim frymëzimi për familjene
saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!". E Nënë Tereza,
që sot po e shikojmë me emocion të thellë në elter, të nderuar nga e gjithë bota,
na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni…
lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë
të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ato do ta duan njëri-tjetrin, ashtu
si Zoti e do secilin. Ja përse këtu në Shqipëri, ne këmbëngulim shumë për të çuar
lutjen, bashkimin dhe dashurinë në çdo familje. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”
Në këtë ditë, ndër më të gëzueshmet në historinë e Kombit shqiptar, që i fal botës
njërën nga shenjtoret më të mëdhá të kohëve moderne, urojmë që së shpejti pranë Nënës
të të varfërve, të lartojmë në elterët tanë - disa herë të shembur e rishtas të ngritur
mbi gjak e eshtra, edhe 40 martirët, për të cilët sapo është hapur çështja e beatifikimit.
Gëzuar, pra, këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët, pa asnjë dallim, ashtu si
i desh e si punoi për ta Nëna jonë e Madhe!