Atë Pal Dodaj, martir e intelektual françeskan në përvjetorin e vdekjes.
Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 5 shtator përkujtojmë përvjetorin
e vdekjes së françeskanit shqiptar Atë Pal Dodajt ofm, të parin provincial
shqiptar të Provincës Françeskane të Zojës Nunciatë, mbrojtës i vlerave ungjillore,
kultivues i idealeve të lirisë e të pavarësisë, martirizuar nga komunistët. Atë
Pal Dodaj lindi në Janjevë afër Prishtinës, në Kosovë, më 3 shtator të vitit 1889.
Ende i vogël, shkoi në Shkodër për t’u shkolluar ndër Etërit Françeskanë, me synimin
që të vishte zhgunin e Shën Françeskut të Asizit. Nisi prandaj mësimet në Kolegjin
e Troshanit, ndërsa noviciatin e jetës rregulltare si dhe studimet filozofike e teologjike
i kreu në Firence të Italisë. Aty, më 19 korrik 1902 kremtoi edhe Meshën e Parë, për
t’u kthyer menjëherë në Atdhe, i gatshëm për t’i shërbyer Kishës e Kombit. Filloi
punën si profesor i filozofisë, ndërsa u caktua edhe si epror Guardian e më pas, epror
provincial i parë shqiptar i Provincës Françeskane Shqiptare, I dashur me të gjithë,
Atë Pal Dodaj solli në provincë frymën e gëzimit të vërtetë françeskan, të paqes e
të të mirave. Atë Pal Dodaj njihet edhe si mbrojtës e mbështetës së njerëzve që kultivonin
kulturën e ndihmonin çështjen e Kombit Shqiptar. Kuvendin Françeskan të Rubikut e
ktheu në strehë mbrojtjeje për të përndjekurit nga padrejtësitë e një kështjellë të
idealeve të lirisë e të pavarësisë. Atë Pal Dodaj qe historian e publicist. Botoi
në revistën “Hylli i Dritës” e në shumë revista të huaja. Ishte bashkëpunëtor i rregullt
i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. La pas vete edhe vepra të rëndësishme
si kronika, “Shqipnia e kohës së mesme” (1913), “Dorëshkrimet e Atë Gjeçovit” (Romë
1936), Provinça misionare e Zojës Nunciatë në Shqipëni” (1923). Veprimtaria e françeskanëve
në Shqipni (Milano 1940); së bashku me Atë Gjergj Fishtën e Zef Schiroin përktheu
në italisht “Kanunin e Lekë Dukagjinit” që u botua nga Akademia Italiane në Romë më
1941. Për të gjitha këto e veprimtari tjera në fusha të ndryshme në shërbim të
popullit e Kishës, Atë Pal Dodaj ka merita të padiskutueshme sepse punoi dhe i shërbeu
“Dritës së Vërtetë” e regjimi komunist e arrestoi dhe e dënoi duke e torturuar mizorisht
sepse ishte errësirë e, derisa i afrohej vdekjes, për shkak të moshës së shtyrë, e
dënoi edhe me pushkatim, dënim që iu kthye në burgim të përjetshëm, prej nga e liroi
shumë shpejt motra vdekje, që erdhi dhe e mori për dore në një nga qelitë e burgut
komunist më 5 shtator 1951, për ta sjell në Dritën e Vërtetë të Amshimit.