2012-09-04 16:21:52

“Në jetë e pas vdekjes”


13. Leksionet e Nënë Terezës: “Në jetë e pas vdekjes”.
Nënë Tereza është një nga ato figura, që i foli botës sa ishte gjallë e vijon t’i flasë edhe pas vdekjes. Leksionet e saj vijojnë. Mjafton të kujtojmë se në sa shkrinte jetën mbi trupat e shprishur të të varfërve më të varfër, bota e sodiste me çudi, mosbesim e admirim për veprën saj të pashembullt, të cilën pak nga pak niste ta vlerësonte me çmimet më të larta. Vlerësimet e para i erdhën nga Azia, duke nisur prej vitit 1962, kur iu dorëzuan çmimet Magsaysay dhe Padma Shri, shoqëruar edhe me një shumë të madhe parash, që u përdor menjëherë për të hapur një shtëpi për fëmijët e braktisur në Indinë veriore.
E që asokohe Nëna e të varfërve nisi të bëhej e njohur edhe në pjesën tjetër të botës, në atë pjesë ku varfëria ka dy fytyra, atë të lindjes e atë të perëndimit, fytyrën njeriut të uritur për bukë e për dashuri. Atëherë çmimet, laurat honoris causa, diplomat, medaljet, urdhërat, titujt qytetare nderi, vlerësimet e të gjitha tipeve (e edhe polemikat) vërshuan nga të katër anët, për të arritur kulmin me Çmimin Nobel për Paqen, në vitin 1979. Ndërmjet motivacioneve, theksohej impenjimi i saj për të varfërit më të varfër dhe respekti për vlerën dhe dinjitetin e çdo njeriu.
Nënë Tereza nuk e pranoi gostinë tradicionale, që shtrohej për nder të fituesit të çmimit të madh. Deshi që 6000 dollarët e banketit të shpenzoheshin për të varfërit e Kalkutës, të cilët me këto para mund të shuanin urinë për një vit të tërë. “Shpërblimet tokësore kanë rëndësi, vetëm nëse përdoren për të ndihmuar nevojtarët e botës”, pati thënë me këtë rast.
Nënë Tereza është gruaja e dytë në Indi, pas Indira Gandit, që meritoi titullin më të lartë të vendit, Bharat Ratna.
E gjatë është lista e çmimeve dhe e vlerësimeve, duke nisur nga viti 1962, me Çmimin Magsaysay për Paqen e mirëkuptimin ndërkombëtar, për të vijuar me çmimin Gjoni XXIII për paqen (1971), Çmimin Kenedy (1971), Templeton (1972) e deri tek titulli Qytetare nderi e SHBA, shoqëruar me medaljen e artë të Kongresit, për të fituar, më në fund, edhe Titullin më të lartë të vendlindjes, “Nderi i Kombit”, atij Kombi që, pasi e pati mohuar, nisi të krenohej me Të e për Të.
Ajo, që më 1995 ishte shpallur “Dama e Kryqit të madh të Mbretëreshës Jelena” e që më 19 tetor të vitit 2003, pak kohë pas vdekjes, mori titullin më të lartë, që mund të marrë njeriu i vdekshëm, “e Lume”, do të mbetet në kujtesën e njerëzimit edhe për një titull tjetër, thellësisht simbolik: “Dama e Urdhrit të Buzëqeshjes”.
Me buzë në gaz u shërbeu një jetë të tërë njerëzve, që shoqëria njerëzore i kishte përjashtuar nga radhët e saj, me buzë në gaz priti kritika e deri sulme nga shtypi kundërshtar, që nuk deshi t’ia njihte virtytet e rralla, deri në heroizëm; me buzë në gaz jetoi e buzagaze edhe vdiq. Me buzë në gaz i shikoi, nga fasada e Bazilikës së Shën Pjetrit turmat vigane, që u mblodhën në atë Shesh historik, për të marrë pjesë në kremtimin e Lumturimit. E, në dashtë Zoti, ashtu buzagaze do të na shikojë edhe kur të shpallet Shenjte!
Pas vdekjes, Nënë Tereza na flet edhe nga numër i pallogaritshëm shkrimesh, artikujsh, librash, dokumentarësh, filmash artistikë, vizatimorë, kompozimesh muzikore, në sa shumë njerëz, nga të katër anët e botës, vijojnë të mahniten nga vepra e Themelueses së Motrave të Bamirësisë e të gërmojnë në jetën e Asaj, që vijon të ndriçojë botën me buzëqeshjen, e cila i buron nga dashuria për Krishtin e për njeriun. Ngado që na flet, leksionet e saj nisin me fjalët ungjillore të Jezu Krishtit: “Ma keni bërë mua”.







All the contents on this site are copyrighted ©.