2012-09-04 14:55:51

Qipro: filloi takimi i Kishave evropiane mbi kohezionin shoqëror


Me urimin e mirëseardhjes së imzot Youssef Soueif, nga kryeipeshkvia e maronitëve të Nikozisë në Qipro, u hap zyrtarisht mbrëmë, takimi mbi kohezionin shoqëror në Evropë, organizuar nga Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane. Pasi morën pjesë në meshë dhe në lutjet mbrëmësore, ipeshkvijtë e pranishëm u pritën nga kryetari i bashkisë së Nikozisë, që kujtoi veprimtaritë e presidencës qipriote të Bashkimit Evropian, në të cilat bën pjesë edhe ky takim. Dëshira e qipriotëve është që kryeqyteti i tyre, i pasur me art e kulturë, të deklarohet në vitin 2017 “kryeqytet evropian i kulturës”. Nikozia është e ndarë më dysh nga muri, përtej të cilit, shtrihet pjesa turke e Qipros, e njohur zyrtarisht vetëm nga Turqia. Është emblematike, që mbledhja për të reflektuar mbi kohezionin shoqëror në Evropë, bëhet pikërisht në këtë vend, ku kohezioni është akoma sfidë për t’u përballuar.
Sot paradite, në takim, foli, ndërmjet të tjerëve, pedagogu italian Vincenzo Buonomo, dekan i Fakultetit të së Drejtës Civile në Universitetin Papnor Lateranens të Romës. E pyetëm cila mund të jetë politika e kohezionit shoqëror në Evropë, para krizës ekonomike dhe prirjeve për të dalë nga Bashkimi Evropian e nga Eurozona?
Në këtë moment, Evropa diskuton për të ardhmen me një strategji për kohezionin shoqëror, që quhet “Strategjia 2020”, në të cilën ka disa pika themelore për integrimin ekonomik të kontinentit. Gjatë krizave ekonomike vërehet pikërisht mungesa, ose pakësimi i reflektimit mbi temat etike, mbi vlerat, që duhet ta mbështesin këtë integrim. Megjithëse, sipas Traktateve kushtetuese, veprimtaria ekonomike në Bashkimin Evropian zë vendin e parë, natyrisht, nuk mund të harrojmë se njeriu jeton në një kuadër shoqëror, ku mbizotërojnë situata me karakter etik, kulturor, apo fetar. Pikërisht këto, as që merren parasysh. Para një krize, që ka përfshirë të gjitha vendet evropiane, duhet menduar se problemi nuk qëndron vetëm në financën, apo në dallimet ndërmjet ekonomive e bankave, por edhe në krizën e vlerave themelore, bazë e jetës së njeriut dhe e integrimit të tij shoqëror.
Cili është roli, që mund të luajë Kisha në këtë drejtim?
Këtu, po del në dritë një perspektivë, fryt i reflektimeve të episkopateve të ndryshme: Kisha duhet të bëhet protagoniste përmes shoqatave të saj, përmes forcave të saj. Të bëhet protagoniste e kohezionit shoqëror, jo vetëm të plotësojë ç’nuk bëjnë institucionet, si kombëtare, ashtu edhe evropiane. Takimi i Qipros duhet të dalë me disa direktiva për episkopatet kombëtare. Është interesant referimi në rrënjët e integrimit evropian: Deklarata e Shumanit e vitit 1950 përcaktonte solidaritetin dhe susidiaritetin si dy elemente kryesore të kohezionit shoqëror. Duhet t’u kthehemi edhe një herë këtyre bazave, nëse duam integrim të vërtetë evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.