Filloi sot në Jaundé të Kamerunit e do të përfundojë më 9 shtator, Kongresi i dytë
panafrikan i laikëve katolikë, me temë “Të jesh dëshmitar i Jezu Krishtit në Afrikën
e sotme. ‘Kripa e Tokës… drita e botës’(Mt 5,13-14)”. Kongresi, i organizuar nga Këshilli
Papnor për Laikët, zhvillohet pas vizitës së Papës Benedikti XVI në Kamerun e Angola
në vitin 2009 e, në Benin, në vitin 2011. Mbi objektivat e Kongresit, flet në mikrofonin
tonë, kardinali Stanislau Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët: Kongresi
dëshiron të rizgjojë në laikët katolikë frymën e përgjegjësisë së përbashkët e të
impenjimit të domosdoshëm në misionin e kumtimit të Krishtit në kontinentin afrikan.
Të jemi misionarë e ta dëshmojmë fenë është pjesë e identitetit tonë të krishterë.
E gjithë Kisha është misionare, është në natyrën e saj. E në kohët tona, misioni ungjillëzues
i Kishës në Afrikë duhet të përballojë sfida të vështira, ka përpara skenarë të rinj
në fushën fetare, shoqërore, kulturore, ekonomike dhe politike. Një nga objektivat
kryesore të Kongresit është reflektimi i kujdesshëm mbi përgjigjet që mund t’u japë
atyre laikati afrikan.