2012-09-04 16:09:05

Festa liturgjike kishtare e së Lumes Nënë Terezë


Më datën 5 shtator, dëgjues të nderuar, përkujtojmë 15° vjetorin e kthimit në shtëpinë e Atit Qiellor të së Lumes Nënë Terezë, e po në këtë datë, Kisha katolike kremton edhe festën liturgjike të së Lumes Gonxhe Bojaxhiut. Shenjtërimi heroik i jetës së saj na siguron se vdekja e saj në jetën tokësore ka qenë edhe lindja e saj përjetësisht në Qiell pranë Hyjit Atë.
Pra, kanë kaluar dymbëdhjetë (15) vjet nga data e 5 shtatorit të vitit 1997, kur Themeluesja e Motrave dhe të Vëllezërve të Bamirësisë, e Lumja Nënë Terezë, është kthyer në shtëpinë e Atit Qiellor. Edhe salikimet e saj, kremtuar në Kalkutë të Indisë, që bashkuan përfaqësues të të gjitha feve, personalitete botërore të të gjitha fushave, të varfër e të pasur nga mbarë planeti, qenë një dëshmi e gjallë e admirimit që gëzonte rregulltarja shqiptare e bamirësisë, e cila u përcoll për në banesën e fundme me një kremtim që la gjurmë në historinë e shekullit. Planeti mbarë nderonte gruan, që ia kishte mjekuar plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur të mbarë botës, duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares dhe me moton e pamort të Krishtit: "Në se i jepni një gotë ujë njërit prej këtyre të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!" Kudo shkoi, e Lumja Nënë Terezë u përpoq të shuante me dashuri pikërisht etjen e Krishtit, etjen për Krishtin!
Papa i Lumi Gjon Pali II, që e vlerësoi, madje e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, të Lumen Nënë Terezë e quajti "dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria Ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurve e nëpërkëmburve ndërmjet vëllezërve e motrave tona.
Në festën liturgjike që Kisha katolike kremton më 5 shtator, që përkon me përvjetorin e kthimit të së Lumes Nënë Terezë në shtëpinë e Atit Qiellor, pa u ndaluar tek imtësitë e jetëshkrimit të saj, që kujtohen, rikujtohet e kremtohet liturgjikisht në mbarë botën, po e kujtojmë këtë gjigante të fesë, të dashurisë e të bamirësisë me fjalët e Papës të Lumit Gjon Palit II:

"Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë së Zotit, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur. Në fytyrat e të mjerëve, Nënë Tereza pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të klithë: "Kam etje!".
E ajo iu përgjigj kësaj klithje hyjnore që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja e Krishtit mbi Kryq, duke ia dhuruar vetveten pa kursim njerëzve të varfër, të braktisur, të vuajtur, të vetmuar, atyre që vdisnin rrugësh.
Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; atyre që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota. Të mënjanuarve e atyre që nuk kishin shpresë, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të refuzuar, por ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta, e posaçërisht për ta, siç na mësojnë Lumnitë Ungjillore.
E Lumja Nënë Terezë e dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes, deri në grahmën e fundit. Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke iu lutur të ndërmjetësoi për ne e nevojat tona pranë Atit qiellor.
Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”.
Kështu pra është shprehur mes tjerash Papa Gjon Pali II që e lartoi në nderimet e elterit Nënë Terezën më 19 tetor 2003, e ne sot të Lumen Nënë Terezë e shikojmë me emocion të thellë e cila tanimë nga elteri nga na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara e në harmoni. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ata do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin.
Kisha është Korpi i Krishtit, është Nëna jonë”, thoshte Nënë Tereza duke i ftuar të gjithë e posaçërisht ne sot :”ta dhurojmë vetveten me Krishtin e për Krishtin. për të mirën e njerëzve, të të gjithë njerëzve. Lëreni Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj. Ai na fton që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi Ai, deri në dhembje.
Nuk na lejohet të themi “E dua Zotin, por nuk e dua të afërmin tim”. Si mund ta duash Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të?

Përpiquni ta çoni Zotin në familje, sepse familjet që luten së bashku qëndrojnë së bashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të rrimë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim në shtëpitë tona paqen, gëzimin, fuqinë e pranisë së Zoti”.
Kundrim e veprim, ungjillëzim e shërbim njerëzor: kjo është ikona e Nënë Terezës që e kumtoi Ungjillin e dashurisë së Krishtit me jetën e saj, të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht ia kushtoi lutjes drejtuar Zotit.
Kush takohet me Jezusin, kush lejon të tërhiqet prej Tij dhe është i gatshëm ta ndjekë deri në sakrifikimin e jetës, siç bëri e Lumja Nënë Terezë, ai njeri provon personalisht sikur ka bërë edhe Krishti se vetëm “kokrra e grurit” që bie në tokë e vdes sjell “shumë fryt”.
Rruga e Krishtit është “rruga e dashurisë së plotë që fiton kundër vdekjes. Kjo është përvoja e jashtëzakonshme, e përjetuar nga e Lumja Nënë Terezë, Apostulle e Dashurisë, që e ndoqi Jezusin udhëve të mjerimit të njerëzit nëpër botë. Kush jeton në Zotin që në këtë tokë, tërhiqet e shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij Hyjnore. Këtë na dëshmon jeta dhe vepra e së Lumes Nënë Terezë, të cilën Kisha përmes festë së saj liturgjike na e paraqet si shembujt të ndritur dhe na fton ta ndjekim në jetën tonë të përditshme.
Kjo është përvoja e miqve të vërtetë të Zotit, shenjtërit e posaçërisht e Lumja Nënë Terezë, që kanë njohur dhe dashur tek vëllezërit, veçanërisht tek më të varfrit dhe nevojtarët, tek të përbuzurit e të mënjanuarit fytyrën e atij Zoti, të cilin aq gjatë e ka kundruar me dashuri në lutje. E Lumja Nënë Terezë është për ne shembull nxitës për t’u imituar; ajo na siguron se nëse ecim me besnikëri kësaj rruge ungjillore, rrugës së dashurisë, edhe ne – siç thotë Psalmisti – do të mbushemi me praninë e Zotit.”
Në përfundim të këtij përkujtimi liturgjik, t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Vojtila për të Lumen Nënë Terezë, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumturimit të saj më 19 tetor 2003:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e këtë bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e saj”.
Nga Ungjilli i shenjtë sipas Mateut.
Në atë kohë, Jezusi pa një turmë të madhe populli e tha:
31 “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.
34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’
37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’
Fjala e Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.