2012-09-04 16:22:03

14. Leksionet e Nënë Terezës: “Të jesh një pikë e pastër uji


14. Leksionet e Nënë Terezës: “Të jesh një pikë e pastër uji
Përmes kësaj rubrike, ndoqëm shumë nga leksionet e Nënë Terezës, në fusha të ndryshme të veprimtarisë së saj. Po sot është ora e katekizmit. Fillon me një pyetje, që na drejtohet të gjithëve e secilit nga ne: “Sa orë në ditë lutesh”? Mbetemi të çuditur nga kjo pyetje, sepse prisnim të na bënte një thirrje të re për dashuri, një ftesë për t’u shërbyer të varfërve të e saj. Pse po na pyet sa orë në ditë lutemi? – i themi.
E Nënë Tereza shpejton të na përgjigjet: ‘Bijtë e mi, pa Zotin jemi tepër të mjerë; pa Të nuk mund të ndihmojmë as veten, le pastaj të varfrit. Mos harroni: unë nuk jam tjetër, veçse një grua e varfër, që lutet. Duke u lutur, Zoti ma mbush zemrën me dashuri, që të mund t’i dua të varfrit. Një zemër e zbrazët, nuk mund të dojë askënd. E kjo është e fshehta ime: Zoti, duke iu lutur, ma mbush zemrën me dashurinë e tij.
Lutem gjithkund, gjithnjë. Edhe kur shkova për të marrë Çmimin Nobel, në duart e mia, të rrënuara nga puna e rëndë, kisha Rruzaren Shenjte. Gjë e rrallë për atë tribunë, ku nuk ishte ngjitur kurrë Rruzarja. Po askush nuk pati guxim të më qortojë për devocionin ndaj Zojës së Bekuar, edhe pse tokë rreptësishtë luterane.
Në sa kthehesha prej Oslos, u ndala pak në Romë, në shtëpinë e varfër të Misionareve të Bamirësisë, në lagjen romake në Çelio. Më priste një mori gazetarësh, që më rrethuan e më sulmuan me pyetje. Nuk ika prej tyre, përkundrazi, i prita si bij, duke u dhuruar të gjithëve medaljen e Zojës së Bekuar të Papërlyer. Ata s’pushuan së pyeturi e së fotografuari. Njëri prej tyre, duke më lëshuar një vështrim çapkën, më pyeti: ‘Nënë, ju jeni shtatëdhjetë vjeçe. Kur të vdisni, bota do të jetë siç ka qenë. Çfarë ka ndryshuar, pas gjithë kësaj djerse që derdhët për të e për të varfrit e saj?’. Pyetja më bëri të vë, pa dashur, buzën në gaz. M’duk sikur më ledhatoi, duke ma drejtuar këtë pyetje, aspak të lehtë. Ia ktheva: ‘Shiko, djalo, unë nuk kam menduar kurrë se mund ta ndryshoj botën! Përpiqem vetëm të jem një pikë e pastër uji, në të cilën të mund të vezullojë dashuria e Zotit. Ju duket pak?’.
Ai mbeti me gojë kyçur, ndërsa rreth meje mbretëroi një heshtje e thellë, emocionuese. E theva, duke iu drejtuar gazetarit, që më kishte pyetur, e duke e këshilluar: ‘Përpiqu edhe ti të jesh një pikë e pastër uji e kështu do të jemi dy pika. Jeni i martuar?’. ‘Po nënë!’. ‘Thuaji edhe gruas e kështu do të jemi tri. Po fëmijë, a keni?’. ‘Tre fëmijë, Nënë’. “Ç’mrekulli, atëherë do të jemi gjashtë...’.
Nuk ishte nevoja për më shumë fjalë: kisha thënë se secili nga ne ka një kapital të vogël, por të domosdoshëm dashurie; pikërisht këtë kapital duhet të përpiqemi ta investojmë: fjalët e tjera janë fukarallëk, polemikë shterpë, maskë për të fshehur egoizmin, në një botë ku duhen bërë shumë vepra dashurie, në mbrojtje të njeriut, të jetës e të dinjitetit të tij.
Jeta është dhurata më e madhe e Zotit. Prandaj të dhemb shpirti, kur shikon atë që ngjet para syve tanë: jeta sulmohet në një mijë mënyra, shkatërrohet me dashje nga luftërat, nga dhuna, nga aborti. E pra Zoti nuk na krijoi për të luftuar, për t’u urryer, për t’u kacafytur njëri me tjetrin. Na krijoi për gjëra shumë më të mëdha: të duam e të duhemi”.
Këto fjalë të Nënë Terezës vijojnë të ndrisin si rreze dielli në errësirën e kohëve të vështira, që kalon njerëzimi. Ajo na kujton thënien e Shën Bonaventurës, kushtuar Shën Françeskut: “Askush nuk e deshi pasurinë, sa Shën Françesku varfërinë”.
Kështu ishte Nënë Tereza. Një lumë i pastër feje, përplot me vepra dashurie. Një grua imcake, që duke u lutur para Tabernakullit, përhapte rreth vetes dritën e dashurisë. E njerëzve u dukej se vetë Zoti e shikonte botën plot dashuri, me sytë e kësaj gruaje. Sepse, siç i pëlqente të përsëriste Nënë Terezës, God is love- Zoti është dashuri!” Nënë Tereza ishte e thjeshtë, e kulluar, e përvuajtur, ungjillore. Fare pranë Jezusit të Kryqëzuar që, pa u shkëputur nga kryqi, e puthte në ballë çdo ditë, para se të nisej në udhët e pafundme të botës së të mjerëve, për t’u dhuruar një pikë të pastër uji, nga zemra e saj e përkushtuar, për të shuar etjen e Zoti për dashuri!







All the contents on this site are copyrighted ©.