2012-09-03 17:09:06

Treditëshi i festës të së Lumes Nënë Terezë në Prishtinë


Në Prishtinë filloi treditëshi për festen liturgjike të Kishës katolike të së Lumes Nënë Terezë, që do të kremtohet të mërkurën me 5 shtator në Katedralen e kryeqytetit të Kosovës. Më hollësisht nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie Ibrajt.........RealAudioMP3

Në Meshën e së dielës së kaluar, famullitari i bashkësisë Kishtare të ‘Shëna Ndout’ në Prishtinës don Rrokë Gjon Lleshaj bëri të ditur se ka filluar treditëshi i kremtimeve e aktivitete shpirtërore, kushtuar së Lumes Nënë Terezë, si përgatitje për Festën e madhe liturgjike, e cila kremtohet kètë të mërkurë me 5 shtator në Katedralen e Prishtinës që bartë emrin e Shenjtës shqiptare. Në këtë festë do të kremtohet Mesha solemne dhe janë në program takime të ndryshme, ku kujdes i veçantë do t’u kushtohet fëmijëve, pleqve dhe të rinjve.

Po të dielën, Mesha e mbrëmjes iu dedikua fëmijëve që për herë të parë nisin rrugëtimin e dijes dhe nxënësit e tjerë në fillim të këtij viti shkollor, i cili ka nisur më 3 shtator. Me këtë rast Vikari i Përgjithshëm i Kishës së Kosovës, don Lush Gjergji, i bekoi nxënësit me librat e pajisje tjera shkollore. Ai iu lut të Lumes Nënë Terezë për ndërmjetësim tek Zoti për shëndetin e fëmijëve dhe suksese e mbarësi gjatë vitit të ri shkollor.

Më 3 shtator, Mesha e mbrëmjes në Kishën e ‘Shëna Ndout’ në Prishtinë, iu kushtua të sëmurëve dhe pleqve.
Më 4 shtator në Katedralen ‘ Nëna Terezë’, mbahet takimi i rinisë nga të gjitha famullitë kishtare të Kosovës e me këtë rast kremtohet edhe Eukaristia e Shenjtë. Pas Meshës në orën 20,00 në sheshin qendror të Prishtinës që mban emrin e të Lumes ‘Nëna Terezë’, tek shtatorja e saj, do të ndezën qirinj, do të mbahen lutje e dhe këngë për nderim të saj. Më pas të rinjtë serish do të kthehen në Katedrale për një çast përshpirtërie në adhurimin e të Shenjtueshmin Sakrament të Eukaristisë.

Kulmi i festës të së Lumes Nënë Terezë në Katedrale të Prishtinës, do të jetë të mërkurën më 5 shtator para dite në ora 11.00 me kremtimin e Meshës solemne të cilën do ta kryesojë ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji.
nga Prishtina njofton Rabie Ibraj







All the contents on this site are copyrighted ©.