2012-09-03 16:06:44

Patriku Gregorios Laham: vizita e Papës në Liban është një mesazh paqeje për gjithë Lindjen e Mesme


Jo vetëm Papa është i lumtur që do të shkojë në Liban, pavarësisht nga gjendja e vështirë politike, që ndjehet në vend, por edhe Libani po e pret me padurim Benediktin XVI. Vizita e tij shihet me shpresë jo vetëm nga bashkësia e krishterë, por nga krejt shoqëria libaneze e madje, nga e gjithë Lindja e Mesme. Kështu thekson në mikrofonin tonë, Patriku i Antiokisë, greko-melkiti Gregorios III Laham:
Jemi vërtet shumë të gëzuar, që Ati i Shenjtë mund të vijë për shtegtim në këtë vend, që është pjesë e Tokës Shenjte. Është vend shumë mikpritës, pavarësisht nga vështirësitë e nga frika, që e përshkon në këtë çast. Ati i Shenjtë do të vijë. Ky është gëzimi i të gjithë libanezëve.
Çfarë rëndësie ka ky udhëtim për dëshminë e përbashkët të të krishterëve në rajon, në një çast kaq delikat?
Vizita është në Liban, por përmes Libanit, është udhëtim në të gjithë Lindjen e Mesme, pikërisht sepse Libani është mesazh, siç thoshte Gjon Pali II: Libani është i vogël, por është mesazh për gjithë botën, sidomos për Lindjen e Mesme. Gjatë kësaj vizite, Papa do të nënshkruajë e do të na dorëzojë Nxitjen Apostolike pas Sinodit të Lindjes së Mesme, që është fryt i mendimit të të gjithë ipeshkvijve e patrikëve të Lindjes, të cilët morën pjesë në Sinod. Kjo është shenjë dashurie dhe nxitjeje nga ana e Atit të Shenjtë për Libanin, për Lindjen e Mesme.
Libani, Siria, e gjithë Lindja e Mesme ka nevojë për paqe. Sa ndikon në këtë drejtim vizita e Papës?
Paqja është pasuri për të gjithë ne, prandaj kjo vizitë është shumë e rëndësishme. Është një mesazh paqeje për Libanin, por sidomos për Sirinë. Të mos harrojmë se Ati i Shenjtë, në këto 18 muaj konflikti në Siri, ka folur 15 herë për të e, në shumë raste të tjera, ka bërë thirrje për paqe, për dialog, për bashkim. Pra, Ati i Shenjtë e ka vërtet për zemër Sirinë e mendoj se do t’i drejtojë një mesazh të veçantë.
Një nga çastet më të rëndësishme të vizitës do të jetë sigurisht, takimi i Papës me krerët myslimanë. Sa mund ta ndihmojë kjo dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve e ç’ndikim mund të ketë në forcimin e lirisë fetare në Lindjen e Mesme?
Kemi dialogun e jetës, sidomos në Liban e, edhe një dialog kushtetues, sepse Kushtetuta merr parasysh të gjitha grupet: myslimanët, të krishterët, druzët, shiitët… pra, Libani paraqet një bashkëjetesë historike e kushtetuese. Takimi me krerët islamikë besoj se do të jetë edhe një mesazh për të gjithë myslimanët e Lindjes së Mesme, sidomos në situatat, ku rreziku vjen nga ekstremistët. Nëse dialogu ka rezultat në Lindjen e Mesme, pavarësisht nga gjendja aktuale, do të thotë se është i mundur për të gjithë botën. E besoj se Ati i Shenjtë do të shqiptojë fjalë shumë të rëndësishme për forcimin e këtij dialogu e të kësaj bashkëjetese, për ndërtimin e përbashkët të një bote më të mirë në Liban e në Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.