2012-09-03 12:44:51

Me 3 shtator kalendari kujton shën Gregorin e Madh, Papë


Me 3 shtator, Kisha kremton festën e Shën Gregorit të Madh, Papë. Ai ishte pranë nevojtarëve, sepse qe bërë një me Hyjin. Pra, sot me 3 shtator Kisha katolike kremton festën liturgjike të Shën Gregorit të Madh, Papë e Doktor i Kishës.
Shën Gregori romak e murg është ndër papët më të mëdhenj në historinë e Kishës. Me largpamësi profetike, Gregori e kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga takimi mes trashëgimisë romake dhe popujve të ashtuquajtur “barbarë”, falë forcës së lidhjes e ngritjes së lartë morale të Krishterimit.
Shën Gregori i Madh ishte i jashtëzakonshëm, i madh në zellin apostolik e i përvujtë në shërbim të Kishës, shërbëtor i shërbëtorëve të Hyji. Jeta e tij, që zgjati nga viti 540 deri në vitin 604, qe e jashtëzakonshme: në moshën 30 vjeçare u bë prefekt i Romës; murg më vonë; e më pas u zgjodh papë, pa dëshirën e vet. Ishte një papë që bashkoi aftësinë administrative, të fituar si nëpunës perandorak, me stilin kundrues e asketik të jetës oshënare. Gregori i Madh shkruante kështu mes tjerash: “Jeta e bariut të shpirtrave duhet të jetë sintezë e drejtpeshuar e kundrimit dhe e veprimit, e frymëzuar nga dashuria, që prek majat e larta kur përkulet plot mëshirë mbi shqetësimet e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur para mjerimit të tjetrit, është masa e forcës së sulmit drejt lartësisë”. (II,5)
Në ndryshim nga perandori bizantin, që mendonte se longobardët s’ishin tjetër, veçse një turmë me njerëz të pagdhendur e grabitqarë, të cilët duheshin shpartalluar e shfarosur, Shën Gregori i shikonte me sytë e bariut të mirë, që dëshiron t’ua kumtojë dhe atyre fjalën e shëlbimit, duke lidhur me ta, marrëdhënie vëllazërore.
Njihte thellësisht Shkrimin Shenjt, Biblën, që vijonte ta lexonte me fe e përvujtëri, e me të njëjtën përvujtëri e fe ua shpjegonte besimtarëve: “Përvujtëria intelektuale është rregulli kryesor për atë, që kërkon të depërtojë në realitetet e mbinatyrshme, duke u nisur nga Libri i Shenjtë, Bibla. Përvujtëria nuk e përjashton studimin serioz, por është e domosdoshme, në se duam që ky studim të jetë shpirtërisht i frytshëm, duke i krijuar studiuesit mundësinë të hyjë në thellësi të teksteve. Vetëm kështu mund të dëgjohet e të perceptohet me të vërtetë zëri i Zotit. Nga ana tjetër, kur kujtojmë Fjalën e Hyjit, duhet të kemi parasysh se nuk mjafton ta kuptosh, në se kuptimi i saj nuk të nxit edhe të veprosh”.
Shën Gregori i Madh zhvilloi një veprimtari të dendur baritore e civile, reformoi muzikën liturgjike e cila, nga emri i tij, u quajt këngë ‘gregoriane’. Pati në qendër të vëmendjes të varfrit. “Ishte njeri që qe bërë një me Zotin. Kishte etje të pashuar për praninë e Hyjit, të cilin e ndjente deri në thellësi të shpirtit. E pikërisht për këtë arsye, ishte gjithnjë pranë njeriut, pranë të gjithë nevojtarëve të kohës së vet. Në këtë kohë tepër të vështirë, madje të dëshpëruar, Shën Gregori i Madh diti të sjellë paqe e të japë shpresë. Ky njeri i Hyjit na tregon se ku mund të gjinden burimet e vërteta të paqes, na mëson prej nga vjen shpresa e vërtetë, prandaj mund të themi me plot bindje se edhe sot e kësaj dite mbetet prijës për ne”, tha Papa aktual Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 28 majit të vitit 2008.
*****
Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 4 shtatorit 2006 Benediktit propozoi Shën Gregorin e Madh, Papë të Mesjetës e model për barinjtë dhe autoritetet civile të mijëvjeçarit të tretë.
Jeta e bariut të shpirtrave duhet të jetë një sintezë e drejtpeshuar kundrimi dhe veprimi.” tha Papa dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Castel Gandolfo duke sjellë ndërmend kujtimin e sotshëm të Shën Gregorit të Madh Papë. Një figurë – tha Ati i Shenjtë – që është model qoftë për barinjtë e Kishës qoftë për nëpunësit e administratës. Një papë i mesjetës, shembull për barinjtë e Kishës dhe për nëpunësit e administratës të mijëvjeçarit të tretë. Benedikti XVI portretizoi figurën e Shën Gregorit të Madh, që jetoi prej 540 deri në 604 mb.K., në fillim prefekt i Romës, kur ishte vetëm 30 vjeç, pastaj murg e në fund Papë.
“Si funksionar perandorak u dallua për aftësi administrative edhe dinjitet moral”, si murg u zgjodh nga Papa si përfaqësues i tij pranë Perandorit të Lindjes, duke mbajtur gjithmonë “një stil jete manastiri, i thjeshtë dhe i varfër”.
Në fund, shpallur si mëkëmbës i Krishtit – vuri në dukje Benedikti XVI – “kërkoi me çdo mënyrë t’i ikte atij emërimi, por iu deshtë të dorëzohej në fund dhe, pasi la kiostrin, iu kushtua bashkësisë, i vetëdijshëm se po përmbushte një detyrë dhe se ishte thjeshtë “një shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit.”
Nuk është me të vërtetë i përvuajtur — shkruante — ai që kupton se duhet të udhëheqë të tjerët sipas vullnetit hyjnor dhe megjithatë e përçmon këtë gjë të spikatshme. Por nëse, përkundrazi u nënshtrohet udhëzimeve dhe nuk këmbëngul dhe është i pajisur me ato dhanti me të cilat mund të ndihmojë të tjerët, kur i caktohet posti më i lartë i qeverisjes së shpirtrave, ai me zemër duhet t’i shmanget, por edhe pse kundër dëshirës duhet t’i bindet.” (Rregulli baritor, I, 6)
Shën Gregori – vuri në dukje Papa – i pa pushtimet barbare me besim:
Me një largpamësi profetike, Gregori kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga trashëgimia romake dhe të ashtuquajturit “barbarë” falë forcës bashkuese dhe ngritjes morale të Krishterimit. Jeta e murgut po shfaqej si një pasuri jo vetëm për Kishën por edhe për krejt shoqërinë.”
I ligsht nga shëndeti por i fortë nga bindjet morale – kujtoi Papa– Shën Gregori i Madh zhvilloi një veprimtari të gjerë baritore dhe qytetare.” E famshme reforma e të kënduarit liturgjik, që prej emrit të tij u quajt “gregorian”:
“Jeta e një bariu shpirtrash duhet të jetë një sintezë e drejtpeshuar kundrimi dhe veprimi, e gjallëruar nga dashuria që “prek maja shumë të larta kur përkulet me mëshirë mbi të këqijat e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur mbi mjerimin e të tjerëve është përmasa e forcës së vrullit "[drejtuar] lart (II, 5).







All the contents on this site are copyrighted ©.