2012-09-03 18:26:17

Kardinali Skola në funeralin e kardinalit Martini: është i gjallë e na shoqëron nga qielli


“Jeta e gjatë e kardinalit Martini është pasqyrë transparente e këmbënguljes, edhe në sprovën e sëmundjes e të vdekjes”. Kështu tha kardinali Anxhelo Skola, kryeipeshkëv i Milanos, në homelinë e funeralit të kardinalit Karlo Maria Martini, kremtuar sot në katedralen e qytetit italian. Ai kujtoi radhën e gjatë me besimtarë e jo besimtarë që i bënë këto ditë homazhe, por edhe trashëgiminë që i lë Kishës kardinali Martini, sidomos përpjekjen e tij për të mos humbur askënd, për të mos larguar askënd nga Krishti.
Kryeipeshkvi i Milanos kujtoi takimin e tyre të fundit. “Edhe unë – tha nga elteri – përfitova nga ndihma e tij, deri në bisedën e fundit të përzemërt, një javë para se të vdiste”. Si bari i Kishës, kardinal Martini derdhi në shërbimin për popullin e Zotit, gjithë kompetencat e tij si biblist, “vëmendjen për realitetin bashkohor, gatishmërinë për të pranuar të gjithë njerëzit, ndjeshmërinë për ekumenizmin e dialogun ndërfetar, kujdesin për më të varfërit e më nevojtarët, kërkimin e rrugëve të pajtimit, për të mirën e Kishës e të shoqërisë civile”. Në fund, kardinali Skola uroi që Karlo Maria Martini të arrijë horizontin aq të dëshiruar prej tij: ta shohë Zotin sy më sy.
Jashtë, para turmës së mbledhur në heshtje, në sheshin para Duomos së Milanos, kardinali Anxhelo Skola, duke i nxitur njerëzit të vazhdonin ta përqafonin kardinalin Martini, ashtu si brenda në kishë, tha: “Vuajtja për kalimin në amshim të këtij personaliteti të madh, nuk na e largon sigurinë se ai është i gjallë e do të vazhdojë ta shoqërojë secilin prej nesh në nevoja, në probleme e në urgjenca”.








All the contents on this site are copyrighted ©.