2012-09-02 14:36:18

Papa: Ligji i Zotit e orienton njeriun në udhën e vërtetë, feja është rregullorja e jetës


“Është Ligji i Zotit ai që duhet ta udhëheq njeriun në udhën e jetës së tij, ta liron nga egoizmi e ta çon drejt lirisë së vërtetë”. Kështu pohoi sot mes tjerash Papa Benedikti XVI gjatë lutjes së mesditës të Engjëllit të Tënzot, kremtuan në oborrin e Pallatit Apostolik në Kastel Gandolfo. “Në Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele – pohoi Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger – del në pah tema e Ligjit të Zotit, urdhri i tij: element thelbësor i fesë hebraike si dhe i asaj kristiane, ku gjen plotësimin e vet në dashuri”. Po ja fjala e plotë që Benedikti XVI e shqiptoi sot para lutjes së Engjëllit të Tënzot para qindra e qindra besimtarëve e shtegtarëve të ardhur nga vendet e ndryshme të botës për të dëgjuan Papën.

Të dashur vëllezër e motra!
Në Liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele del në pah tema e Ligjit të Zotit, e urdhrit të tij: një element thelbësor i fesë hebraike e edhe të asaj kristiane, ku gjen plotësimin e vet në dashuri (krh Rm 13,10). Ligji i Zotit është Fjala e tij që e udhëheq njeriun në udhën e jetës, e bënë të dal nga skllavëria e egoizmit dhe e çon te “toka” e lirisë së vërtetë dhe jeta. Për këtë, në Bibël Ligji nuk është shikuar e konsideruar më si peshë, si një përkufizim shtypës, por si dhuratë më e çmuar e Zotit, dëshmi e dashurisë së tij atërore, e vullnetit të tij për t’i qëndruar afër popullit të vet, për të qenë Aleat i tij e për të shkruar me të historinë e dashurisë. Kështu lutet izraeliti i përshpirtshëm: “Në rregulloret tua është kënaqësia ime, s’do ta harroj fjalën tënde.(...)Më prij udhës së urdhërimeve të tua, sepse në të e kam lumturinë time” (Ps 119,16.35). Në Besëlidhje të Vjetër, ai që në emër të Zotit i transmeton Ligjin popullit është Moisiu. Ai, pas udhëtimit të gjatë në shkretëtirë, afër pragut të tokës së premtuar, klithë kështu: “ E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po ju mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t’jua japë” (Lp 4,1).
Dhe ja problemi: kur populli vendoset në tokë, e është ruajtës i Ligjit, tundohet ta vë sigurinë e vet dhe gëzimin e vet në diçka që nuk është më Fjala e Zotit: në të mira, në pushtet, në ‘hyjni’ tjera që në realitet janë të kota, janë idhuj. Është qartë se, Ligji i Hyjit mbetët, mirëpo nuk është gjëja më e rëndësishme, rregullorja e jetës; kështu është kinse një lloj veshje, një mbulesë, ndërsa në anën tjetër jeta ndjek udhë tjera, rregullore tjera, interesa shpesh të natyrës egoiste individuale e të grupit. E kështu feja e humbet kuptimin e vet të vërtetë, që është ai të jetosh në dëgjim të Hyjit për ta bërë vullnetin e tij, dhe reduktohet në zbatime të dokeve sekondare, që më shumë kënaqin nevojën njerëzore për ta ndie veten mirë me Zotin. Ky është një rrezik i rëndë për çdo besim, që Jezusi ka has në kohën e vet, po e njëjta gjë mund të verifikohet, mjerisht, edhe në krishterim. Prandaj fjalët e Jezusit në Ungjillin e sotëm kundër skribëve e farisenjve duhet të na bëjnë të mendojmë mirë e thellë edhe ne. Jezusi i bënë të vetat fjalët e Izaisë: “Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyjit – rregulloret që i qitën njerëzit.’ Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve” (Mk 7,6-7; krh Is 29,13). E përfundon: “Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”(Mk 7,8).
Edhe Jakobi apostull, në Letrën e vet, na tërheq vëmendjen para besimit të rremë. Ai u shkruan të krishterëve: “Bëhu zbatues të fjalës, e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten” (Jk 1,22). Virgjëra Mari, së cilës tani po i drejtohemi në lutje, na ndihmoftë ta dëgjojmë me zemër të hapur e të sinqertë Fjalën e Zotit, kështu që t’i orientoj mendimet tona, përcaktimet, vendimet e veprat tona, çdo ditë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.