2012-09-02 15:40:11

Me mijëra e mijëra njerëz i bëjnë homazhe kardinalit Martini në Katedralen e Milanos


Mase 90 mijë njerëz, deri më tani, i bënë homazhekardinalit Carlo Maria Martini, dhe iu lutën Zotit në Katedralen e Milanos për këtë kryeipeshkëv të shquar në pension, i cili ndërroi jetë të premten pas dite më 31 gusht. Në fund të një nate të gjatë në lutje, pas ditës së parë të nderimeve para trupit të pajetë të kardinalit Martini, edhe dita e sotme, kaloi me një rresht të pandërprerë njerëzish në pritje të radhës për t’i shpreh nderimet në shenjë dashurie e mirënjohje të thellë.
Përfaqësues e delegat i Papës Benediktit XVI në funeralin e kardinalit Carlo Maria Martini, do të jetë kardinali Angelo Comastri, kryeprifti i Bazilikës së Shën Pjetrit e Vikar i Papës për Qytetin e Vatikanit. Kështu njofton në një deklaratë drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi.
Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger, nuk shkon në Milano për ceremoninë e Meshës së dritës për kard. Martini, të cilën nesër pasdite në ora 16.00 në Katedralen e Milanos do ta kryesojë kardinali kryeipeshkëv i Milanos, Angelo Scola.
Në ceremoninë e funeralit të kardinalit Martini do të jetë i pranishëm kryeministri italian Mario Monti, kryetari i Lombardisë, Formigoni, kryetari i Bashkësisë së Milanos, Pisapia, ministra e personalitete tjera të larta fetare, kulturore e shkencore nga Italia e bota, si dhe një numër tejet i madh i besimtarëve.
Trupi i pajetë i kardinalit Martini, i veshur me petkat liturgjike të Meshës së Ringjalljes me kryqin e kraharorit, mitrën pastorale e palion, do të varroset në Katedralen e Milanos, pas kremtimit Eukaristit, në formë private, në praninë e kryeipeshkvi të Milanos, kardinalit Scola, të kolegjit ipeshkvnor, të familjarëve e të Kapitullit të katedrales. Dita e hënë është shpall ditë zie për qytetarët e Milanos.







All the contents on this site are copyrighted ©.