2012-09-02 12:34:31

Dom Simon Filipaj, përkthyesi i Biblës në shqip, në përvjetorin e vdekjes.


Më 2 shtator kujtojmë figurën madhore poliedrike të priftit shqiptar nga Mali Zi, dom Simon Filipajt, në përvjetorin e kalimit të tij në amshim.
Dom Simon Filipaj, është figurë e madhe e Kishës dhe e Kombit Shqiptar. Lindi në fshatin Kllezën, afër Ulqinit, në Mal të Zi. Studimet filozofike e teologjike i kreu në Shkodër e në Zagreb. Tërë jetën meshtarake e intelektuale ia kushtoi misionit të apostolik nëpër bashkësitë Kishtare të famullive të kryedioqezës së lashtë të Tivarit, e posaçërisht në bashkësinë kishtare të Shën Gjergjit dhe asaj të Klleznës.
Krahas misionit e veprimtarisë së tij meshtarake ungjillëzuese me besimtarë, dom Simon Filipaj të gjitha energjitë njerëzore, shpirtërore, intelektuale e fizike ia kushtoi studimit, meditimit e përkthimit të Fjalës së Zotit, Biblës në gjuhën shqipe, duke e përkthyer për herë parë në versionin e plotë të saj. Dihet se Bibla është monumenti më i madh botëror i kulturës, pra është kryevepra kultura dhe vepra më e përkthyer në gjuhët e ndryshme të popujve të mbarë botës. Kështu, me përkthimin në gjuhën shqipe, apo më mirë të themi me shqipërimin e Biblës, por edhe të veprave tjera liturgjiko-kishtare, siç janë: Meshari Romak, ritualet e Sakramenteve të ndryshme dhe shkrimet e shumta teologjike e katekistike, dom Simon Filipajt i dha një kontribut të jashtëzakonshëm kulturës në përgjithësi e letërsisë shqipe kishtare në veçanti.
Dom Simon Filipja në rend të parë qe njeri i Zotit dhe i kombit. Lëvrues e mbrojtës i vlerave shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore. Ai qe njohës i thellë i shpirtit dhe i thesarit kulturor shqiptar e botëror, që nga antikiteti e deri në ditët tona. Njeri i thjesht me virtyte të larta, i urtë e i mençur, i përzemërt e bujar, i drejtë dhe i vendosur, largpamës e i thellë, i dashuruar në Zotin e në popullin e vet, i butë e i afër me çdo kënd që takonte. Bari i mirë ungjillor, vëlla i sinqertë, meshtar i zellshëm, intelektual i shquar, biblist i madh, me një pasion e dashuri të paskajshme për të vërtetën, të bukurën, lirinë e dashurinë. Jetën e tij e kaloi duke punuar në shërbim të Zotit, të Kishës e të popullit dhe të vendit të tij shqiptar.
Me përkthimin e Librit të Librave – veprës monumentale, Biblës në gjuhën shqipe, si dhe përkthimin e shtjellimin e shumë librave tjerë të liturgjisë së shenjtë në gjuhën shqipe si Meshari Romak, Leksionarët biblikë, ritualet etj, dom Simon Filipaj ka krijuar kështu një gjini e rrymë tjetër të letërsisë shqipe, atë të natyrës biblike e teologjike, pra asaj fetare.
Dihet se Bibla e plotë ishte përkthyer dy herë më parë gjatë historisë sonë shqiptare, së pari nga Grigori i Durrësit (?-1772) dhe Teodor Haxhi Filip (1730-1806), por për rrethana historike nuk u botuan kurrë dhe dorëshkrimet fatkeqësisht nuk dihet se si dhe ku përfunduan. Koha e përkthimit dhe e botimit të Biblës së plotë shqip erdhi vonë, më 1994. Po një gjë është e sigurt: kurrë s’ është vonë të përcaktohemi për qytetërimin e dashurisë e të dritës, që është edhe porosia thelbësore e Biblës, e Fjalës së Jetës.
Thamë se dom Simon Filipaj qe i thjeshtë, i përvujtë, e me gjithë punën kolosale që bëri duke përkthyer Biblën e plotë në gjuhën shqipe, ai ishte i ndërgjegjshëm se përkundra të gjitha përpjekjeve, përthimi i Biblës në gjuhën shqipe kishte prapë nevojë për një rishikim e përmirësim.
E duam të kujtojmë edhe njërën prej ditëve të lumtura e më të bukura të jetës së tij, atë të 24 tetorit të vitit 1994, kur në Vatikan i shoqëruar nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirdita dhe don David Gjugja, dom Simoni i dorëzoi Papës Gjon Palit II kopjen e Biblës në gjuhën shqipe. “Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe – iu drejtua me atë rast Papa dom Simon Filipajt – e radhite popullin tënd shqiptar në popujt e mëdhenj të qytetëruar, duke ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë e fisnikërinë me të cilën është dalluar përherë populli shqiptar”.
Sot duke përkujtuar figurën e këtij prifti në përvjetorin e kalimit në Jetën e Amshuar, në Mbretërinë e Hyjit, në Ngjalljen e Krishtit Shpëtimtar, çka dom Simoni besoi gjithmonë me plot bindje e fe të gjallë dhe të fortë si graniti, duam t’iu propozojmë disa fragmente marrë nga arkivi jonë radiofonik, përmes të cilave fragmente duam të shijojmë shpjegimin që dom Simon Filipaj jepte mbi Fjalën e Zotin, Biblën.
Ja si u shpreh dom Simon Filipaj për jetën e tij dhe përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe në mikrofonin e Radio Vatikanit në vitin 1994.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.