2012-08-31 19:23:49

Vizita Presidentit Nishani në Kosovë


Përfundon nesër vizita e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në Kosovë. U vlerësua sidomos fjala e mbajtur dje në Kuvendin e Kosovës, por edhe vizita e sotme në Kishën katolike famullitare të fshatit Binçë e takimet tjera. Presidenti Nishani gjatë vizitës në Kosovë theksoi rëndësinë e këtij viti jubilar të Pavarësisë së Shqipërisë, duke shprehur bindjen se festimet do t’i përfshijnë të gjithë në Tiranë, Vlorë, Prishtinë, sepse ky 100-vjetor u takon mbarë shqiptarëve kudo ku janë. Të dëgjojmë informacionin e Rabije Ibrajt nga Prishtina..............00:02:06:82
Vizita e Presidentit të Shqipërisë zotit Bujar Nishani në Kosovë ne njoftimin e Rabie Ibrajt.
Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane, është jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit. Këto komente, presidenti I Shqipërisë, Bujar Nishani i bëri pas takimit me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërsa lidershipin kosovar, e siguroj se, Shqipëria do të vazhdoj të përkrah zhvillimin demokratik të Kosovës, por e mbështet edhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi për çështje praktike si dy shtete të pavarura e sovrane, duke i respektuar vijat e kuqe të Qeverisë së Kosovës. Presidenti Nishani po ashtu është zotuar se, gjatë mandatit presidencial, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit të tij, në përpjekje për ti shtuar njohjet ndërkombëtare.
E, përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, e ka cilësuar kapitull të ri për Kosovën.
Vizita e pare në postin e presidentit në Kosovë e Bujar Nishanit, sipas presidentes Atifete Jahjaga, ka porosinë dhe simbolikën e vet në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën siç ka thënë, të parët tanë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Ajo ka shtuar se, me presidentin Nishani kanë patur një bisedë të frytshme me qëllim të bashkëpunimit të mëtejshëm e të gjithanshëm në mes dy vendeve tona me qëllim të përparimit dhe të zhvillimit të investimeve dhe të daljes së përbashkët në tregjet e treta.

Presidenti Nishani, në kuadër të agjendës se tij të ngjeshur me vizita e takime, më 30 gusht ka qëndruar edhe në Kishën katolike ‘’Shëna Ndout’’ në Binçë të Vitisë, ku është pritur nga don. Lush Gjergji. ‘’Është kënaqësi që po vizitoi këtë kishë, këtë tempull të Zotit nga ku jepen mesazhet e paqes, të dashurisë për njeri tjetrin, të respektit e kulturës. Është një virtyt i lashtë, por dhe i sotëm i shqiptarëve kudo që janë harmonia fetare e bashkëjetesa, është një vlerë e trashëguar brez pas brezi me shumë sakrifica, por me dinjitet. Në historinë tonë të zhvillimit të kombit, por edhe të besimit, kemi shembuj të shkëlqyer që i kanë shërbyer njerëzimit. Ndjehem i lumtur që jam në këtë kishë, ku edhe e Lumja Nënë Terezë ka nisur rrugëtimin e madh të shërbimit ndaj njerëzimit’’, ka thënë presidenti Bujar Nishani, i cili nesër përfundon vizitën zyrtare në Kosovë.







All the contents on this site are copyrighted ©.