2012-08-31 16:08:41

Thirrje e Patrikut Bartolomeu I për mbrojtjen e Gjithësisë


Lutja për “ruajtjen e ambientit natyror” është, në të vërtetë, thirrje drejtuar Zotit që të ndryshojë “mendësinë e të fuqishmëve të botës e t’i shndrisë që të mos e shkatërrojnë ekosistemin e planetit për fitime ekonomike, ose për interesa personale”. Kështu shkruan Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, në Letrën Enciklikë, me rastin e fillimit të vitit të ri liturgjik. Patriarkati Ekumenik e fillon vitin më 1 shtator, por kjo ditë është edhe rast lutjeje për mbrojtjen e Gjithësisë, e ndjekur tashmë edhe nga Kisha të tjera të krishtera.

“Sidomos në këto kohë – shkruan Patriku Bartolomeu I – vërehet një abuzim pa fre i burimeve natyrore, me pasojë shkatërrimin e ekuilibrit ambiental”. Patriku shqetësohet për rritjen e temperaturës së atmosferës, kushtet meteorologjike të skajshme, ndotjen e ekosistemeve, si në tokë, ashtu edhe në det, si edhe për kërcënimin kundër jetës në disa rajone të botës. Këto ndryshime, shkruan ai me keqardhje, nuk janë frymëzuar nga Zoti, por janë vepër e njeriut. Patriku i Kostandinopojës i fton njerëzit të pendohen, u drejtohet krerëve të botës, por edhe çdo njeriu, që të shmangë dëmet e vogla ekologjike, pasi kontributi për mbrojtjen e pasurive natyrore është vërtet detyrë e institucioneve, por edhe përgjegjësi etike e çdo qytetari. T’i lutemi Zotit, përfundon Bartolomeu I, t’i flasë zemrës së secilit, në mënyrë që ekulibri i ambientit, të cilin Ai vetë na e ka dhuruar, të vazhdojë të japë fryte si për ne, ashtu edhe për brezat e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.