2012-08-31 16:57:54

Rumnej sfidon Obamën në përfundim të takimit të republikanëve në Tampa: e ardhmja, më e mire për SHBA-të


Përfundoi “convention” republikane në Tampa të Floridës. Mit Rumnej, kanidati i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në SHBA-të, gjatë fjalimit të mbajtur për pranimin e kandidaturës, sulmoi rëndë presidentin aktual Barak Obama, sidomos në fushën e ekonomisë. E, paraqiti një plan me 5 pika për të krijuar 12 milion vende të reja pune, përmes neoliberizmit më të pastër e më kërkues.
Është koha për t’i lënë pas shpine deziluzionet e katër vjetëve të fundit: Mit Rumnej e kritikoi Obamën në pikën e tij më të dobët, në bilancin e qeverisjes. Nuk ka qenë kriza ekonomike, ajo që e ka keqësuar gjendjen e amerikanëve, por administrimi dritëshkurtër i kabinetit të Obamës. U mburr për veprimtarinë e tij prej afaristi, duke vënë theksin në përvojën e paktë të presidentit aktual në ekonominë reale. Pastaj, paraqiti planin pesëpikësh: pavarësia nga burimet e naftës, duke e liruar krejtësisht mundësinë për të shpuar puse nafte në vend; mundësia për të zgjedhur shkollat më të mira, natyrisht private; veprime ligjore, por edhe kërcënime kundër Kinës e kujto që bën konkurrencë jashtë rregullave; barazimi i bilancit për të mos përfunduar si Greqia e së fundi; liberalizim maksimal për firmat, së bashku me uljen e taksave dhe me shfuqizimin e reformës shëndetësore të Obamës. Kthehet neoliberizmi i plotë, i cili në epokën e Xhorxh Bushit çoi në krizën financiare, efektet e së cilës akoma ndihen në të gjithë botën.
Nga Tampa, na informon më gjerësisht, i dërguari i gazetës italiane “Sole 24 ore”, Kristian Roka:
Rumnej bëri një lloj “lutjeje laike” për Amerikën: shpjegoi se Partia Republikane dhe propozimet e tij janë faktikisht “Amerika e vërtetë”, shumë më tepër nga ç’ka bërë Obama në këto tri vjet e gjysëm në Shtëpinë e Bardhë. Ai propozoi një model të ndryshëm nga ai i Obamës, që është socialdemokratik dhe i tha Amerikës se duhet të sillet si e tillë, nëse dëshiron të jetë sërish vendi i madh, që ka qenë gjithnjë. Por, duhet parë se ç’do të ndodhë në “convention” e demokratëve, javën e ardhshme, pasi edhe Obama do të ngulë këmbë në këtë pikë e nuk do t’ia lerë lehtë flamurin amerikan kundërshtarit të vet.
I gjithë takimi i republikanëve u bazua në problemet ekonomike. U fol pak për politikën e jashtme…
Politika e jashtme mungoi, pasi nuk është temë e fushatës zgjedhore, për motive të ndryshme: pak, sepse ekonomia është më e rëndësishme në këtë çast, pak, sepse vështirë të kritikohet Obama për temat e sigurisë kombëtare. Eliminoi Osama Bin Ladenin, e mbajti vendin të sigurtë, gjatë këtyre viteve dhe qe shumë i ashpër në luftën kundër terrorizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.