2012-08-31 16:09:09

Nunci në Siri: të lutemi e ta përdorim fjalën për të ndalur luftën


Lufta në Siri mund të ketë rezultate të paparashikueshme. Para kësaj katastrofe njerëzore, politike e humanitare, bota duket e pafuqishme. Grupe rivale, ndërhyrje të të mëdhenjve të planetit, interesa e plane të panjohura bëjnë të vazhdojë gjakderdhja e të mos shihet zgjidhje në horizont. Në festën e shën Gjon Kryepremit, nunci apostolik në Siri, imzot Mario Xenari, së bashku me besimtarë të krishterë e myslimanë, u lut në xhaminë e madhe të Omajadeve, kur ruhet relikja e kokës së shenjtit, profet i nderuar nga të tria fetë monoteiste. Ja ç’mendon ai për krizën siriane:
Do të thosha se, në këtë situatë kaq të rëndë, duhet të përdorim edhe një armë të veçantë. Në televizion shohim armët, që shkatërrojnë e që shkaktojnë tmerre, ndërsa ne të krishterët, madje, të gjithë besimtarët, kemi një armë të veçantë, atë të lutjes. Para pak ditësh, një meshtar më thoshte: “U kam thënë të gjithë besimtarëve: në orën 9 e gjysëm të mbrëmjes, ta fikim televizionin e të lutemi me Rruzaren Shenjte për paqen e pajtimin në Siri”. Të mos harrojmë ta përdorim këtë armë, e cila është shumë e fuqishme, shumë më tepër se të tjerat, e shërben për t’i kthyer zemrat, për armëpushimin, për fundin e dhunës e të tmerreve, që shohim përditë.
Lutja është natyrisht, shumë e rëndësishme. Duke kaluar në planin politik, ç’mund të bëjë më tepër bashkësia ndërkombëtare?
Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e pranishme. Shohim masakra, gjëra të padurueshme. Bashkësia ndërkombëtare duhet të hedhë dritë mbi këto plagë, të cilat janë plagë të njerëzimit, jo vetëm të Sirisë. Prandaj, duhen gjetur përgjegjësit e këtyre tmerreve, me hetime serioze e të pavarura. Pastaj, duhet impenjim i madh i bashkësisë ndërkombëtare për t’i ulur armët e për të çliruar fjalën. Fatkeqësisht, u gabua që në fillim: duhej dhënë liria e fjalës – kjo është armë shumë e frytshme – e duhej luftuar me fjalë, siç bënë disa vende pranë nesh, si Egjipti, Tunizia. Fjala është arma e debatit, e konfrontimit për të mos arritur në këtë pikë, ku jemi sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.