Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës 22-të gjatë Vitit Kishtar “B”
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Meshës Shenjte të së dielës,
kësaj herët dëgjojmë e meditojmë së bashku Liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës
së 22-të të vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. Pas pesë
të dielave, në të cilat dëgjuam fjalimin e Jezusit mbi Bukën e Jetës, mbi Eukaristinë
Shenjte, nga kreu i 6-të i Ungjillit të shën Gjonit, me këtë të diele të 22-të gjatë
vitit liturgjik, i kthehemi përsëri Ungjillit të shën Markut, i cili gjatë këtij viti
të dytë (‘B’) kishtar, është udhërrëfyesi ynë, që përmes tregimit e shpjegimit na
njeh me veprat dhe mësimet e Jezu Krishtit Zot e Shpëtimtar. Kështu, në pjesën
Ungjillore të kësaj së diele, shën Marku Ungjilltar, na sjell mësimin e Jezu Krishtit
mbi kultin e vërtetë ndaj Zotit. Pra, me pak fjalë, Jezusi na tregon se cili është
kulti i vërtetë ndaj Zotit, kulti i brendshëm, kulti i zemrës e këndej na fton të
larohemi nga formalizmi fetar, nga rreziku i kultit të formës, të kultit të imazhit,
të kultit ritual e të jashtëm. Jezusi na tërheq vëmendjen tonë e na fton të ruhemi
nga feja ritualiste, prej formave të jashtme fetare që nuk e prekin zemrën por vetëm
kënaqin zërin. Kulti ynë i vërtetë ndaj Zotit është ai i zemrës, ai shpirtëror. Po
kështu, kujtojmë se sipas etimologjia e fjalës “kult” vjen nga “kultivimi. Si bujku
që e kultivon (mbjellë) tokën: kujdeset për të, e lëvron, e mbjellë sipas kritereve
te sakta. Po kështu kulti ndaj Zotit do të thotë pikërisht të mendosh, të përkujdesesh,
ta kultivosh marrëdhënien personale me Zotin duke iu përmbajtur mësimeve e orientimeve
të vlefshme ungjillore. Në pjesën ungjillore të kësaj së diele, Jezusi ndalet
tek dy” rregullore” që e karakterizojnë kultin e vërtetë ndaj Zotit: në rend të parë
kulti duhet të bëhet me zemër e jo me gojë; pastaj duhet të jetë në përkim apo në
përputhje me vullnetin e me “urdhërimet” e Zotit dhe jo me mentalitetin njerëzor e
shoqëror. Kulti ynë ndaj Zotit, pra, duhet ta shpreh realitetin tonë të brendshëm,
atë çka kemi e çka ndjejmë në zemër, sepse Zoti e shikon dhe vlerëson zemrën tonë,
prej së cilës buron adhurimi i vërtetë, respekti dhe dashuria e vërtetë ndaj Zotit
e ndaj mësimeve të tij hyjnore. Në mendimin e Jezusit, feja në Hyjin, nuk është e
vërtetë e nuk e shpëton njeriun, atëherë kur reduktohet vetëm në formë të jashtme,
kur reduktohet në fe magjike, joshëse e nuk depërton në brendësi të zemrës e nuk prek
shpirtin. Mbi këtë argument, Mateu na referon edhe këto fjalë të Jezusit që sqarojnë
edhe më mirë mendimin e Tij mbi kultin e vërtetë. Thotë Jezusi: “ Vaj për ju, o skribë
e farisenj, hipokritë!, që i kushtoni Hyjit një të dhjetën e mendrës, të koprës dhe
të kumnit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën
e besnikërinë! Këto ju duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjera! (Mt 23,23-24).
Fjalë të qarta e të rëndësishme edhe për ne sot. Liturgjia e Fjalës së Zotit Leximi
i parë (Lp 4, 1-2.6-8)Izraeli ka jetuar ngjarjet e jashtëza-konshme të daljes
nga Egjipti. Por nuk mund të jetohet vetëm me kujtime. Populli nuk mund të jetojë
me të vërtetë besëlidhjen me Hyjin nëse nuk angazhohet konkretisht, në besnikëri me
kohën e tanishme. Besëlidhja nuk duhet vetëm të kujtohet, por edhe të jetohet. Kështu
është edhe për Kishën sot: Ungjilli dhe ringjallja duhet të jetohen. Lexim
prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu foli dhe tha: “E tani, o Izrael,
dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po jua mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe
të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t’jua japë. Mos u shtoni
asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë! Mbani urdhërimet e Zotit,
Hyjit tuaj, që po jua jap unë, që t’i mbani e t’i vini në zbatim. Kjo do t’ju bëjë
të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t’i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime,
do të thonë: ‘Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhështor!’ E
njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshëm, që t’i ketë hynitë e veta
kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?!
Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të
drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!” Fjala
e Zotit.
Psalmi 15
Ata që e kanë zemrën e pastër do
të banojnë në shtëpinë e Zotit ---------- O Zot, e kush do të guxojë të
hyjë në tendën tënde? Vetëm ai që jeton me nder, që vepron me drejtësi, e
prej zemrës flet të vërtetën. ---------- Që s’i shpifet kujt me fjalë, që
të afërmin s’e dëmton, që shokun nuk e çnderon: ai që bakeqin e mban për asgjë, e
i çmon ata që e druajnë Zotin. ---------- Nuk jep të holla me kamatë, e nuk
merr ryshfet kundër të pafajshmit. Kush vepron kështu kurrë e për këtë jetë
nuk do të luhatet. ----------
Leximi i dytë (Jak 1, 17-18.21-22.27)Fjala
duhet pranuar ashtu si toka pranon farën që do ta pllenojë. Është e nevojshme ta
mbajmë me vete dhe të ndjejmë jehonën e saj gjatë orëve të ditës. Fjala do të na
mësojë të kryejmë drejt Hyjit Atë kultin e vërtetë, atë që kremtohet në shtëpitë,
në rrugët, spitalet, ofiçinat, zyrat. Lexim prej Letrës së shën Jakobit
apostull
Vëllezër, çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është
prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije ndryshimi.
Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi
një farë fryti të parë të krijesave të tija. Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi
dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është
e aftë t’i shpëtojë shpirtrat tuaj. Bëhu zbatues të fjalës, e jo vetëm dëgjues që
gënjejnë vetveten. Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi
për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes
nga kjo botë. Fjala e Zotit.
Aleluia. AleluiaNa e trego,
o Zot, udhën tënde, dhe na udhëheq udhës së drejtë. Aleluja. Ungjilli
(Mk 7, 1-8.14-15.21-23)Akoma sot formalizmi është në bazën e shumë gjykimeve
dhe vendimeve në fushën fetare. Duket me të vërtetë se njeriu fetar është një qenie
që jeton duke kryer vetëm rite, norma, veprime dhe praktika të jashtme formale. Kështu
e mendonin farisenjtë. Jezusi shqetësohet të shpjegojë se korrupsioni nuk vjen nga
jashtë, por nga zemra e njeriut. Ajo që e bën njeriun të papastër nuk është as ushqimi,
as veshja, por ligësia që vjen nga zemra e tij. Leximi i Ungjillit të shenjtë
sipas Markut
Në atë kohë, rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa
skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po
hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara. Tashti farisenjtë dhe mbarë
hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të dokeve të të parëve.
As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra tjera
që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh tryezash. Prandaj
farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin: “Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat
e të parëve, por hanë bukë me duar të papastra?” Ai u përgjigj: “Mirë parafoli për
ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre
është larg meje. I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyjit
– rregulloret që i qitën njerëzit.’ Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat
e njerëzve.” Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetës dhe i tha: “Më dëgjoni
të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër
duke hyrë në të, por çka del prej njeriut – ajo e bën të papastër. Sepse prej brendisë
– prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë,
vjedhjet, vrasjet, kurorëthyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia,
smira, blasfemitë, krenia, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe
e bëjnë njeriun të papastër.” Fjala e Zotit.
Më tepër mbi liturgjinë
e Fjalës së Zotit të dielës së 22-të gjatë vitit, mund dëgjoni këtu..............