2012-08-31 18:10:36

Kardinali Skola: Martini, pionier i dialogut me jo besimtarët


Kisha Katolike kujton me mallëngjim të madh kardinalin Carlo Maria Martini, i cili ndërroi jetë sot në Galarate të Italisë. Mbrëmë, pasi u mor vesh se ishte bërë keq, kryeipeshkvi i Milanos, kardinali Anxhelo Skola i ftoi të gjithë besimtarët e dioqezës, e cila dikur udhëhiqej pikërisht nga kardinal Karlo Maria Martini, të luteshin për prelatin. Të dëgjojmë kardinalin Skola, në mikrofonin tonë:
Morëm vesh lajmin, ndërsa ishim mbledhur në Këshillin ipeshkvnor e, së bashku po luteshim. Tani, e kemi ftuar të gjithë dioqezën, familjet, famullitë, bashkësitë fetare, shoqatat e lëvizjet, të luten edhe më shumë, në shenjë falenderimi për personalitetin e madh të kardinalit Martini e për shërbimin e tij të gjatë në Milano. Uroj që të gjithë ta përjetojmë me fe këtë moment kalimi të kardinal Martinit në shtëpinë e Atit Qiellor. Ishte dëshmitar i një jete, që ia kishte dhuruar Zotit në forma të ndryshme: si intelektual, si biblist i madh, si rektor universiteti e si bari i Kishës. Personalisht, kam pasur rastin të flas me të për herë të fundit, të shtunën e kaluar. Mora prej tij mbështetje e ndihmë për shërbimin tim delikat. Jam i sigurtë se tani, kardinal Martini e shoqëron nga lart Kishën milaneze dhe gjithë banorët e kësaj kryedioqeze të madhe.
Shumë e kujtojnë kardinal Martinin për vullnetin e tij e dëshirën për të krijuar marrëdhënie të mira me botën moderne…
Sigurisht. Ky është një nga aspektet, që e dallojnë shërbimin e tij në Milano, i pranuar nga të gjithë. E gjithë bota, e jo vetëm ajo milaneze, do t’i jetë mirënjohëse për këtë.
Ka qenë edhe ndër të parët, që filloi dialogun me ateistët dhe me jo besimtarët…
Është e vërtetë. Sepse propozimi i Jezu Krishtit u drejtohet gjithnjë e rishtas, të gjithëve. Kardinali rifilloi një traditë të madhe me ndjeshmërinë e tij të veçantë.







All the contents on this site are copyrighted ©.