2012-08-31 18:10:51

Imzot Gjoni nga Plano Karpini e mbrojtja e shqiptarëve në shek. 13-të në Tivar


Kontributi i kryeipeshkvit të Tivarit imzot Gjoni nga Plano Karpini në mbrojtje të identitet fetar e kombëtar të besimtarëve katolikë shqiptarë në shekullin 13-të, një realitet që del sërish në dritë me rastin e 760-vjetorit të vdekjes së këtij prelati të shquar.
Imzot Gjoni (Giovanni) nga Pian del Carpine, kryeipeshkëv i dioqezës së lashtë shqiptare të Tivarit në vitet 1248-1251, përkujtohet në 760-vjetorin e vdekjes nga kryedioqeza italiane e vendlindjes Perugia-Città della Pieve. Rregulltari françeskan, njërin ndër ndjekësit e parë të shën Françeskut të Asizit, lindur në mbarim të shekullit 12-të në Pian del Carpine, sot Magione, ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm si rregulltar, si diplomatik e si kryeipeshkëv i arkidioqezës së Tivarit në vitet e vështira 1248-1252. Ndër meritat e shumta të këtij kryeipeshkvi si në shërbim të Kishës Universale si Legat i Papës te Luigji IX, Mbret i Francës pastaj si Legat i Papës në Tartarì te Mbreti Kujuk Kan, ne po kujtojmë veprimtarinë e tij gjatë udhëheqjes së kryedioqezës së shqiptare të Tivarit. Veçojmë shkëputjen e dioqezës së vet të Tivarit nga dioqeza e Raguzës (Dubrovnikut). Siç shkruan Atë Antonin Fishta ofm në revistën Hylli i Dritës nr. 4 të vitit 1930 në fq 214 “ Me ket veper te meritueshme Emzot Gjoni pshtoi sidomos djeçezet katolike të Shqypnìs së Verit prej njatij rrezikut të madh, qi shifej se do të ndollte neper njat katastrofë fetare, qi dynastija serbe ishte tuj gatue neper konflikt e rivalitet të hershem ndermjet Tivarit e Raguzës” (khr Acta ed Diplomata Albaniae nr. 30 fq. 11, ku diftohet se që kuer e si zù fìll ky konflikt). E kështu imzot Gjoni nga Palno Karpini ishte kundër depërtimit sllav në shekullin XII, prandaj ai në veçanti i mbrojti besimtarëve katolikë shqiptar të asaj kohe nga ortodoksizimi dhe shqiptarët në përgjithësi nga sllavizimi.
Këtë të diele, më 2 shtator, në Kishën Katedrale në Perugia do të kremtohet Mesha përkujtimore me rastin e 760 vjetorit të vdekjes këtij prelati, të cilën Eukaristi do ta kryesojë paraardhësi tij në kryedioqezën e Tivarit, imzot Zef Gashi, në bashkëkremtim me kryeipeshkvi italian të Perugia-Città della Pieve, imzot Gualtiero Bassetti.
Po mbi figurën e kontributin që i dha Kishës universale e asaj të Tivarit imzot Gjoni nga Plano Karpini, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet kryeipeshkvi i sotëm i Tivarit, imzot Zef Gashi......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.