2012-08-31 17:52:42

Atë Joehri rizgjidhet epror i përgjithshëm i Kapuçinëve.


Atë Mauro Joehri u rizgjodh dje epror i përgjithshëm i Urdhërit të fretërve të vegjël kapuçinë. Rizgjedhja u bë gjatë punimeve të Kapitullit të përgjithshëm, që po mbahet këto ditë në Romë. Njoftimin e jep agjencia Sir.
I lindur në Canton Grigioni, ka qenë anëtar i Komisionit të baritorisë, pranë Konferencës ipeshkvnore të Zvicrës dhe kryetar i Bashkimit të eprorëve të rregulltarëve. Pasi kreu detyrën e eprorit provincial të kapuçinëve zviceranë, në vitin 2006 u zgjodh epror i përgjithshëm i urdhërit. Tani rizgjidhet për gjashtë vjetë të tjera.
Urdhëri, që sot kryen misionin në 106 vende në mbarë botën, numëron rreth 10.500 vëllezër, që jetojnë në më se 1.700 bashkësi. Vetëm në Itali kryejnë misionin 2.800 kapuçinë.Kapitulli, në të cilin marrin pjesë 169 rregulltarë, ardhur nga vende të ndryshme të botës, edhe nga Shqipëria, do të përfundojë më 2 shtatorin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.