2012-08-30 17:19:48

Presidenti Shqipërisë Nishani sot në vizitë zyrtare në Kosovë


Me ftesë të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani së bashku me zonjën e parë, sot e nesër viziton zyrtarisht Republikën e Kosovës. Në agjendën e vizitës së Kreut të Shtetit shqiptar në Kosovë fillimisht janë takime me Presidenten Atifete Jahjaga, me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili u pasohua nga një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të Presidentit Nishani, si dhe takimi me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Presidenti Bujar Nishani ka takime të veçanta edhe me Kryetarin e Komunës së Prishtinës e njëkohësisht kreun e LDK-së, Isa Mustafa. Siç thuhet në njoftim, për nder të Presidentit të Shqipërisë sot në orën 11:30, Asambleja komunale e Prishtinës mbajti një mbledhje solemne.
Po ashtu në mesditë u mbajt seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të Presidentit të Shqipërisë Nishani., e fill pastaj ai bëri homazhe te varri i Presidentit Rugova dhe vizitë në Familjen Rugova.
Në këtë vizitë të parë shtetërore në Kosovë në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, Presidenti Nishani kryeson një delegacion të gjerë zyrtar, në përbërje të së cilit janë ministri i Arsimit e Shkencës, Myqerem Tafaj, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edit'h Harxhi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatos Hoxha e Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla.







All the contents on this site are copyrighted ©.