2012-08-30 12:29:55

Leksionet e Nënë Terezës: “Fjalimi në dorëzimin e Çmimit Nobel”- pjesa III



Pjesa III: Të varfrit janë njerëz të mrekullueshëm.
Të varfrit janë njerëz të mrekullueshëm - kështu u shpreh Nënë Tereza, në sa merrte në dorëzim çmimin Nobel për Paqen. Dhe vijoi të tregonte: “Një mbrëmje dolëm e mblodhëm katër vetë, të flakur në rrugë të madhe. Ndërmjet tyre, një grua në kushte të tmerrshme. U thashë motrave: “Kujdesuni ju për tre të parët, për këtë, që duket më keq, po kujdesem vetë. U kujdesa me gjithë dashurinë, që kisha në shpirt. E shtriva butë në krevat e i pashë në fytyrë një buzëqeshje të mrekullueshme. Ma mori dorën në dorën e saj, që akullohej, e më tha një fjalë të vetme: Faleminderit! E vdiq! Nuk mund të mos zbrisja në fundin e ndërgjegjes sime atë ças, përball së vdekurës, e të mos e pyesja veten: “Ç’do të kisha bërë, po të isha në vend të saj?”. Përgjigjja ishte e thjeshtë. Do të isha munduar të tërheq vëmendjen, do të kisha thënë se kam uri, kam ftohtë, dhimbje, se po vdes, a ku ta di unë ç’fjalë të tjera. Ndërsa ajo më dha shumë më tepër, sesa i dhashë: më dha të fundmen dashuri. E vdiq me buzë në gaz.
Ashtu si burri, që e gjetëm në kanal, gjysëm të brerë nga krimbat e e sollëm në shtëpi. Ai e mbylli jetën me fjalët: “Jetova në rrugë të madhe, si kafshë, por po vdes si engjëll, në krahët e dashurisë e të kujdesit”. Ishte mahnitëse të shikoje madhështinë e këtij njeriu, që mund të fliste kështu, mund të vdiste kështu, pa akuzuar kënd, pa mallkuar, pa bërë krahasime. Si engjëll! E kjo është madhështia e njerëzve tanë. E për këtë ne besojmë se Jezusi ka thënë: “Isha i uritur, isha lakuriq, isha pa strehë, isha i braktisur, i pa dashur, i pa kujdesur, e ju bëtë gjithçka mund të bënit për mua!”. Besoj se ne nuk jemi veprimtarë të vërtetë shoqëror. Ndoshta, për sytë e botës, puna jonë mund të duket si shoqërore, po në të vërtetë ne jemi kundruese, në zemër të botës. Sepse prekim Korpin e Krishtit njëzet e katër orë në ditë. E kemi njëzet e katër orë këtë prani, e kështu edhe ju e unë. Edhe ju mund të bëni provë e ta çoni Zotin në familjet tuaja, sepse familja, që lutet së bashku, është e bashkuar. E besoj se në familje ne nuk kemi nevojë për bomba e armë atomike, që shkatërrojnë. Për të sjellë paqen, mjafton të jemi bashkë, të duhemi. Ta çojmë, pra, këtë paqe, këtë gëzim, këtë forcë të pranisë së Zotit në shtëpitë tona. E kështu do të mund të fitojmë mbi çdo të keqe, në një botë ku ka shumë vuajtje, shumë urrejtje, shumë mjerim. Prandaj ne, me lutjen tonë, me flijimin tonë, ta nisim betejën e dashurisë pikërisht nga shtëpia!







All the contents on this site are copyrighted ©.