2012-08-29 15:16:58

Papa në audiencën e përgjithshme: të krishterët ta dëshmojnë të vërtetën ungjillore, pa rënë në kompromise.


“Nuk mund të biesh në kompromise me dashurinë e Krishtit”: këtë pohoi sot paradite Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, kryesuar në sheshin përballë Pallatit Apostolik të Kastel Gandolfos. Papa e mori shtytjen nga përkujtimi i martirizimit të Shën Gjon Pagëzuesit, për të nënvizuar se edhe sot jeta e krishterë kërkon martirizimin e besnikërisë në shërbim të Ungjillit.
Në përfundim të audiencës, në tremen e Pallatit Apostolik, Papa përshëndeti në mënyrë të veçantë pjesëmarrësit në shtegtimin kombëtar të ministrantëve të Francës, më se 2500 të rinj, që ndihmojnë Meshë, të shoqëruar nga një grup prelatësh.

Martirizimi i Shën Gjon Pagëzuesit, tha Papa duke iu drejtuar shtegtarëve polakë, na bën të vetëdijshëm se feja, e bazuar mbi lidhjen me Zotin, i jep njeriut forcë t’i qëndrojë besnik së vërtetës edhe atëherë, kur i duhet të vetëmohohet a të vetëflijohet për Krishtin. Si Gjoni, shtoi, të gjunjëzohemi para Zotit në lutje, në mënyrë që të mos i bëjmë asnjë lëshim së keqes, mashtrimit, gënjeshtrës, me të cilën ndeshemi shpesh në këtë botë, e kështu të mos na tjetërsojnë, duke na joshur të ecim në rrugën e shtrembër të kompromisit. Këtë mendim Papa e nënvizoi fort edhe gjatë katekzimit:
Të dashur vëllezër e motra, kremtimi i martirizimit të Shën Gjon Pagëzuesit na kujton edhe ne, të krishterëve të kohës sonë, se nuk mund të bësh kompromise me dashurinë e Jezusit, me Fjalën, me të Vërtetën e tij. E vërteta është e vërtetë, nuk pranon asnjë lloj lëshimi”.
E pikërisht nga që e donte mbi gjithçka të Vërtetën, shtoi Benedikti XVI, Shën Gjoni nuk bëri asnjë lëshim e nuk pati frikë t’i drejtonte fjalë tejet të ashpra, atij që kishte humbur udhën e Zotit. Jeta e krishterë, vijoi Ati i Shenjtë duke u shprehur simbolikisht, kërkon martirizimin e besnikërisë së përditshme ndaj Ungjillit, guximin që ta lëmë Krishtin të rritet në shpirtin tonë e të na i drejtojë Ai vetë mendimet, ndjenjat, veprimet. Po kjo mund të ndodhë vetëm në se lidhja jonë me Zotin është tepër e fortë, si ajo e Shën Gjon Pagëzuesit, që vijon t’u flasë njerëzve në shekuj, ashtu, me kokën të cilën ia prenë, thjesht për t’ia mbyllur gojën, që thoshte pa frikë të Vërtetën, i shërbente së Vërtetës, e mbronte me vetëflijim të Vërtetën. E lidhja mund të bëhet e pakëputshme, vetëm nëse lutemi vazhdimisht:
“Lutja nuk është kohë e humbur; të lutesh nuk do të thotë të vjedhësh kohën që duhet për veprimtari, edhe për ato apostolike. Është krejt e kundërta: vetëm në se jemi të aftë ta mbushim jetën me lutjen besnike, plot shpresë, Zoti vetë do të na japë forcë për të jetuar të lumtur e të qetë, duke kapërcyer vështirësitë e duke e dëshmuar me guxim”.
Audienca e përgjithshme u mbyll në një atmosferë shumë festive, me përshëndetjen e e Papës drejtuar ministrantëve francezë, që e kishin mbushur përplot tremen e Pallatit Apostolik. Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme:
“Chers jeunes, le service que vous accomplissez…”...
“Të dashur të rinj, shërbimi juaj besnik ju mundëson të jeni posaçërisht pranë Krishtit në Eukaristi”. Prej këndej, i nxiti ta thellojnë miqësinë me Jezusin e të mos kenë frikë t’ua kumtojnë me entuziazëm e gëzim ungjillor edhe bashkëmoshtarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.