2012-08-29 16:33:35

Ndjesa Çelestiniane


Sipas traditës, dje në orën 18.00, me hapjen e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Marisë së Kolemaxhos, në Akuila të Italisë, kryesuar nga kardinali delegat i Benediktit XVI, Francesco Cocopalmieri, kryetar i Këshillit Papnor për Tekstet ligjore, filluan kremtimet e Ndjesës së 718-të Çelestiniane, të cilat përfunduan sot. Është një traditë fetare, që lidhet me zgjedhjen e Papës Çelestini V në fronin e Shën Pjetrit, më 1294, shoqëruar me ndjesën e plotë për të gjithë pjesëmarrësit. Gjatë festës u theksua edhe një herë se falja është forca e Kishës për të fituar mbi të keqen e, njëkohësisht, edhe rruga e zgjedhur nga Benedikti XVI për t’i propozuar në mënyrë bindëse shoqërisë bashkëkohore t’ia rihapë zemrën Zotit.
Kremtimi përsëritet çdo vit, nën shenjën e pajtimit, që rindërton bashkimin me Zotin e me vëllezërit e shëron plagët e trupit e shpirtit. Nis me Meshën solemne e përfundon me ritin e mbylljes së Portës Shenjte në Bazilikën e Kolemaxhos, sivjet kryesuar nga imzot Giuseppe Molinari, kryeipshkëv i Akuilës.
Këtu, më 28 prill të vitit 2009, ishte për vizitë Papa Benedikti XVI , për t’u lutur para relikeve të Çelestinit V, në një skenë tronditëse, me kupolën e kishës gjysëm të shembur e shtyllat e mbetura në këmbë, përforcuar e lidhur me shiritat e Mbrojtjes Civile. Papa pati vendosur palion papnore mbi arkivolin e qelqtë, ku ruhen reliket e Çelestinit V.
Po kush ishte Çelestini V?
Pjetri nga Marrone, lindur në Izarnia të Italisë rreth vitit 1215 e vdekur në Frozinone, po në Itali, më 19 maj 1296, u zgjodh papë më 29 gusht 1294. E drejtoi barkën e Pjetrit deri më 13 dhjetor 1294, kur hoqi dorë nga papnia, për t’i kaluar ditët e fundit larg intrigave, në vetminë e qelës murgare, që i pëlqente aq shumë.
Pjesën më të madhe të jetës e kaloi si vetmitar. Themeloi Urdhërin “Vëllezërit e Shpirtit Shenjt”, që më vonë u njohën me emrin “Çelestinët”, miratuar nga Papa Urbani IV. Ngriti 36 manastire me frymëzim benediktin, populluar nga 600 murgjër, si dhe një një mori strehësh vetmitare. I zgjedhur papë, në sa shkelte në vitin e 80-të jetës, pas një konklavi, që zgjati më se dy vjet, mori emrin Çelestini V. Njeri i thjeshtë e shenjt, e kuptoi shumë shpejt se kishte rënë, pa dashur, në një rrjet të ngatërruar interesash politike dhe ekonomike, të cilave i shtoheshin, nga jashtë, edhe ndërhyrjet e Karlit, mbret i anzhuinëve. I lodhur nga manovrat lidhur me personin e tij, hoqi dorë nga papnia, duke vdekur pak kohë më pas, krejtësisht i vetmuar, mbyllur në kështjellën Fumone. I akuzuar nga Dante si “ai që, për ligështi, hoqi dorë nga detyra e vështirë”, më vonë nisi të shikohej si Papë me fe e me forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, shembull heroik i përvujtërisë dhe i aftësisë për t’u flijuar në të mirën e Kishës. U shpall Shenjt nga Papa Klementi V, në vitin 1313. Reliket e tij nderohen në Akuila, në Kishën e Shën Marisë së Kolemaxhos, rindërtuar pas dëmtimeve të rënda, që pësoi nga tërmeti i vitit 2009-të, e cila aktualisht shërben si katedrale.










All the contents on this site are copyrighted ©.