2012-08-28 13:40:26

Solidaritet i ipeshkvijve latinë të rajoneve arabe për të krishterët e Sirisë


Konferenca e Ipeshkvijve Latinë të Rajoneve arabe, në një notë të ditës së djeshme, i shprehu imzot Xhuzepe Naxaros, vikarit latin të Halebit në Siri, solidaritetin për të gjithë të krishterët e vendit. Të enjten e kaluar, u vodh dhe u plaçkit pikërisht selia e episkopatit greko-katolik të qytetit, duke e detyruar kryeipeshkvin, imzot Zhan-Klement Zhanbar të strehohet tek françeskanët.
Ipeshkvijtë latinë shprehen të shqetësuar për lajmet, që lexohen në gazeta, të cilat quhen “buletine lufte”. Dhuna në terren nuk ndalet, shkruajnë ata. Mijëra vetë janë viktima të ndeshjeve vëllavrasëse, dhjetra mijëra refugjatë ikin nga shtëpitë e tyre, miliona njerëz jetojnë në varfërinë e së tashmes e në pasigurinë për të ardhmen. Duke premtuar lutje për bashkësinë e krishterë, ipeshkvijtë e ftojnë imzot Naxaron në asamblenë e tyre të përgjithshme, që do të mbahet nga 17 deri më 20 shtator. “Dëshmia juaj do të jetë shumë e çmuar – lexohet në tekst – e po ashtu, edhe prania juaj në lutjen me qirinj, gjatë së cilës do të japim një mesazh pajtimi e paqeje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.