2012-08-28 17:13:48

Presidenti Shqipërisë Nishani vizitë dy ditore në Kosovë


Pesidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, do të do të vizitojë Kosovën më 30 dhe 31 gusht. Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare si president i ri i Shqipërisë, Nishani do të takohet me autoritetet kosovare, duke filluar nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve kosovare si dhe me përfaqësues të opozitës, shkruan “Koha Ditore”.
Në kuadër të kësaj vizite, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani më 30 gusht do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancë solemne në Prishtinë.
Duke folur për vizitën e tij të parë në Kosovë, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani vlerësoi se kjo vizitë në radhë të parë ka të bëjë me “çështjen e respektit të bashkëkombasve tanë që jetojnë në Kosovë”. Po ashtu ai tha se, po aq e rëndësishme është kjo vizitë, e cila “do të shprehë të gjithë mirënjohjen dhe nderimin për përpjekjet e bëra për shumë e shumë vite dhe kohë nga qytetarët e Kosovës për arritjen e standardeve të lirisë”.

Më tej Presidenti i Shqipërisë Nishani tha se qytetarët e Kosovës po japin kontributet për tërë rajonin në kontekstin e paqes, të stabilitetit, të bashkëpunimit dhe të zhvillimit.
“Kosova është një nga kontribueset e rëndësishme sot në rajonin e Ballkanit ndaj për mua do të jetë një moment për të shprehur të gjithë nderimin dhe vlerësimin tim në emër të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ndaj këtyre përpjekjeve, ndaj këtyre arritjeve dhe ndaj këtyre kontributeve që qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës, vetë Republika e Kosovës kanë arritur dhe po japin në tërë këtë sens bashkëpunimi, i cili në fund të fundit është rruga e vetme. Është rruga e vetme për çdo vend, për çdo shoqëri dhe për çdo komb për të ecur në të”, theksoi mes tjerash Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani në një intervistë për Televizionin Klan të Tiranës.







All the contents on this site are copyrighted ©.